Albspirit

Media/News/Publishing

Deklaratat e Abbasit për Holokaustin, reagojnë Gjermania e Izraeli

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha se ishte i neveritur nga deklaratat e presidentit të Autoritetit palestinez, Mahmoud Abbas, që sipas liderit gjerman minimizuan rëndësinë e Holokaustit. Ndërkaq Izraeli tha se Abbasi deklaroi një “gënjeshtër të madhe”.

Abbas, gjatë një vizite të martën në Berlin, akuzoi Izraelin se ka kryer “50 holokauste” teksa u përgjigj në pyetjen lidhur me përvjetorin e 50-të të sulmit ndaj ekipit izraelit në Lojërat Olimpike të Mynihut, sulm i kryer nga militantët palestinezë.

“Për ne gjermanët në veçanti, çdo relativizim i singularitetit të Holokaustit është i patolerueshëm dhe i papranueshëm”, tha Scholz përmes një postimi në Twitter.

“Jam i neveritur dhe i zemëruar nga deklaratat e bëra nga presidenti palestinez, Mahmoud Abbas”, shtoi ai.

Ndërkaq, edhe kryeministri Izraelit, Yair Lapid, dënoi deklaratat, duke i cilësuar si “të turpshme”.

“Akuzat e bëra nga Mahmoud Abbas se Izraeli ka kryer ’50 holokauste’ teksa qëndroi në tokën gjermane, nuk janë vetëm turp moral, por gënjeshtër e madhe”, shkroi Lapid në Twitter.

Gjashtë milionë hebrenj u vranë në Holokaustin e Gjermanisë Naziste.

Duke qëndruar përkrah kancelarit Scholz, Abbas iu referua një serie të incidenteve në histori ku palestinezët janë vrarë nga izraelitët në luftën e vitit 1948, që u pasua me krijimin e shtetit të Izraelit, por edhe incidenteve në viteve pasuese.

“Nga viti 1947 deri në ditën e sotme, Izraeli ka kryer 50 masakra në fshatra dhe qytetet palestineze, në Deir Yasin, Tantura, Kafr Qasim e shumë të tjera, 50 masakra, 50 holokauste”, deklaroi Abbas.

Agjencia zyrtare e lajmeve palestineze, Wafa, nuk ka përfshirë në raportimin e saj për vizitën e Abbasit në Gjermani komentet për Holokausitin. Ndërkaq, Ministria e Jashtme palestineze tha se komentet e Lapidit ishin përpjekje për të shpërqendruar vëmendjen nga “krimet” e Izraelit./ REL

Please follow and like us: