Albspirit

Media/News/Publishing

Miho Gjini: LORENC BINERI, NJË “ODISE” NGA PIQERASI!

Ai zbriti nga mali, ku ndodhet Manastiri i Kremesovës, si “i varur në qiell”, ashtu sikundër kishte zbritur nga malet dikur gjeologu Mezin Bineri në Piqeras, për një jetë më të mirë këtu, i zhytur në masivin e gjelbër të ullinjve e agrumeve që shtrihen gjer atje, ku vijnë dallgët e detit. Dhe të birin tre vjeçar, Lorencin e mbante për dore, e rriti po këtu, e shkolloi, gjersa edhe ai u “bë me krahë”, që të “fluturonte“ edhe ai në dhera të tjera: në Greqi, në Zelandën e Re, në Angli e përfundimisht në Zvicër. I ati i tij nga Zhulati i Gjiokastrës nuk jeton më, po ja ku është kthyer nga “shtegëtimi” i gjatë, si të ishte personazhi kryesor i Homerit, ky djalosh i hijshëm e shtatlartë, me trupin si të Apollonit, përkrah Elisës, së shoqes së tij bjonde e të bukur, -bijë nga nënë piqerasiote. Ata të dy, sikur sollën para meje e ish-mësuesit të tyre Vasil Gjivogli, flladin e udhëtimeve detare e të erërave të majëmalit, bashkë me atmosferen e Pashkës së 15 gushtit të Shën Marisë…
Ai e përqafoi mësuesin e dikurshëm, duke i kujtuar edhe një episod gazndjellës (tepër të rezikshëm!) të së kaluarës: heqjen nga muri i klasës të portretit të Enver Hoxhës dhe vërtitjen që i bëri Udhëheqësit në rrëpirën e pasme përmes dritares. Qe koha kur kishin marrë kurajën e tyre edhe nxënësit e shkollave, pas rrëzimit të monumentit të tij në Tiranë dhe tërheqjes zvarrë gjer në konviktet e studentëve. Mirëpo, atëhere ia behu menjëhere në shkollë Operativi i Sigurimit, i nxirë në fytyrë e kërkonte të gjente fajtorin e kësaj “gurguleje”! Heshtën nxënësit e tjerë, heshti edhe drejtori Gjivogli, duke e marrë kështu në mbrojtje këtë djalë të guximshëm që tashmë ndodhej para tij 40 vite më vonë. E kështu do të mbyllej edhe kjo histori, si gjithë të tjerat e të kujtohej po sot, si diçka që i takon së kaluarës, nga e cila u larguan edhe këta djem, nga “sytë këmbët” në të gjithë skajet e botës… Si të ishte Ulisi, personazhi i Homerit të verbër, me aventurat e tij të guximshme, nëpër botë, bile edhe me një kthim si ai, veç me një ndryshim: Bineri e kishte “Penelopën” me vete, kudo që shkeli e vajti, deri në Zelandën e Re, në skajin më ekstrem të botës, të dëgjuar për fërtunat tropikale e piraterinë e detarëve, që në kohërat më të lashta…
Lorenc Bineri do të ishte edhe ai një ”kërkues i ëndrrave”, si Odiseu dhe do të ikte i pari prej varfërisë e trazirave, i fshehur në sediljen e një maune, ku ulej edhe shoferi, pa marrë frymë, si në fundin e detrave e oqeaneve, deri në Argos. Këtu do të ndjehej i lirë djaloshi 16-vjeçar e do të ulej në bankat e një shkolle greke për të mësuar gjuhën, kultuën e këtij vendi fqinjë, si edhe ”busullën e eksplorimit” të botës dhe të jetës së mëtejshme. Dhe “udha detare” do ta shpinte në ishullin e Species së Bubulinës, ku kishin bujtur edhe piqerasiotë të tjerë, për të mësuar aty profesionin e pastiçierit. Tetë vite më pas do ta priste kryeqyteti Helen në Atikën e lashtë, me zhurmën, fshehtësirat e mrekullitë më të hershme të njerëzimit. Në Athinë do punonte e jetonte 23 vite, fillimisht në një “Flo Caffe” para dite dhe si Barman në mbrëmjet magjepsëse të qytetit, rrëzë Akropolit të Antikitetit, që ndriste edhe natën nga dritat e shumta e zhurmonte nga prania e turistëve të huaj. Derisa ta merrte veten e tij e të inkuadrohej në një Kompani Gjermane të tregtimit të prodhimeve kozmetike. Duke mos e harruar Piqerasin e tij tashmë dhe, në kohën e lirë që i mbetej, krijon edhe skuadrën sportive “DETARI I PIQERASIT”, së toku me Romeo Çanin e Alket Spirin, gjithmonë e të pandarë… Dhe rezultati?… Fitojnë kupën në dy lojrat sportive dhe që të dyja kupat prej argjendi ia sjellin po këtij mësuesi veteran që ruan përherë mall e dashuri për nxënësit e dikurshëm. Në njerën prej të cilave kam asistuar edhe vetë, ndër fituesit e tifozëve të tyre, kur e sollën njerën prej kupave, me entuziazmin e britmat e fitores së merituar të piqerasiotëve të mërguar… Si të ishte një trofe e rrallë luftrash të hershme. Dhe të më “zinin” edhe mua, për herë të parë, “ethet” e tifozit! Se nuk më kishte ndodhur kurrë të elektrizohesha aq shumë atë mbrëmje, nga entuziazmi i këtyre të rinjve, me plot mall e dashuri për fshatin, po edhe për jetën që i priste paskëtaj… Ato kupa, që sot qëndrojnë diku, të dukshme ne këndin e “Bar Bufe PIQERASIT”, të kujtojnë ende “flamujt e fitoreve” të këtyre djemve piqerasiot që morën “UDHET E BOTËS”, bashkë me ëndërrimet e tyre më të bukura…
Kishte nisur pjekuria e tyre për një jetë të pavarur… E gjithë BOTA tashmë ishte e tyre! Lorenc Bineri krijon kompaninë e vet kozmetike “EFEM ALBANIA”, tashmë me qendër në Tiranë, duke përfshirë edhe Kosovën, që zgjati një pesëvjeçar. Idea për të”eksploruar” në një vënd të largët e shpie çiftin deri ne “Zelandën e Re”, por pas 20 ditësh atje, do të bindeshin se “zgjedhja” e tyre qe e gabuar. Ju duk fare qartë, sikur ishte kthyer pas në kohë a ngatërruar rrugë. E ndjeu menjëherë fjalën e urtë se “deti kudo është i kripur”, po në atë vetmi të ishullit të skajeve detare, nuk mund “të ngopej me lugë të zbrazur” dhe as me soditje romantike,sikundër i mërmëriste në vesh fjala tjetër e urtë që i kishte thënë i ati gjeolog që kishte gjurmuar mineralet e dobishme maleve… Dhe do t’i kthenin sytë nga Mbretëria e Bashkuar Angleze. Ndofta edhe për çka panë me syrin e tyre a përçka patën dëgjuar se atje, në ishullin e madh të piraterive detare, kishte shkelur edhe këmba e një piqerasioti tjetër, vite e dekada më përpara, të cilit i qe shuar fare emri atje, ku i qe ngrysur edhe jeta dhe as që i ishte gjendur edhe varri, gjatë atyre moteve e trazirave të luftrave që bëheshin e vazhdonin të bëheshin pambarimisht edhe në ditët tona… Po atyre do t’i buzëqeshte Londra, ku do të venin të punonin edhe dy vjet të qetë, gjersa do ta hidhnin “hapin”e mëtejshëm diku, në një shtet edhe më të qetë e të begatë sikundër është Zvicra. “Spiranca e Odiseut” tashmë do të hidhet në Zyrih, për të mos lëvizur më, ai si eliktriçist e ajo, Elisa, në nje kompani të huaj. Të mirëpërgatitur e të sigurt për jetën e mëtejshme. Lorenci me pesë gjuhë të huaja dhe Elisa me gjashtë. Ata janë tashmë “Qytetarë të botës”… Për të mos qenë kërkund memecër!… Por, askund nuk ka për ta si Piqerasi. Këtu është “FOLEJA E DALLANDYSHEVE”, malli e dashuria, mjalti i jetës së tyre të mërgimit. Fillimi dhe fundi i përjetshëm. Për ta e për këdo. Se jetën e tyre e shkruajnë vetë ata, po asnjëherë nuk e harrojnë PIQERASIN, ITAKËN E TYRE, me Sheshin e Shën Thanasit, me udhën malore të Manastirit e të monopatit të gjelbër të Bunecit, midis malit e detit, ullinjve e agrumeve, nëpër gurët e kalldrëmeve, në zig-zaket e rimeve të fshatit, karshi portave me harqe, të mbingarkuara nga lulet e pjergullat e rushit të shtëpive, nga ku dalin nënat shamizeza, baballarët dhe shokët e shoqet… Qendra e Botës për ta, këtu është e kështu do të jetë. Sepse prej këndej nis edhe PARAJSA…
Piqeras, më 24 gusht 2022.
Please follow and like us: