Eugjen Merlika: Lamtumirë Berti, djaloshi i plukut
Një miku im i hershëm më dha lajmin, të hidhur si pelini, se ti kishe ndërruar jetë papritmas. Ishte një nga ata lajme që të ngurtësojnë, të venë në mendime e të bëjnë t’a shohësh në ngjyrë gri edhe një ditë të bukur pranvere. Zemra jote kish pushuar së rrahuri e shpirti ish ngjitur në hapësirat e pafundme, atje ku ka vetëm jetë, jetë të pasosur…
Në atë atmosferë terrori u rrite edhe ti, duke mbajtur që në lindje etiketën e “armikut të popullit”. Do t’a ndjenin më shumë peshën e asaj shprehjeje sytë e tu të përlotur në një mbrëmje ogurzezë, kur partia kobzezë komuniste tregonte kthetrat, duke tmerruar njerëzit nëpërmjet një gjyqi të shpifur ndaj babait tënd të ndershëm. Do t’a ndjenje edhe më shumë kur në vend të librave të shkollës e mundësisë për të studjuar t’u dha një lopatë për të gërmuar dhè në arat e Plukut.
Çuditërisht, duke kapërcyer kohë e hapësirë, ti vjen në kujtesën time pa buzëqeshje, me një fytyrë të menduar, me sy që mundoheshin të depërtonin në një tjetër realitet të padukshëm, të pakapshëm….Ajo fytyrë e menduar nuk i përshtatej moshës së lodrave, ajo tregonte ritme jete të tjera që përpinin kohët. Ndoshta në mprehtësinë e thellësinë e shikimit tënd fshihej një e ardhme, për të cilën as që mund të ëndërrohej… Të sjell nëpër mend si fëmijë që shkonte në shkollën pranë shtëpisë ku banonja, më vonë me librat në dorë duke shkuar në gjimnaz, të kujtoj të heshtur në shtëpinë tënde bujare kur vinja të shihnja ndeshjet e futbollit në televizor.
Më pas u ndamë mbasi mua më përpiu rryma e terrorit, duke më çuar në burgje e internime larg Plukut. Kështu kaluan shumë vite, në të cilat ti u rrite e u burrërove. Pastaj koha bëri mrekullitë e saj e jeta të çoi atje, në Vendin e ëndërruar ku, ndoshta, mendimi yt fluturonte që kur ishe fëmijë. Zërin tënd prej burri e kam ende në vesh kur më ngushullove për vdekjen e prindërve të mij. Të faleminderit Berti.
Tani e tutje zërin tënd nuk do t’a dëgjoj më, por kujtimin tënd të djaloshit të Plukut do t’a mbaj gjithmonë në mëndje e në zemër. Ti e mbylle rrethin tënd shumë i ri, por ky ishte fati yt e me të nuk mund të luftohet. Ti u largove fitimtar nga kjo jetë, mbasi nuk u munde. Nuk u munde nga e keqja që të rrethoi në fëmijërinë e në rininë tënde të parë, mbete i ndershëm e jetove me dinjitet. Nuk u munde edhe nga beteja e mëpasme me jetën e vështirësitë e saj në një Vënd të madh e të lirë, por gjithmonë një Vend i huaj. Në atë Vend ti çove përpara një familje e nxore në jetë tre djem. Kjo ishte fitorja jote, ky është triumfi yt mbi vdekjen që të ndau prej tyre padrejtësisht. Ata do të rriten me kujtimin tënd në zemër e me krenarinë se babai u la një emër të nderuar. Ata do të të ringjallin ty para prindërve e të dashurve, do t’i japin sodisfaksion e stimul jetës së nënës së tyre, do të realizojnë në jetë atë që fati nuk t’a lejoi ty t’a sendërtonje. Lus Zotin, në dritën e të cilit shpirti yt i pastër sot prehet, t’u lehtësojë dhimbjen të dashurve të tu, pranë të cilëve jam me gjithë shpirt në këta çaste hidhërimi të pashoq e zbrazësire të llahtarëshme.
U luta për ty edhe njerëzit e tu në një kishë të qytetit ku banoj. Ndeza një qiri para figurës së Shën Anoit, të cilit i jam shumë besimtar, e të kujtova gjatë në meditimet e mija.
Lamtumirë Berti, lamtumirë djalosh i dashur, u prehsh në paqe e të qoftë i lehtë dheu që ka strehuar trupin tënd, lamtumirë! Maj 2006
Marrë nga vëllimi : “Përsiatje njerëzore, letrare, shoqërore, historike” OMSCA-1 Tiranë 2011 /Liberale.al/