Albspirit

Media/News/Publishing

Menada Petro: Mbi lojërat e fatit në Shqipëri

Ka prodhuar “habi” dhe debate ideja e qeverisë për rikthimin e lojrave të fatit…

Por pavarësisht se ato janë shkaku i një zinxhiri problemesh sociale, janë një burim shumë i mirë të ardhurash për shtetin. Problemi qëndron, nëse do të dimë të ndërtojmë dhe menaxhojmë një sistem të ndërthurur dhe funksional. Thuhet që të ardhurat do të shkojnë vetëm për sportin dhe artin. TOTALISHT GABIM dhe ABSOLUTISHT KUNDËR. Të ardhurat duhet të shkojnë për investime në përmirësimin e cilesisë së jetës dhe nxitjen e politikave sociale frytdhënëse dhe ndihmëse. Por si mund të ndërtohet ky sistem? Mjafton të njohim dhe ndjekim modelin e Holandës, të cilin personalisht e kam shumë për zemër.

  1. Anëtarësimi i të gjithë lojtarëve nëpërmjet kartave të lëshuara nga kompania me një numër identifikues. Pra krijimi i profilit të lojtarit i cili duhet të përmbajë të dhëna personale, familjen, moshën, numrin e fëmijëve, punën, pagën mujore, burimin e të ardhurave si dhe shumën e parave të caktuar nga vetë individi që dëshiron të luajë në një muaj, por pa cenuar shumën që i duhet për të ushqyer fëmijët. Këto të dhëna, duhet të jenë rreptësisht të ruajtura nga kompania. Në momentin që lojtari i afrohet kufirit të caktuar nga vetë ai, sistemi duhet ta sinjalizojë dhe në momentin që arrihet kufiri, sistemi nuk duhet të lejojë që lojtari të vazhdojë lojën.
  2. Ngritja e një zyre, qoftë dhe linje telefonike funksionale në shërbim të familjarëve, nëse nga familjarët e lojtarit ka një denoncim për përkeqësim të situatës në familje, lënien e fëmijëve pa bukë, apo të tjera më të rënda, lojtari duhet të përjashtohet, për një periudhë të caktuar (3 muaj deri në 1 vit) nga të gjitha pikat dhe nga të gjitha kompanitë. Pra identifikimi i lojtarëve është qark i mbyllur në të gjitha kompanitë.
  3. Taksat dhe tatimi, nuk mund të jetë i njëjtë si për bizneset e tjera. Ky është një biznes që gjeneron probleme në shoqëri dhe shpesh të pakthyeshme. Për këtë arsye kompanitë duhet të tatohen mbi bazën e numrit të lojtarëve të regjistruar dhe për çdo lojtar duhet të paguhet një % e caktuar në formën e pensionit apo të “dëmshpërblimit” për lojtarët që nga loja mund të humbin vendin e punës dhe si pasojë rrezikojnë familjen. Një % tjetër e konsiderueshme duhet të shkojë për ngritjen e qendrave të ndihmës, kur lojtarët fillojnë dhe bëhen të varur dhe ku të punojnë individë të specializuar për dhënien e ndihmës, si dhe për ngritjen e institucioneve të rehabilitimit, kur lojtarët kalojnë në stadin e lojtarëve pathologjik. Në fund % që mbetet, pra pjesa më e vogël i kalon shtetit për shërbime apo politika të tjera sociale, duke pasur parasysh që lojrat e fatit mund të shkaktojnë, rënie të rendimentit në punë, humbje të saj, braktisje të shkollës, divorce, rritje të varfërisë, individë të varur, përdorim më të madh të alkoolit dhe duhanit, zhvillim më të madh të krimit, etj.
  4. Në asnjë mënyrë nuk duhet të punojnë apo të luajnë persona nën moshen 25 vjeç. Kurrë nuk duhet harruar, se lojrat e fatit, janë një industri që nuk prodhojnë të ardhura, ato vetëm bëjnë një rishpërndarje të tyre duke grumbulluar të ardhurat në duart e një grupi të vogël njerëzish. Nga të pasurit tek të pasurit e tjerë, duke i kthyer gradualisht të parët në të varfër, por lojtarët e shtresës së mesme apo të varfër, i fundos për gjithë jetën.
Please follow and like us: