Ardi Veliu prezantohet si Drejtori i ri i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore
Pas një përvoje të gjatë menaxheriale në strukturat e Policisë së Shtetit, si dhe detyrës si zv.ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Ardi Veliu, është prezantuar sot si Drejtori i ri i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore. Sipas njoftimit për shtyp, Veliu zëvendëson në këtë funksion Muhamet Rrumbullakun.
“Ish-Drejtori Rrumbullaku drejtoi Agjencinë me rezultate të larta në një proces reformimi, duke u shndërruar në një strukturë më civile në ushtrimin e kontrollit dhe mbikëqyrjen e Policisë së Shtetit, Gardën e Republikës dhe Shërbimin Zjarrfikës. Falë punës këmbëngulëse dhe intensive të AMP nën drejtimin e z. Rrumbullaku, Agjencia ka kaluar përmes një procesi transformues duke u shndëruar në pararojë e zbatimit të ligjit në kuadrin e goditjes së fenomeneve negative si paligjshmëria dhe korrupsioni në rradhët e punonjësve të Policisë së Shtetit.”,- thuhet në njoftim.
Në deklaratën e shpërndarë për mediat theksohet se rezultatet e arritura nga AMP gjatë kësaj periudhe, e kanë bërë Agjencinë një nga institucionet më të mbështetura nga publiku sa i përket reagueshmërisë dhe zbatimit të ligjit.
“Drejtor Veliu, u angazhua për vijimin e punës, në thellimin e reformave të nisura”, thuhet në njoftimin për shtyp.
/rtsh.al/