Albspirit

Media/News/Publishing

Kryetari i Qendrës për Ndikimin Hebre, Robert Singer: Shqipëria, shembull në botë për mbështetjen ndaj Izraelit

Nga Aurora GolemiNews 24

Kryetari i Qendrës për Ndikimin Hebre, zoti Robert Singer, në një intervistë për News 24, tha se Shqipëria është një vend unik në botë, që udhëheq me shembullin e saj për mbështetjen që i ka dhënë Izraelit por edhe me një ndër vlerat me të veçanta që ka: Harmoninë fetare! E për këtë shqiptarët duhet të jenë krenarë dhe ta mbajnë këtë vlerë si thesar! Singer tha se shumë të rinj hebrenj europianë sot, nuk ndihen më të lirë dhe të sigurt kur ecin rrugëve të Europës dhe duan të emigrojnë por në qytetet shqiptare komuniteti i vogël hebre ndihet i sigurt ndryshe nga çfarë ndodh në Europë. Ai shtoi se ky komunitet është integruar 100% në shoqërinë shqiptare dhe kjo ja mbush zemrën me gëzim. Ndiqni intervistën dhënë për gazetaren e News 24, Aurora Golemi.

 

 ***

Intervista me zotin Robert Singer, kryetarin e Qendrës për Ndikimin Hebre

 – Zoti Singer, ju falenderoj që pranuat ftesën për të folur për televizionin Neës 24, është kënaqësi që ju kemi këtu sot…

Robert Singer: Është kënaqësi dhe për mua Aurora! Faleminderit që me keni ftuar.

– Zoti Singer, cili është qëllimi i vizitës suaj në Shqipëri?

 Robert Singer:Qëllimi kryesor i vizitës sime është për t’ju thënë faleminderit. Duam që t’ju falenderojmë për gjithçka që lidh të dy kombet tona, shqiptaret dhe hebrenjtë. Por edhe për gjithçka që ju keni bërë në momente të ndryshme të historisë, por në veçanti gjatë luftës së Dytë Botërore. Gjithashtu para një viti e gjysmë Parlamenti shqiptar, organizoi një forum Ballkanik, i cili është bërë tashmë mjaft i famshëm për të luftuar antisemitizmin. Në fakt ishte një aktivitet mjaft fantastik, i cili u ndoq në kohë reale nga 30 milion teleshikues. Kjo pra është arsyeja që unë kam ardhur, për t’ju thënë faleminderit!

– Vendet tona kanë qenë partnerë në tregti për një kohë të gjatë. Një pjesë e madhe e tregtisë është përqendruar tek  siguria, energjia dhe uji. Si e shikoni perspektivën në të ardhmen?

Robert Singer:Në fakt ne kemi një bashkëpunim vërtetë fantastik ndërmjet popujve tanë. Këtë e kam dëgjuar përgjatë gjithë ditës në takimet që unë kam pasur. Pra, ne kemi marrëdhënie të shkëlqyera. Janë edhe disa marrëveshje dypaleshe, të cilat janë nënshkruara mes Shqipërisë dhe Izraelit. Ne, në Izrael kemi një sektor mjaft të avancuar të teknologjisë më të fundit që ekziston, dhe jam i sigurt që shumë nga këta sektorë që ju përmendët do të bëhen pjesë e bashkëpunimit tonë në të ardhmen.

 -Zoti Singer, ju jeni Kryetari i Qendrës për Ndikimin Hebre. Mund ta na tregoni më shumë rreth qendrës që drejtoni?

 Robert Singer: Qendra është krijuar para një viti e gjysmë. Është tashmë një qendër mjaft e rëndësishme,  pasi ne bashkëpunojmë me organizata ndërkombëtare si dhe me misione të ndryshme diplomatike qofshin këto edhe organizata ndërkombëtare në Izrael, agjenci të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Qendra jonë ka bashkëpunime edhe me shoqërinë civile, ne organizojmë aktivitete të ndryshme për komunitetin diplomatik në Izrael. Kam kënaqësinë tu them se ambasadori i Shqipërisë në Izrael po bën një punë vërtetë fantastike dhe është në qendër të këtyre aktiviteteve, të cilat organizohen shpesh.

-Si i promovon kjo qendër marrëdhëniet diplomatike dhe kulturore ndërmjet Izraelit dhe Shqipërisë?

Robert Singer:Në fakt, qendra do të fillojë të promovojë marrëdhëniet tona pasi ky është një nga qëllimet kryesore dhe të vizitës sime në Shqipëri. Shqipëria në fakt ka një ambasadore të shkëlqyer, edhe në komunitetin botëror të hebrenjve. Ajo është zonja Valentina Leskaj, Zonja Leskaj e përfaqëson Shqipërinëpasi është Ambasadore e Posaçme e Shqiperise per antisemitizmin. Kam pasur kënaqësinë që bashkë me të, të isha në takime bashkë me ministren e Arsimit, me nënkryetarin e Bashkisë së Tiranës, me ministren për Rininë, do të kemi takim edhe me rektorin e Universitetit të Tiranës, si edhe takime në Ministrinë e Punëve të Jashtme si dhe me institucione të tjera. Besoj dhe jam i sigurt se të gjitha këto takime, do të krijojnë vërtetë themelin e duhur të kësaj pune promovuese që ne do të vazhdojmë të bëjmë edhe në të ardhmen.

 -Ju thatë se misioni juaj është afrimi i vendeve tona? Si po planifikoni ta vini në jetë atë mision?

Robert Singer:Në fakt synimi është që ne jo vetëm t’i kemi më pranë vendet tona,por që edhe popujt tanë të jenë më afër njëri-tjetrit. Kjo ka qenë pjesë e misionit të vizitës sime. Unë jam shumë i kënaqur me takimin që pata me ministren e Arsimit zonjën Evis Kushi. Ne biseduam për idenë që studentëve apo delegacioneve  tu ofrohet mundësia që të shkëmbejmë përvojat. Shqipëria është vërtetë një vend unik, e them këtë pasi Shqipëria në kurrikulën e vet mësimore ka tashmë në një pjesë të leksioneve, pjesë të veçanta nga historia e hebrenjve  dhe të vendit tonë. Në këto pjesë tregohet se cila është historia jonë, se çfarë ka ndodhur gjatë Holokaustit në këtë rajon. Mendoj se janë shumë pozitive për të na sjellë më afër si dy kombe. Në fakt Shqipëria është vërtetë vend i veçantë. Unë gjatë gjithë jetës sime kam udhëtuar shumë, kam vizituar pothuajse të gjitha vendet e botës. Ajo që ndodh shpesh është që ti shkon në një vend shumë të bukur,  por që njerëzit nuk janë aq të mirë. Ose janë njerëzit të mirë por vetë natyra e atij vendi që t’i viziton nuk është aq i bukur. Ndërkohë që Shqipëria nuk është vend i tillë. Shqipëria është vërtetë vend shumë i bukur, një vend i mrekullueshëm, populli shqiptar është i mrekullueshëm. Ndaj shpresoj që pas kësaj vizite Shqipërinë ta vizitojnë më shumë izraelitë.

-Le të përmendim studentët, e di që ka një marrëveshje mes dy universiteteve, universitetit Bar-Ilan dhe atij të Tiranës?

Robert Singer:  Po është e vërtetë është nënshkruar kjo marrëveshje mes universitetit të Tiranës dhe universitetit Bar-Ilan, i cili është një nga universitetet më të mira në vendin tonë. E di që gjatë muajve në vijim ata do të kenë edhe shkëmbime akademike, do të organizohet edhe një konferencë  shumë e rëndësishme sa i përket luftës kundër antisemitizimit. Të gjitha këto e bëjnë Shqipërinë një vend që udhëheq në këtë çështje.

-Por sa shqiptare do të përfitojnë nga Qendra Për Ndikimin Hebre në të ardhmen?

 Robert Singer: Në fakt jo vetëm shqiptarët por edhe hebrenjtë do të përfitojnë. Pikërisht përmes qendrës shpresojmë që në Izrael do të mësohet më shumë për Shqipërinë, i gjithë komuniteti i hebrenjve do të mësojë edhe në sajë të  punës që do të vijojë të bëjë qendra për ndikimin hebre, për luftën kundra antisemitizimit.

Për shembull ne kemi të bëjmë me më shumë se 500 Organizata Jo Qeveritare, qofshin këto myslimane, të krishtera, hebre. Unë besoj se do të përfitojnë të gjitha palët. Madje mund të them se jo vetëm shqiptarët do të përfitojnë nga ky ekspozim por edhe ne hebrenjtë, pasi në do të mësojmë më shumë për vendin tuaj të mrekullueshëm, për historinë e kombit tuaj. E në këtë mënyrë të dyja palët do të përfitojnë.

– Ju keni lindur në Ukrainë, e më pas keni emigruar në Izrael në moshën 15- vjeçare. Keni shërbyer në Forcat e Armatosura Izraelite dhe latë ushtrinë në gradën e nënkolonelit, keni shërbyer në zyrën e Kryeministrit Izraelit në poste të larta si këshilltar. Si ndiheni kur shikoni këtë luftë të tmerrshme në zemër të Europës.

 Robert Singer: Mendoj se 80 vjet pas Luftës së Dytë Botërore, ne e shikojmë veten sërish në një situatë të tillë. Në një situatë në të cilën 15 milionë persona janë shpërngulur, disa brenda Ukrainës, e të tjerë jashtë saj. Prandaj secili prej nesh duhet të bëjë më të mirën e mundshme për të ndihmuar së pari në aspektin e ndihmës humanitare, pjesë që në fakt po e bëjmë edhe ne me organizatat tona.  Por megjithatë pjesa tjetër është që duhet të bëhet e pamundura që t’i jepet fund kësaj lufte, në mënyrë që paqja të rikthehet në atë vend kaq të bukur të Europës.

– Edhe presidenti i Ukrainës, Zelenski është hebre. Si e shikoni lidershpin e tij dhe a mendoni se Izraeli duhet të ndihmojë më shumë Ukrainën?

 Robert Singer: Në fakt nuk  mendoj se përkatësia e zotit Zelenski është e rëndësishme, pra nëse ai është hebre apo jo. E rëndësishme është që ai është Presidenti i zgjedhur i Ukrainës, ai përfaqëson Ukrainën dhe popullin e tij. Izraeli po ndihmon në mënyrën me të mirë të mundshme. Ajo çka mund të bëjnë shtetet e vogla si vendi ynë është që të ndihmojnë përmes ndihmës humanitare. Mund t’ju them se një spital izraelit është hapur në Ukrainën perëndimore, gjithashtu ne kemi ndihmuar qytetarët aty. Kemi pritur dhjetëra mijëra refugjatë ukrainas, të cilët kanë ardhur në Izrael. Disa prej tyre dëshirojnë të qëndron ë gjatë, por të tjera do të kthehen në Atdhe.

 – Sa e rëndësishme është për Qendrën për Ndikimin Hebre, të mbajë lidhjet me diasporën hebreje?

 Robert Singer: Mendoj se është kritike, gjatë dy ditëve të shkuara në takimet që kam zhvilluar me zyrtarë shqiptarë, ne kemi biseduar pikërisht për këtë gjë, për ngjashmërinë mes diasporës sonë dhe diasporës shqiptare. Mënyra sesi Izraeli e shikon diasporën  është se ne jemi përgjegjës për jetën e çdo izraeliti kudo që ndodhet, e çdo hebreu kudo që ndodhet në botë. Prandaj për ne nuk ka rëndësi sesa e madhe apo e vogël është një komunitet me hebrenj. Ne gjatë këtyre ditëve kemi pasur takime me komunitetin e vogël hebre këtu në Shqipëri, takuam kryetarin AmosDajaka dhe në fakt është një komunitet vërtetë i vogël. Ishte kënaqësi takimi me ta se nga njëra anë ata janë qytetarë të Shqipërisë, ndjehen shqiptarë 100%, por janë edhe hebre dhe kanë lidhje shumë të forta me Izraelin. Madje disa prej familjarëve të tyre janë në Izrael, ndërkohë që pjesa tjetër e familjes ndodhet në Shqipëri. Pra për ne,  diaspora është një pjesë përbërëse, integrale e punës sonë në të ardhmen. Ne këtu e shikojmë veten, për çdo anëtar të komunitetit hebre, që është shumë i rëndësishëm për shtetin e Izraelit.

 – Në vendin tonë ka një komunitet hebre, thatë që është i vogël, keni të dhëna sesa janë?

 Robert Singer: Në fakt nuk e di numrin e saktë të komunitetit hebre këtu në Shqipëri, e di që nuk janë të shumtë në numër. Megjithatë historia e komunitetit hebre  në vendin tuaj, është një histori shumë shekullore. Në fakt fillimet e saj arrijnë në shekullin e V të erës sonë, e di që ka shumë rrugë në Shqipëri, të cilat quhen rrugët e hebrenjve, e di gjithashtu që qeveria shqiptare ka ndërmarrë një iniciativë për të ndërtuar së shpejti muzeumin e historisë hebreje. Është një shembull i rëndësishëm por më e rëndësishme mbi të gjitha është që komuniteti hebre jo vetëm që ndodhet në Shqipëri, jo vetëm që ekziston, por ka një jetë të plotë këtu, për me tepër unë shpresoj së shpejti ata do të kenë qendrën e tyre në mënyrë që të kenë mundësi që të mirëpresin  dhe përfaqësues të besimeve të tjera. Siç e përmenda unë u takova me ta, dhe e pata atë ndjesi më thanë se ndihen komplet të integruar këtu në Shqipëri, kjo ma mbushi zemrën plotë. Është shumë e rëndësishme pasi është historia e Shqipërisë dhe e kombit shqiptar që tregon se sa në harmoni të plotë janë marrëdhëniet ndërmjet besimeve të ndryshme dhe bashkekzistenca këtu në Shqipëri, që në fakt e bën vendin tuaj një shembull për gjithë botën.

 -Gjatë një  forumi virtual vitin e kaluar me Koordinatoren e Komisionit Evropian për Luftimin e Antisemitizmit ju përmendët se hebrenjtë evropianë nuk janë më të sigurt kur ecin rrugëve te Evropës. Gjithashtu, lexova disa statistika nga organizata të ndryshme ku thuhej se shumë të rinj hebrenj evropianë nuk ndihen më të sigurt dhe kërkojnë të emigrojnë… ata thanë se antisemitizmi ishte një problem real në shtetet e tyre. Si është adresuar kjo çështje?

 Robert Singer:Së pari ky është një problem vërtetë madhor, që sërish 80 vjet pas Luftës së Dytë Botërore, hebrenjtë në disa qytete të Europës, nuk kanë mundësi që të ecin në rrugë të lirë apo të sigurt. Në fakt jam shumë i kënaqur që këtu kjo nuk ndodh në asnjë  nga qytetet e Shqipërisë. Si mund të arrihet kjo? Kjo mund të arrihet së pari me punën e politikave të duhura, me legjislacionin e duhur që miratohen nga Kuvendi, po ashtu edhe me zbatimin e duhur të ligjit, si edhe me faktin që duhen kontrolluar deri në një farë mase rrjetet sociale, të cilat krijojnë inflacion me lajme që nuk janë lajmet e duhura. Pra dhe vetë fakti që ne po flasim për këtë çështje  sot tregon që në vetvete është problem. Fatkeqësisht unë nuk besoj se ne do të arrijmë ta zgjidhim ndonjëherë këtë problem tërësisht. Në lidhje me këtë çështje Shqipëria vijon të mbetet një shembull vërtetë unik. Më lejoni të them këtë, dëshiroj tu them të gjithë qytetarëve shqiptarë: Vendi juaj është jo vetëm unik, por është një vend për të cilin ju duhet të jeni krenar, shpresoj që ju të vijoni të jeni të tillë edhe në të ardhmen , të jeni një shembull i vlerave të tolerancës dhe i vlerave të  harmonisë që ju keni këtu në Shqipëri , është një vlerë që ju e keni të rëndësishme edhe në axhendën e vendit tuaj. Ju lutem mbajini këto vlera si thesar, mos i lini ato të shkojnë pasi janë vlera për të cilat ju duhet të jeni krenar dhe që duhet t’i ruani me fanatizëm.

-Si po e lufton Bashkimi Evropian antisemitizmin? Si është angazhimi i tyre deri tani? Cilat janë sfidat?

 Robert Singer: Së pari dëshiroj të them se Bashkimi Europian e ka marrë shumë seriozisht këtë çështje, dhe këtë e them me siguri për faktin se përpara 6 muajsh, Bashkimi Europian miratoi një raport të posaçëm së bashku me planin e vet të veprimit në lidhje me luftën kundër antisemitizmit. Nuk ka qenë rasti në të shkuarën por ajo që pamë këtë herë ishte që  raporti i posaçëm bashke me planin e veprimit u miratua nga të gjitha shtetet anëtare te Bashkimit Europian, por jo vetëm kaq është buxhetuar krejtësisht si plan veprimi dhe është buxhetuar  të gjitha agjencitë të cilat do të jenë operacionale për të dhënë kontributin e tyre. Pra unë jam shumë optimist për atë që BE po bën sot së bashku me qeveritë vendore për të luftuar antisemitizimin pasi kjo siç e përmenda edhe më parë nuk është një luftë të cilën ne do ta përfundojmë gjatë kohës që ne do ta përfundojmë, përkundrazi është një luftë për të cilën duhet të japim maksimumin tonë, duhet të luftojmë sot sepse shpesh antisemitizmi ose  lufta kundra të tjerëve fillon me hebrenjtë, por nuk përfundon me ta. Vetëm fillon me ta por  vijon me të tjerët. Ne duhet të mendojmë cila do të jetë Europa e viti 2022 por Europa e viteve të tjera. Fakti që ka hebrenj që nuk ndihen të sigurte në zemër të Europës, fakti që familjet e tyre kanë jetuar për qindra vjet  në ato qytete, kanë dhënë një kontribut tejet të madh në fushat e mjekësisë, së kulturës, në shkencë. Ndërkohë ata duhet të vendosin sot nëse do të jetojnë aty ku janë apo do të lëvizin. Dhe kjo vetëm e vetëm për arsyen se janë hebrenj. Fakti që kjo ndodh sot na bën që të mendojmë. Megjithatë unë mendoj se Bashkimi Europian, është shumë serioz për ta adresuar këtë çështje. Do kisha dashur shumë që të kishte qene po kaq serioz edhe përpara 10 viteve  kur këto probleme filluan të dilnin në pah. Mendoj se jemi ne rrugën e duhur…Vetë fakti që ne patëm ish sekretarin e shtetit zotin Mike Pompeo, apo presidentin e Parlamentit Europian. Liderë të shteteve europiane të cilët morën pjesë në forumin e parë Ballkanik të antisemitizmit, flet ne vetmeve për rëndësinë qe ata i japin kësaj çështje, tregon qe disa nga udhëheqësit më me peshë  të botës po mendojnë sesi duhet vepruar ne mënyrën me të mirë të mundshme sesi duhet te luftuar  antisemitizimi por dhe urrejtja ne përgjithësi, mendoj se  ka shumë qeveri tashme qe këtë çështje e kanë marrë seriozisht.

-Shqipëria jo vetëm që mbrojti komunitetin hebre gjatë Luftës së Dytë Botërore, por edhe ata që kërkuan strehim gjatë luftës… Jemi krenarë që vendi ynë dha një shembull të pashoq. Në vitin 2020, Shqipëria miratoi zyrtarisht përkufizimin e Aleancës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit për antisemitizmin, duke e bërë atë vendin e parë me shumicë myslimane që pranoi formulimin dhe premtoi  për të luftuar paragjykimet anti-hebre. Cili është mendimi juaj për këtë vendim historik?

Robert Singer: Gjëja e parë që më vjen në mendje është për t’ju thënë edhe njëherë faleminderit, ky nuk ishte një hap i lehtë për tu ndërmarrë pasi kërkonte udhëheqje të fortë e serioze. Ishte deputeti zoti Taulant Balla i cili e udhëhoqi këtë nismë. Ne e vlerësojmë së tepërmi, por jo vetëm nismën në vetvete, pra deklaratën por dhe hapat konkret dhe praktikë të cilat u shprehën. Fakti që në tashmë kemi akademinë e shkencave të Shqipërisë që e ka pranuar përkufizimin , po ashtu edhe bashkia e Tiranës, universiteti i Tiranës,ka edhe universitete dhe qytete te tjera qe po ndjekin pikërisht këtë nismë. Shpresojmë shumë se ajo do të përqafohet  më tej edhe nga vendet e tjera të Ballkanit, që Shqipëria të bëhet shembull për ketë. Të zgjerohet edhe ne vendet e Ballkanit Perëndimor, të shkojë edhe me tej. Besoj se kjo do të ndihmojë jo vetëm qytetarët shqiptarë, por edhe komunitetin hebre kudo që ai ndodhet.

Please follow and like us: