Policia e Shtetit pezullon nënkomisaren Anisa Kostani
Reagimi i ashpër i Anisa Kostanit ndaj gazetarëve për raportimin mbi vrasjen e ndodhur dy ditë më parë në Elbasan, e ka vendosur nënkomisaren e policisë në qendër të kritikave.
Pas postimit ku ofendonte gazetarët dhe u jepte “leksione” për raportimin, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano vendosi ta pezullonte nga detyra, ndërsa Agjencia e Mbikqëyrjes Policore njoftoi se ka nisur një hetim ndaj saj.
Ndërsa në sfond, shfaqej kënga e reperit Unikkatil – “U qova pi vorri” (u çova nga varri). Kënga e reperit kosovar është rreth 4 minuta, ndërsa Kostani ka publikuar vetëm pjesën e refrenit, ku ndër të tjera thuhet “un jom ma i mallkumi; ma i paparashikumi; ai shqipja i përgjakshëm që mun me e nal veç plumi”.
Por Kostani është “penduar” dhe e ka fshirë postimin nga Instagram, kjo mbase se ajo po shkelte një prej rregullave të qarkullimit rrugor, përdorimin e celularit gjatë drejtimit të automjetit.
Ndërkohë në rrjetet sociale, përveç statusit që i kushtoi përkohësisht vendin e punës, ajo ka qenë “aktive” dhe me komentuesit të cilët e kanë ngacmuar për fotot që publikon, e të tregojë nëse “me rrogë policie e mbulon këtë luks”.
Në fotot më poshtë shihen replikat e Kostanit me një komentues, ku diskutimi mes tyre ka arritur deri tek “m*ti i Dubait”.
“Ty s’të ka zënë gjumi duke menduar për lux-in tim?”, i përgjigjet Kostani ndjekësit.
Ndërkohë një tjetër komentues i shkruan: “vendi jot është të shkosh në Dubai të hash m**in e sheikëve”.
Kostani nuk ia përton dhe i kthehet: “Sa po e ha pa lekë këtu, shko haje në Dubai më mirë se paske info të sakta”.
Reagim i Policisë së Shtetit
Me keqardhje ndoqëm reagimin aspak etik dhe profesional të një oficereje të Policisë së Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, e cila nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale ka fyer gazetarët, me pretendimin se gazetarët po përbaltin punën e Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan.
Përsa më sipër, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano ka pezulluar menjëherë nga detyra oficeren e Policisë, Nënkomisare Anisa Kostani dhe ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit për të nisur hetimin disiplinor ndaj kësaj oficereje, për shkelje të rëndë të Rregullores së Policisë së Shtetit, miratuar me VKM nr. 750 datë 16.09.2015, konkretisht të nenit 209, pika 1 “Shkelja e rëndë e atributeve/kompetencave të policisë pa ndonjë arsye bindëse, nuk i përmbush apo dështon në përmbushjen e detyrave dhe përgjegjësive të caktuara, të cilat kanë shkaktuar pasoja të rënda në kryerjen e detyrave”.
Sqarojmë opinionin publik se mendimet dhe opinionet personale të punonjësve të Policisë nuk përfaqësojnë në asnjë rrethanë, mendimet dhe opinionet e organizatës së Policisë së Shtetit, e cila ka një sektor të posaçëm, përmes të cilit komunikon zyrtarisht me median dhe publikun.
Policia e Shtetit është e bindur dhe e vendosur për të krijuar një marrëdhënie partneriteti dhe oponence me median, bazuar në respektin reciprok dhe në të vërtetën.
Policia e Shtetit falënderon gazetarët për punën e tyre në drejtim të informimit të publikut në lidhje me veprimtarinë e organizatës së Policisë së Shtetit dhe kërkon mirëkuptimin e tyre që raste sporadike të mos cënojnë marrëdhëniet korrekte mes gazetarëve dhe Policisë së Shtetit.