Vuçiç provokon Kroacinë për misionin e tij rus të destabilizimit në Ballkan
Shaban Murati
Nuk mund të imagjinohet as si skenar filmi që një ministër nazist pas Luftës së Dytë Botërore të ngrihej dhe të bënte padi kundër pilotëve dhe gjeneralëve rusë dhe amerikanë, që bombarduan Berlinin, Drezdenin dhe dhjetëra qytete të tjera gjermane gjatë luftës së koalicionit antifashist botëror kundër nazizmit.
Por ja që del një ministër i qeverisë naziste të kriminelit ndërkombëtar të luftës Millosheviç, Aleksandër Vuçiç që sot është president i Serbisë dhe ka shpallur padi kundër disa pilotëve dhe disa gjeneralëve kroatë, të cilët morën pjesë në luftën e gushtit 1995 për çlirimin e territoreve kroate të pushtuara nga ushtria agresore e Serbisë dhe e mercenarët e tyre serbë në Kroaci.
Ministrat e qeverisë naziste u dënuan me vdekje në Gjyqin Ndërkombëtar të Nurembergut, kurse Vuçiç dhe qeveria e tij naziste serbe, që ndërmori katër agresione kundër popujve joserbë në ish-Jugosllavi, falë zemërgjërësisë së pajustifikuar dhe të pashpjeguar të diplomacisë europiane jo vetëm nuk patën gjyq Nurembergu, por u rikthyen qetësisht në pushtet në Beograd dhe po guxojnë të akuzojnë dhe të padisin popujt joserbë, të cilët i vrau dhe masakroi masivisht qeveria naziste e Millosheviçit, ku Vuçiçi kishte portofolin e Gëbelsit.
Në datën 20 gusht gazeta serbe “Politika” njoftonte se Gjykata e Apelit e Beogradit kishte konfirmuar padinë e Serbisë ndaj katër pilotëvë të forcave ajrore kroate me akuzën për krime lufte gjatë pjesëmarrjes së tyre në veprimet luftarake të operacionit “Storm” të gushtit 1995 për çlirimin e territorit kroat të pushtuar nga Serbia, e cila kishte krijuar edhe të ashtuquajturën “republikë serbe të Krajinës” brenda tokës kroate.
Në 21 gusht kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç vulosi karakterin zyrtar të padisë serbe, duke shprehur publikisht mbështetjen qeveritare për vendimin e padisë kundër ushtarakëve kroatë nga Gjykata e Apelit e Beogradit. Pra kemi një akt dhe veprim politiko-juridik të qeverisë së Serbisë për të sulmuar Kroacinë dhe për të acaruar qëllimisht marrëdhëniet me shtetin fqinjë kroat.
Provokimi zyrtar serb i tipit të ujkut, që ankohet për qingjin, nuk mund të mos shkaktonte reagimin e duhur dhe të drejtë të Kroacisë. Në datën 25 gusht kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç, në mbledhjen e kabinetit qeveritar iu kundërpërgjigj me deklaratën se “Kroacia është viktimë e agresionit të Serbisë. Lufta për atdheun në vitet 1991-1995 është një luftë mbrojtëse. Serbia ka nevojë të përballet me të kaluarën e saj dhe me efektet e agresionit të ‘Serbisë së Madhe’ të regjimit të Millosheviçit kundër Kroacisë”.
Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç deklaroi në 24 gusht lidhur me padinë serbe se “Kjo është e organizuar nga Vuçiçi. Serbia sulmoi Kroacinë dhe jo e kundërta. Nesër Kroacia mund të padisë Vuçiçin për sulmin e tërbuar në territorin e Kroacisë në vitin 1995. Unë nuk dua të përmend gjëra që kanë ndodhur afër Zagrebit, në të cilat Vuçiç ka marrë pjesë dhe të cilat kanë elemente të përgjegjësisë kriminale. Pse ju po na provokoni ne”?
Pyetja themelore e presidentit të Kroacisë drejtuar presidentit të Serbisë është në vetvete një alarm diplomatik dhe shtetëror, që duhet të analizohet jo vetëm në lidhje me Kroacinë, por nga të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, që përfshihen në formatin ish-jugosllav, ku diplomacia europiane futi brutalisht edhe Shqipërinë e mjerë.
Provokimi i Serbisë kundër Kroacisë për të ngritur tani padi kundër ushtarakëve kroatë pjesëmarrës të luftës për çlirimin e territorit të pushtuar nga ushtria serbe, tërheq vëmendjen për kohën kur bëhet dhe për karakterin e tij politik dhe strategjik, që lidhet me objektivin serbo-rus të destabilizimit të Ballanit.
Së pari, nuk mund të mos çudisë fakti që presidenti serb Vuçiç u kujtua tani, pas 27 vitesh të përfundimit të luftës çlirimtare të Kroacisë në territoret e veta, të ngrejë padi ndaj disa ushtarakëve kroatë të operacionit “Storm”, që dëboi ushtrinë pushtuese serbe nga Kroacia. Zhurma, që bën Serbia me padinë e saj se janë vrarë disa civilë serbë, vjen nga falsifikimi i së vërtetës që trupat serbe të kolonës se tankeve dhe të autoblindave po përdornin mburoja njerzore me civilët serbë për të sabotuar operacionin ushtarak kroat dhe për të mbajtur territoret e pushtuara kroate.
Pse presidenti serb Vuçiç, i cili ka në pushtet 10 vjet qysh nga viti 2012 në postet e ministrit të mbrojtjes, të kryeministrit dhe të presidentit të Serbisë, u kujtua tani në mandatin e tij të dytë presidencial në vitin 2022 të ngrinte padi kundër Kroacisë për gushtin e vitit 1995?
Janë dy shpjegime për këtë: 1-doktrina e re e “botës serbe” e adoptuar tani nga qeveria e tij për bashkimin e serbëve të rajonit në një shtet të përbashkët, dhe 2- nevoja e re e Rusisë për destabilizimin e Ballkanit, e cila doli tani me agresionin ushtarak rus kundër Ukrainës, që nisi në shkurt 2022 dhe po vazhdon sot e kësaj dite. Kuptohet qartë se presidenti Vuçiç ka disa objektiva aktuale me këtë provokim të ri ndaj Kroacisë dhe me ndërgjegje po ndjek kursin e acarimit të marrëdhënieve me tensione me shtetin fqinj anëtar të NATO-s.
Së dyti, presidenti serb e di fare mirë se Serbia nuk ka asnjë lloj juridiksioni në Kroaci dhe asaj, siç kanë theksuar autoritetet kroate, nuk i takon fare të ngrejë padi kundër ushtarakëve të një shteti tjetër. Për më tepër Kroacia dhe Serbia nuk e kanë ekstradimin e shtetasve të tyre. Kështu që çdo lloj padie apo gjyqi antikroat në Serbi është vetëm një shfaqje teatral e qeverisë së Serbisë. Një shfaqje teatrale, që i shërben objektivit politik dhe diplomatik të presidentit të Serbisë për acarime dhe tensione të reja me Kroacinë.
Së treti, presidenti Vuçiç po i shkon me ndërgjegje acarimit të marrëdhënieve politike dhe diplomatike me Kroacinë, megjithëse e din që kjo do të ketë një kosto të rëndë për vetë Serbinë. Autoritetet më të larta kroate i kanë drejtuar presidentit serb mesazhe të qarta se Kroacia nuk do t’i hapë Serbisë dritën jeshile të anëtarësimit në BE, nëse ajo ndërmerr aktet dhe hapat, që sulmojnë të drejtat sovrane të shtetit të Kroacisë dhe cënojnë dinjitetin dhe interesat jetike kroate.
Në 23 gusht ministri i drejtësisë i Kroacisë, Ivan Malenica, deklaroi se “padia serbe mund të jetë një arsye për të bllokuar hyrjen e Serbisë në BE”. Fakti që presidenti Vuçiç është gati ta paguajë çmimin e rëndë të bllokimit të anëtarësimit në BE për hatër një padie idiote antikroate, tregon dy gjëra:
Së pari, që Serbia nuk e ka seriozisht anëtarësimin në BE, dhe së dyti që presidenti Vuçiç është i detyruar nga angazhimet e marra në Kremlin për të avancuar drejt tensioneve dhe konfliktit me shtetin fqinj kroat.
Provokimet e reja antikroate të presidentit Vuçiç janë një skenar i përgatitur me kohë, sepse ai ka urdhëruar ngritjen njera pas tjetrës të padive edhe kundër disa pilotëve kroatë, edhe kundër disa gjeneralëve kroatë, pjesëmarrës në operacionin e sukseshëm çlirimtar “Storm” të gushtit 1995.
Në 18 korrik presidenti Vuçiç tentoi personalisht një provokacion direkt antikroat, duke u përpjekur të hyjë ilegalisht në Kroaci pa njoftuar dhe pa marrë lejen e autoriteteve zyrtare kroate, sepse ai vinte si president i Serbisë për të organizuar ceremoni në ish-kampin e përqendrimit Jasenovac, të ngritur nga nazistët gjermanë gjatë luftës së dytë botërore. Por autoritetet kroate me të drejtë ia ndalua atij hyrjen në Kroaci, duke shmangur provokacionin e presidentit serb të planifikuar për në territorin kroat.
Ka disa motive strategjike të presidentit Vuçiç në organizimin dhe programimin e tensioneve të reja me Kroacinë.
Së pari, presidenti serb po përpiqet që të ngrejë një valë të re të euforisë nacionaliste në qarqet politike, policore dhe ushtarake të Serbisë sipas skemave të zbatuara nga qeveria naziste e Millosheviçit, ku Vuçiçi ka qenë ministër i informacionit. Për këtë qëllim Vuçiçit i duhet të shpërndajë një narrativë të re historike për agresionet e Serbisë në ish-Jugosllavi. I duhet të shtrembërojë të vërtetën e historike diskredituese për Serbinë agresore dhe për të ndërtuar portretin fals të një Serbie viktimë e popujve dhe e shteteve të tjera të Ballkanit.
Ndaj Vuçiç i ka hyrë detit në këmbë për të hedhur në tregun e opinionit publik interpretimet e tij filonaziste për agresionet dhe masakrat masive serbe në Bosnje-Hercegovinë, në Kroaci dhe në Kosovë. Në kuadrin e politikës shtetërore serbe të deformimit të historisë presidenti Vuçiç shpiku edhe paditë ndaj ish- komandantëve të UÇK në Kosovë, e cila mbrojti familjet dhe shtëpiat e tyre dhe bashkë me NATO-n luftuan për të shpëtuar popullin shqiptar të Kosovës nga gjenocidi dhe spastrimi etnik serb.
Në frymën e revizionizmit historik serb dolën dhe akuzat e çuditëshme serbe kundër popullit boshnjak sikur është fajtor për krime ndaj serbëve.
Narrativa e shtrembëruar historike e presidentit Vuçiç synon reabilitimin e politikës kriminale të qeverisë naziste të Millosheviçit dhe forcimin e pushtetit të qarqeve radikale dhe ultranacionaliste serbe. Në këtë klimë filonaziste presidenti Vuçiç po zbaton planin e tij për të riemëruar në pozita kyçe qeveritare, parlamentare, zyrtare dhe administrative kriminelët serbë të kohës së Millosheviçit. Në datën 3 gusht 2022 krimineli i luftës gjenerali Bozidar Deliç, komandat i brigadës së motorrizuar të ushtrisë serbe gjatë agresionit serb në Kosovë në vitin 1999 dhe që akuzohej për vrasje masive të rreth dy mijë banorëve civilë shqiptarë, u zgjodh nënkryetar i parlamentit të Serbisë nga shumica parlamentare e presidentit Vuçiç.
Në datën 26 gusht 2022 zgjidhet anëtar i Këshillit të qytetit të Beogradit një gjeneral tjetër serb kriminel lufte, Svetozar Andriç, i cili si komandant në ushtrinë e “serpska republikës” ka dëbuar me dhunë masivisht banorët boshnjakë nga Zvorniku në vitin 1992 dhe ngriti një kamp përqëndrimi në Shushicë për boshnjakët, ku serbët vranë rreth 2 mijë civilë boshnjakë. Kryetari i bashkisë së Beogradit, Aleksandër Sapiç, që është edhe nënkryetar i partisë SNS me Vuçiçin kryetar, deklaroi në 25 korrik se ai nuk e din për krimet e luftës të gjeneralit nazist Mlladiç, që është dënuar me burgim të përjetëshëm nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë si autori kryesor i masakrës masive të Srebrenicës.
Madje ky zëvendës i Vuçiçit deklaroi se “Mlladiçi ka mbrojtur popullin serb”. Reabilitimi dhe pushteti i ri për figurat kriminale të regjimit të Millosheviçit po organizohet si një strukturë për të konkretizuar politikën e presidentit Vuçiç për revansh dhe konflikte të reja në Ballkanin Perëndimor. Jo rastësisht tensionet e reja po shfaqen si mishërim i ambicjeve dhe rivendikimeve të Serbisë ndaj Kroacisë, Bosnjë-Hercegovinës, Kosovës dhe Malit të Zi.
Natyrisht nuk mund të mendohet se presidenti serb nuk e di që Kroacia nuk është arrë e lehtë për Serbinë, qoftë diplomatikisht, qoftë ekonomikisht, qoftë ushtarakisht. Kroacia nuk është as Bosnjë- Hercegovina, as Mali i Zi dhe dhe as Kosova, ku Serbia mund të shkaktojë trazira lehtësisht. Por presidenti Vuçiç e ka detyrë që të acarojë marrëdhëniet me Kroacinë, sepse është porosi e dhënë nga Kremlini dhe prapa tij në këtë guxim prej budallai të grindjes dhe të tensioneve serbe njëkohësisht me të gjitha shtetet fqinjë, ku shumica janë anëtarë të NATO-s, qendron Rusia.
Moska ka nevojë strategjike tani për ngritjen e tensioneve në gjthë Ballkanin. Ndaj kemi një ofensivë masive të Serbisë për provokimin e tensioneve dhe të konflikteve në Ballkanin Perëndimor.
Nuk janë raste të veçuara këto shpërthime tensionesh nga Serbia në rajon tani. Është një kurs rajonal serb me mbështetje nga Kremlini. Pjesë e tij është histeria luftënxitëse e presidentit Vuçiç ndaj Kosovës, të cilën e ka kërcënuar me luftë tre herë brenda dhjetë muajve me pretekstin e targave. Është vërtet qesharake që presidenti serb nxjerr këtë pretekst, që në fund të fundit është zbatim i reciprocitetit sipas një marrëveshje të nënshkruar nga Serbia me Kosovën qysh në vitin 2011.
Ka shumë të drejtë ambasadori i shquar amerikan në Beograd Kristofer Hill, i cili në këtë rast ironizoi duke deklaruar se është bërë luftë për territore dhe madje edhe për një grua të bukur, por nuk është dëgjuar kurrë të bëhet luftë për targat. Të njejtin kurs po ndjek presidenti serb edhe në Mal të Zi, ku po nxit tensione të reja nëpërmjet kishës ortodokse serbe, ndikimi dhe veprimi antimalazez i së cilës u forcua me marrëveshjen e fshehtë të kryeministrit Abazoviç me kishën ortodokse serbe.
Tensione të reja po nxit Serbia në Bosnjë-Hercegovinë në prag të zgjedhjeve parlamentare atje. Presidenti i Kroacisë Milanoviç deklaroi në 30 gusht se paditë e Serbisë ndaj Kroacisë do të acarojnë marrëdhënet midis kroatëve dhe serbëve në Bosnje- Hercegovinë.
Nuk është rastësi që Rusia po i jep mbështetje të gjërë ofensivës së presidentit serb për tensione të reja me Kroacinë. Portali proqeveritar rus, i specializuar për Ballkanin, “Balkanist.ru” shkruante në 26 gusht se “Serbia nuk e harron tragjedinë ”Storm” dhe midis Beogradit dhe Zagrebit kemi sërish shkendija”. Këto shkëndija dhe zjarri, që mund të vijë pas tyre, i interesojnë strategjikisht Rusisë për krijime tensionesh rajonale dhe për konflikte lokale në Ballkan.
Në kohën që Rusia është e zhytur deri në fyt në moçalin e agresionit të zgjatur në Ukrainë, ka shumë nevojë ta çvendosë vëmendjen perëndimore në Ballkan dhe t’i hapë probleme NATO-s në rajonin tonë. Këtë detyrë po zbaton presidenti Vuçiç dhe Serbia.
Tensionet e reja të Serbisë ndaj Kroacisë nuk kanë shkundur ende vetëm Shqipërinë, qeveria e së cilës është në gjumë dhe sheh ëndrra infantile me presidentin Vuçiç, që do ta çojë Shqipërinë drejt bashkim-vëllazërimit ballkaniko-perëndimor. Ujku po e kafshon gomarin, por qeveria vazhdon të shohë ëndrrën me përqafimin mbytës vëllazëror serb.
Presidenti serb Vuçiç, i cili po kërkon të bëjë holokaust për shqiptarët në Kosovë, ka dashuri për shqiptarët e Shqipërisë, dhe vetëm në Tiranë nuk e kanë kuptuar ende se ajo është vetëm dashuri për detin Adriatik./gazeta dita