Albspirit

Media/News/Publishing

Hasan Bello: Pse vetëvriteshin shqiptarët gjatë diktaturës?

 

Një nga statistikat që regjimet totalitare ruanin me fanatizëm si sekret shtetëror ishin vetëvrasjet. Sipas shumë të ish-burgosurve, në fillim të gjithë ata që arrestoheshin për politikë, kalonin në krizë të fortë nervore dhe arrinin deri atje sa të vetëvriteshin.

Por nuk ishin të rralla rastet, kur organet shtetërore të dënonin edhe pasi largoheshe nga kjo botë. Persekucioni kryesorë binte mbi familjen, sepse vetëvrasja si akt dëshpërimi, konsiderohej si pakënaqësi ndaj realitetit; revoltë ndaj udhëheqjes dhe sekretarit të parë.

Qëndrimi që ky i fundit dhe PPSh-ja mbanin ndaj vetëvrasjes do të sanksionohet dhe në të drejtën penale e Republikës Popullore Socialiste e Shqipërisë (pjesa e posaçme), Tiranë 1983, ku shkruhet se “Në vendin tonë socialist ku udhëheq një Parti marksiste-leniniste kaq e drejtë, kaq e dashur me popullin dhe me njerëzit, kaq e kujdesshme për të zgjidhur me drejtësi, urtësi e kujdes kur duhet, deri edhe problemet më të vogla, duhet të zhduket akti i vetëvrasjes. Ai nuk është akt që zgjidh gjë drejt, nuk është akt moral”. Kjo tregon se ai konsiderohej akt imoral. Pavarësisht kushteve që regjimi të impononte, duke të shtyrë drejt vetëvrasjes.

Për ta ilustruar qasjen e regjimit komunist ndaj këtij fenomeni do t`i referohemi disa burimeve arkivore dhe ndonjë rasti konkret. Më 18 shtator 1975 Sektori i Edukimit në Komitetin Qendror të PPSH-së i dërgoi të gjitha rretheve dhe reparteve ushtarake një informacion “Mbi disa probleme që dalin nga krimi i vetëvrasjes” me udhëzimin për të nxjerrë ato çka i interesonin për punën e tyre. Në këtë material thuhet se duke marrë shkas nga përhapja e këtij fenomeni sektori në fjalë kishte bërë një vështrim të përgjithshëm mbi këtë problem përgjatë vitit 1974 dhe gjashtëmujorin e parë të vitit 1975.

Në këtë hark kohorë ishin konstatuar 120 vetëvrasje në të gjith vendin (75 persona në vitin 1974 dhe 45 persona për gjashtëmujorin e parë të vitit 1975). Këto shifra tregojnë për një tendencë rritjeje. Prandaj problemi në fjalë ishte kthyer në shqetësim për vetë KQ.
Në këtë material nuk përfshiheshin rastet që kishin ndodhur në repartet ushtarake, ku ky fenomen, sipas mendimit tonë subjektiv (derisa ta konfirmojmë me fakte), ishte po aq i përhapur sa tek popullsia civile. Sipas këtij informacioni, vetëvrasjet e kryera kishin disa shkaqe, si: 21 nga sëmundjet psikologjike; 17 nga sëmundje të tjera; 11 nga thashethemet dhe zakonet prapanike; 9 nga kritikat dhe të metat në punë; 3 nga keqtrajtimet dhe 49 raste nga shkaqe të tjera, të kryera nga njerëz të shthurur, pijanecë, imoralë, xhelozë etj. Nga 120 vetëvrasje, 75 prej tyre ishin kryer në fshat dhe vetëm 45 në qytet.

Përsa i përket moshave që vetëvriteshin ato ndaheshin në:

13 raste të moshës 14-18 vjeç

20 raste të moshës 19-26 vjeç

22 raste të moshës 27-40 vjeç

65 raste të moshës mbi 40 vjeç

Rritja progresive e numrit të vetëvrarëve në raport me moshën është tregues se personat në fjalë ishin të vetëdijshëm për këtë veprim dhe shkaqet që i shtynin ata drejt këtij vendimi.

Sipas qyteteve rezultonte se disa këto nga këto vetëvrasje kishin ndodhur: në Fier ishin kryer 10 vetëvrasje; në Vlorë 12; në Tiranë 10; në Tropojë 9; në Sarandë 7; në Kukës 1; në Tepelenë 4; në Durrës 6; në Librazhd 2; në Burrel 4; në Gjirokastër 3; në Pukë 3; në Berat 2; në Dibër 4; në Lezhë 1; në Shkodër 6; në Gramsh 1; në Pogradec 2; në Mirditë 2; në Skrapar 1.

Për të fshehur të vërtetën, në informacionin e përgatitur nga Sektori i Edukimit i KQ thuhet se, shkaqet ishin të ndryshme, por më kryesoret që i çonin njerëzit drejt vetëvrasjes ishin:

Zakonet prapanike dhe thashethemet.

Kishte prindër që ende i fejonin vajzat pa dëshirën e tyre. Për ta ilustruar jepej rasti i një vajze nga Kanina e Vlorës, e cila ia kishte shprehur të afërmëve pakënaqësinë dhe kundërshtimin për fejesën. Për këtë arsye, prindërit e kishin penguar të dilte në punë.

Organizata e Rinisë dhe as ajo e partisë nuk kishin ndërhyrë për ta marë nën mbrojtje vajzën dhe për të vendosur në vend dinjitetin e saj. Duke mos gjetur më forca për të kundërshtuar këtë veprim ajo ishte vetëhelmuar.

Sipas këtij informacioni kishte shumë vajza që kur lidheshin me djem të caktuar hasnin pengesën e prindërve. Në një situatë të tillë, duke mos patur ndihmë në kohën e duhur, kishin vrarë veten dhe kishin tentuar për ta bërë një gjë të tillë disa të rinj e të reja. Ndërsa në disa raste të tjera kjo ishte rrjedhojë e keqtrajtimit që burrat u bënin grave të tyre. Në Mirditë një grua ishte vetëvrarë për shkak të thashethemeve dhe opinionit.

Sedra e sëmurë “mikroborgjeze”. Sipas Sektorit të Edukimit në KQ një nga shkaqet e vetëvrasjeve ishte se, disa individë ishin kritikuar për shkak se nuk i kishin realizuar detyrat. Por ky mekanizëm partiak harronte se kritika, autokritika dhe demaskimi i njeriut nga kolektivi ose organizata bazë, ishte një linçim publik.

Në raste të tilla të akuzonin për gjëra që ndoshta as i kishe menduar. Rivalët dhe smirxhinjtë gjenin rastin për të goditur pa mëshirë. Vetëm një karakter i fortë ose neglizhenca totale e këtyre kritikave bënte që një individ normal të mos shkonte drejt vetëvrasjes. Por sigurisht që edhe kjo shoqërohej me trauma.

Shkarkimi ose zbritja në detyrë ishte një arsye tjetër që lëndonte sedrën e sëmurë. Për ta ilustruar këtë, jepeshin dy raste konkrete nga qyteti i Vlorës që kishin tentuar të vetëvriteshin, i pari, se ishte kritikuar dhe ndëshkuar për mos kryerje të detyrës, i dyti, se ishte shkarkuar si brigadier për të meta e dobësi në punë.

Kishte edhe raste kur persona që kapeshin duke vjedhur nuk e duronin dot turpin dhe tentonin të vetëvriteshin. Një rast i tillë ishte ai i një 30 vjeçari nga Himara, i cili kishte tentuar të vetëvritej pas dënimit me 300 lek për vjedhje plastmasi.

Sipas këtij Sektori kishte ndodhur që disa persona të vrisnin veten për mos plotësim të dëshirave subjektive. Kështu, një i ri nga Karbunari i Vlorës kishte varur veten për shkak se nuk i ishte plotësuar dëshira për tu bërë shofer, që të shpëtonte nga puna në bujqësi. Mirëpo dëshira e këtyre individëve, nuk ishte subjektive, siç e interpretojnë burokratët e regjimit. Por një shteg për të lehtësuar kushtet e rënda të mbijetesës.

Prandaj mbyllja e çdo perspektive për tu larguar nga fshati dhe punët e rënda të bujqësisë, janë shkaqe objektive që e çonin njeriun pa asnjë shpresë për të jetuar në kushte normale, drejt vetëvrasjes.

Një arsye tjetër e vetëvrasjeve tek të rinjtë ishin edhe notat jo të mira, ngelja në klasë dhe mos dalja e së drejtës së studimit për të vijuar shkollën e lartë. A mund të konsiderohet kjo e fundit dëshirë subjektive? Apo e drejtë themelore e njeriut?

Sëmundjet e ndryshme dhe ato psiqike ishin një arsye më vete që i shtynin shumë individë drejt vetëvrasjes. Ato zinin 31.6% të numrit të përgjithshëm. Në kushtet e një shoqërie të mbyllur, ku presioni politik ndrydhte çdo të drejtë për të artikuluar shqetësimet personale dhe ekonomike, depresioni social dhe ai psikologjik ishte mjaft i përhapur. Prandaj përqindja e të vetëvrarëve tek ata që vuanin nga këto sëmundje ishte kaq e lartë.

Fenomeni i vetëvrasjes konsiderohej si tradhëti ndaj atdheut dhe partisë. Ai dënohej politikisht. Për shkak të numrit të lartë që ky fenomen do të ketë në mesin e viteve 70-të, KQ do t`i udhëzoi të gjitha Komitetet e Partisë në rrethe dhe organet drejtuese të organizatave të masave për ta vlerësuar më mirë këtë lloj krimi dhe për të forcuar më mirë si punën edukative ashtu dhe atë parandaluese.

Këto mekanizma nuk duhej të kufizoheshin vetëm në regjistrimin e ngjarjeve, por të analizonin shkaqet dhe masat që duheshin marrë për ta zhdukur këtë fenomen. KQ merrte si model të punës së mirë Komitetin e Partisë në Vlorë, i cili ishte përpjekur të studionte problemin e vetëvrasjes dhe të instruktonte organizatat bazë për parandalimin e tij.

Por pse në rrethin e Vlorës (kryesisht në Shqipërinë e Jugut) numri i vetëvrasjeve ishte pak më i lartë se në rrethet e tjera? A kishte lidhje kjo me presionin e lartë ideologjik dhe zbatimin rigoroz të legjislacionit dhe normave të PPSH-së? Kjo është vetëm hipotezë dhe mbetet për tu studiuar.

Sektori i Edukimit në KQ kërkonte që të luftohej mendimi që e konsideronte vetëvrasjen si “akt të guximshëm” dhe epitetet që vendoseshin, duke i parë këta persona si të dyshimtë edhe pasi ishin sqaruar shkaqet dhe motivet. Kujdes i veçantë duhej treguar për invalidët dhe pensionistët, të cilët, kërkonin ngrohtësi për shkak të moshës, sëmundjeve dhe braktisjes nga fëmijët.

Ky raport mbyllej me udhëzimin se organet e PPSH-së në rrethe duhej të bënin një punë të kualifikuar edukative, me të rinjtë dhe të rejat, “për të luftuar prirjet dhe konceptet mikroborgjeze, shfaqjet e huaja borgjezo-liberale, që i shtyjnë disa të rinj të bëjnë veprime në kundërshtim me normat e moralit socialist”. Në këtë drejtim, një barrë e madhe binte mbi organizatat e rinisë, “që duhej të bënin më shumë për parandalimin dhe luftimin e shfaqjeve të huaja, për të ngritur më lart opinionin shoqëror, duke u kundërvënë shembujt e mrekullueshëm dhe inisiativat revolucionare të rinisë sonë”.

Kështu, Sektori i Edukimit i KQ nuk arrinte të analizonte shkaqet e reale të numrit të lartë të vetëvrasjeve, por i mëshonte retorikës ideologjike. Kjo për shkak se ishte vetë PPSH-ja dhe regjimi komunist, që e kishte bërë jetën të padurueshme me atmosferën e krijuar dhe kushtet e vështira ekonomike; klimën e terrorit që dominonte shoqërinë shqiptare në mesin e viteve 70-të, me arrestime, ekzekutime, internime.

Për të parë sesi e lexonte regjimi komunist një akt vetëvrasjeje, por dhe pesimizmin që dominonte botën shpirtërore dhe psikologjike të një viktime, do t`i referohemi një rasti konkret. Një letre që një student i inxhinierisë nga një qytet verior i kishte dërguar një shokut të tij në Vlorë, para se të vriste veten:

“…Përpiqemi me sot e me nesër dhe për çfarë? Për asgjë, pa e ditur as vetë se ç`na pret. Themi hë të kalojë kjo ditë se do iki në shtëpi, hë të mbaroj këtë punë. I bëjmë qefin vetes, s`dijmë për çfarë jetojmë…Përse vuajmë kaq shumë shpirtërisht. Njerëzit thonë ah kur të vijë Viti i Ri, ah kur të vijë kjo ose ajo ditë, kur e di se kjo edhe ajo ditë erdhi si të tjerat, ai bëhet vrasës i vetes së tij. Një fund na pret të gjithëve. Trupi ynë do të shërbejë si pleh për tokën.

Pra del pyetja. A ia vlen të jetosh kur vetëm vdekja të ndan nga jeta dhe kjo e fundit të jep si shpërblim, shpërblimin që u jep bimëve dhe kafshëve? Edhe për atë që mund të më jepte shtytje spontane, për ta bindur veten se ke arritur diçka për mua ka marrë fund…

Nuk jam sentimental. Por jeta më ka bërë të egër dhe po më kthen në kafshë. Asnjë njeri nuk mund të më bind për atë që kërkoj të arrijë, të cilën askush nuk mund të ma ndalojë, sepse i vehtes jam zot vetë. Erdhe ti në Tiranë dhe un nuk u solla mirë ashtu siç duhej, sepse kam humbur çdo ndjenjë njerëzore dhe këtë të drejtë ma ka mohuar vetë jeta”.

Në letrën që Komiteti i Partisë së këtij rrethi i drejtonte KQ merrte në shqyrtim shkaqet e vetëvrasjes së studentit të mësipërm, duke u bazuar në letrën drejtuar shokut të tij, që tani ndodhej në duart e hetuesisë. Ky rast ishte përzgjedhur edhe për faktin, se i ati ishte drejtues i një ndërmarrje shtetërore dhe, vetëvrasja ishte kryer me armën e shtetit.

Sipas Komitetit të Partisë një nga shkaqet që e kishte shtyrë studentin drejt vetëvrasjes flitej se ishte dega e inxhinierisë. Një nga padrejtësitë më të mëdha që u bëhej të rinjve nga regjimi ishte mohimi i të drejtës së studimit ose, sakrifikimi i dëshirave personale “për nevojat që kishte vendi”. Kjo i shtynte disa të rinj drejt vetëvrasjes.

Në letrën e studentit, Komiteti i Partisë konstatonte “filozofi borgjeze”, “idealiste dhe antimarksiste” mbi jetën dhe kuptimin e saj. “Ky i ri,-vijonte analiza,-sikur nuk ka jetuar në mesin e rinisë tonë entuziaste, në mes gëzimit dhe vrullit të saj revolucionar. Ai në letër akuzon jetën tonë të bukur socialiste kur shkruan “jeta më ka bërë të egër dhe po më kthen në kafshë”. Ai ska patur asnjë arsye të “humbiste çdo ndjenjë njerëzore” siç thotë dhe për këtë ia paska fajin vetë jeta”. Ai konsiderohej idealist nihilist, duke arritur deri atje sa të deklaronte se njeriu duke pritur festat, gëzimet dhe Vitin e Ri, bëhej “vrasës i vetes së tij”.

Në mënyrë absurde ky Komitet deklaronte se në Shqipërinë komuniste, nuk ekzistonin kushte objektive për të kryer vetëvrasje. Ai sugjeronte që organizat e rinisë duhej të flisnin më tepër për vuajtjet e rinisë në vendet kapitaliste e revizoniste.

Meqenëse konceptet nihiliste, që e kishin çuar drejt vetëvrasjes këtë të ri, nuk edukoheshin në vendin tonë, atëherë lindte pyetja nga i kishte gjetur ai këto ide? Komiteti i Partisë ngrinte dyshime se në rrethe të ngushta nxënësish lexoheshin libra të verdhë, ose konceptet e filozofëve idealistë që mësoheshin nëpër shkolla për t`i demaskuar ata, interpretoheshin ndryshe.

Një problem tjetër për Komitetin e Partisë së këtij qyteti ishte vetëvrasja e ushtarëve, për shkak të kritikave ose raporteve të këqia mes tyre dhe oficerëve.

Në të gjitha rastet numri i vetëvrasjeve ishte sekret shtetëror dhe nuk bëhej asnjëherë publik qoftë edhe për arsye mjekësore.

Please follow and like us: