Albspirit

Media/News/Publishing

Amba Hysa: Shoqëria jemi ne, duhet t’i ndërrojmë mendësitë e kalbura

Problemet e shoqërisë sonë i kanë rrënjët shumë thellë. Duhet t’i shkulim rrënjët, mendësitë e vjetra të cilat trashëgohen dhe serviren ende sikur të ishin të freskëta. Ngjarjet që trondisin opinionin publik janë makabre, sa vijnë dhe thellohen dhe Shqipëria jonë e bukur zhvishet nga fasadat dhe zbulon skutat e saj më të errëta, që janë të shëmtuara sepse kanë lindur nga mendësi të kalbura. Përdhunuesit, kriminelët potencialë janë kudo rreth nesh. Ata janë brumosur në familje. Ata nuk kanë ndjerë dashuri asnjëherë, ose janë dashur nga nëna që nuk kanë mundur të mësojnë respektin e dashurinë ndaj vetes. Janë shumë larg konceptit të respektit, për të kuptuar lirinë që ka një vajzë apo grua për t’u veshur, për t’u shprehur, për të jetuar siç dëshiron. Por nuk mund të ndalem kaq cekët. Kriminelët potencialë nuk lindin, ata krijohen. Njerëz me zero empati, zero ndjeshmëri, injorancë të thellë, ulërijnë në rrjete sociale… por ne i evidentojmë vetëm kur është shumë vonë dhe i harrojmë përsëri pas tre ditësh. Kjo shoqëri është e sëmurë, sa vjen dhe më shumë sëmuret. Për aq kohë sa ne përcjellim si vlerë dhe promovojmë agresionin në muzikë, tekste këngësh, filma, “art”, do të prodhojmë vetëm egocentrizëm, dhunë, injorancë çnjerëzore, dhimbje.
Ne i mbyllim sytë çdo ditë, mbyllim dyert me çelës ama kriminelët janë kudo. Fshihen pas celularëve të fëmijëve tanë, jo rrallë fshihen pas përparëses së kujdestarëve, edukatorëve, drejtorëve etj. Sepse ne kemi dështuar në sistemin arsimor ashtu si në çdo hallkë të këtij zinxhiri të kalbur i cili nuk ndryshon me një parti politike të re, por me një mendësi të re, ndryshon vetëm kur të ndërrohen njerëzit.
Për sa kohë u mësojmë fëmijëve në shkolla, përpara vlerave  morale dhe  njerëzore, sesi të shumëzojnë dhe të pjesëtojnë, duke i nxitur, presionuar, bullizuar të mësojnë sa më shpejt, se mos ia kalojë dikush tjetër, përsa i edukojmë fëmijët dhe i brumosim të ndjejnë zili, përsa kohë ne i krahasojmë dhe nuk përpiqemi ti kuptojmë e ti edukojmë me vlera, asgjë nuk do të ndryshojë. Fëmijët tanë do të mësojnë në shkollë, do të “rriten vetë”, do të na i rrisë shoqëria, do të jenë më të mirët e klasës padiskutim, do të mësojnë të ia kthejnë shpullën shokut që i godet, do të mësojnë, të mos rrijnë me goca se është “turp” dhe çunat rrijnë me çuna.
Por për sa kohë ata nuk shkojnë asnjë ditë në shkollë pa detyrat e shtëpisë, përsa mësojnë “t’i dalin zot vetes” , çdo gjë është “OK”… dhe ne do të vazhdojmë të ulemi përpara televizorit me telekomandë në dorë për t’u shokuar përpara një tjetër kronike të zezë.
Please follow and like us: