Albspirit

Media/News/Publishing

Sonila Meço: In vino veritas

Kryeministri i Shqipërisë në Beograd, në një panair verërash paska deklaruar:
“Më duhet të flas në gjuhën time të çuditshme sepse nuk e njoh gjuhën tuaj të çuditshme. Para se të vija këtu shikoja pak fjalën që më kishte përgatitur ekipi im edhe vendosa që të mos e përdor sepse fillonte me shprehjen që ne në Shqipëri kemi krijuar verën e parë në Ballkan që në epokën e bronxit. Unë nuk e di sa e vërtetë është kjo, por di gjë kemi humbur shumë kohë duke u përpjekur për t’i treguar njërit-tjetrit se kush është më i pari, kush është më i vjetri, kush e ka marrë të drejtën i pari që të jetojë në këtë vend. Por një gjë e kemi mësuar që asnjë prej nesh nuk do të shkojë në vend tjetër. Të gjitha vendet tona këtu do të jenë të qëndrojnë edhe shumë vite dhe shekuj pas nesh dhe zgjedhja jonë është shumë e thjeshtë si të qëndrojmë këtu në këtë vend duke qenë të gjithë së bashku në të njëjtën lagje të Europës duke u përpjekur që të bëjmë këtë lagje më të jetueshme dhe paqësore për njerëzit tanë, apo duke hedhur gurë mbi tjegullat e njëri-tjetrit dhe duke i vënë flakën siç kemi bërë për shumë vite”.
1. Shqipja nuk mund të jetë një kategori gjuhësore me atë sllave “e çuditshme” siç e përcakton kryeministri. Shqipja nuk bën pjesë në grupin e gjuhëve sllave, si bullgarishtja e serbishtja, as në ndonjë grup me gjuhët e fqinjëve, psh greqishtja. Gjuha shqipe është E VEÇANTË, sepse është një degë e veçantë brenda trungut të familjes indoeuropiane. Si një motërz pa motra.
2. Në fakt kryeministri e nisi fjalën me atë që i kish shkruar ekipi i tij në fjalimin e parapërgatitur (edhe pse s’donte), thjesht pati nevojën të deklarojë publikisht se edhe pse nuk është ekspert t’ia di vërtetësinë, ai nuk do ta pranojë hiç (pra edhe në qoftë e vërtetë se në Shqipëri kemi krijuar verën e parë në epokën e bronxit).
3. Ne nuk kemi humbur kohë për të treguar se kush është i pari a më i vjetri në këto toka. Kjo gjë është vërtetuar tashmë shkencërisht e historikisht. E dinë edhe ata të audiencës së kryeministrit që dyshon të vërtetat historike. Por, ne kemi humbur kohë duke i dhënë shanse e mundësi një agresori të vijojë të kërcënojë paqen e brishtë rajonale dhe Kosovën, të mos e njohë si shtet, të mos kërkojë ndjesë për viktimat e luftës, të sabotojë forcimin e faktorit shqiptar në rajon.
4. “Asnjë prej nesh nuk do të shkojë në vend tjetër”, thotë kryeministri i vendit nga ku në qeverisjen e tij janë larguar rreth 500,000 shqiptarë dhe kryesojmë sondazhet rajonale me dëshirën më të madhe për të ikur, por edhe listat e azilkërkuesve, sidomos moshat e reja. Shqiptarët ikin. Ndoshta e ka për truallin kryeministri? Po edhe atë për pak e ndanë dy vjet më parë, për t’i kaluar tokë shqiptare Serbisë. Nuk di sa luftoi kundër kësaj ideje kryeministri. Ndoshta ka luftuar kundër shkëmbimit të territoreve, ndoshta…
5. “Të jetojmë bashkë paqësisht në këtë lagje të Europës”, thotë kryeministri. Mirëpo vetë kryeministri po mbështet një nismë si ‘Ballkani i Hapur’, që po gjithpranohet edhe nga dikur mbështetësit e tij përtej Atlantikut se i shërben interesave ruse dhe serbe. Rusia sot është në luftë. Europa, në lagjen e së cilës do të jetojmë paqësisht kryeministri i ka vënë sanksione. Serbia jo. Serbia në preambulën e saj e ka ende Kosovën. Rusia e përdor si casus belli Kosovën kur do të aneksojë toka në Ukrainë. Paqe vallaj.
6. Kemi hedhur ne gurë në tjegullat e tjetrit? I kemi vënë flakën Serbisë? Se kështu thotë kryeministri. Me ç’di ia vuri NATO për arsye të ndaljes së spastrimit etnik të shqiptarëve, ndaljen e sulmeve të ushtrisë jugosllave ndaj shqiptarëve në Kosovë dhe jetësimin e pavarësisë së kësaj të fundit.
Si deklaratë në panair pijesh alkoolike edhe mund të justifikohen pasaktësitë e kryeministrit, por proverbi i famshëm thotë: ”In vino veritas”.
Please follow and like us: