Albspirit

Media/News/Publishing

Merlin Tushe: Mbresa nga takimi me Gorbaçevin në Romë

Bota i dha lamtumirën Presidentit të fundit të Bashkimit Sovietik Mikhail Sergeyevich Gorbachev, por edhe unë ruaj kujtime të veçanta nga një takim me të.

Shtatori i vitit 2000 më gjeti studente të Shkencave Politike në Universitetin “La Sapienza” në Romë. Ishte një degë që më tërhiqte. Gjyshin e kisha patur ish-të dënuar politik në Shqipëri. Ai përveç gjuhëve të huaja që zotëronte, pasion kishte edhe politikën e jashtme. BBC dhe Zëri i Amerikës ishin radiot që dëgjoheshin në fshehtësi në shtëpinë tonë.

Gjuhën italiane pata fatin ta mësoj nga gjyshi im, qysh në klasën e parë fillore. Kur më shoqëronte për në shkollë çdo mëngjes, më fliste vetëm italisht. Kishim bërë një “marrëveshje” që ai nuk do të më përgjigjej nëse unë ja ktheja në shqip. “Non ti rispondo, se mi parli in Albanese” më thoshte. Pasi unë e riformuloja mendimin në italisht, vija re se ai i përgëzonte dhe vlerësonte përpjekjet e mia. Shpesh më përmendte “Njohja e një gjuhe të huaj është një universitet më vete.”

Vite më vonë, pasi fitova konkursin e gjuhës në Ambasadën Italiane në Tiranë dhe atë të pranimit në Universitetin “La Sapienza” në Romë, mu dha e drejta e studimit pranë këtij universiteti, si një ndër më të njohurit në Europë.

Ato ditë vjeshte, në një audiencë me politikanë të rinj, studentë nga e gjithë bota, do të organizohej në Romë një takim me Mikhail Gorbachev. Detyra e përkthyeses për gjuhët italiane e angleze, m’u besua mua, të cilën e pranova me vetëbesim.

Pas përfundimit të konferencës opinionet e përshtypjet në adresën time ishin pozitive. Dhe vërtetë, megjithëse isha tepër e re, arrita të përballoj me sukses rolin e përkthyeses simultane.

Aty pata rastin të takoj nga afër e t’i shtrëngoj dorën liderit rus. I tregova se vij nga Shqipëria e vogël, por e madhe njëkohësisht! Për sa folëm më dëgjoi me vëmendje.

Ruaj konsideratën time për liderin historik Mikhail Gorbachev, fitues i Çmimit “Nobel” për Paqen, i cili edhe pse u rrit nën regjimin e Stalinit, kishte pikëpamje progresiste e largpamëse për politikën botërore. Falë tij, iu dha fund Luftës së Ftohtë pa gjakderdhje – arriti marrëveshje e partnershipe me SHBA e fuqitë perëndimore që sollën rënien e Perdes së Hekurt, e më pas riunifikimin e Gjermanisë.

Please follow and like us: