Albspirit

Media/News/Publishing

Senad Guraziu: Ngutuni, hapni dhe ju një Youtube!

(ja një ishull që nuk ekzistonte në hartat e youtube, pa hë… të shohim cili Kruzo e paska zaptuar, cili Robin, cila Robina, vallë ç’do ketë mbledhur në shportën e vet)

https://youtu.be/x5IHCM8cc8c

…shans për t’i dëgjuar muzikat e mia (privilegj i madh), mbrëmë hapa një kanal në youtube – sipas meje e gjithë bota kanë video-kanal vetëm unë jo, në njëfarë mënyre e pafalshme kjo, edhe pak e mbaron shek. XXI fillon XXII, turp pa youtube – madje ndokush mund t’i ketë dhe 2, 3, 4 e më shumë kanale, jo sepse patjetër duhen, por ndoshta sepse me 1 vitrinë te vetme ngatërrohen audiencat e po ashtu dhe talentet e shumta të pronarit, as dyqanet reale të qytetit nuk i ekspozojnë në 1 vitrinë “lingeries” + çorapet e leshta të gjysheve të Malcisë, edhe sutjenat e edhe bie fjala talentet e gatimit s’do kishte kuptim në një vend…
…videot për fliat, tullumbat e sarajliat nuk shkojnë me “beauty & style” (jemi të mendimit), s’bën të përzihen drith-e-miell me shkëlqimet e me buzëkuqët, patjetër se u takon një tjetër vitrinë, pa le që prapa youtube sot mund t’jenë dhe gjyshet si “regjisore”, pse jo, normale dhe asgjë për t’u habitur, qëkur e gjitha ç’duhet është një iPhone a smartphone – afërmendsh se femrat moderne konsiderohen eksperte për “fashion” e për hesapet e bukurisë, sot pothuaj të gjitha femrat e botës janë ekspertizuar, s’e mohon kush tekno-ndihmën, “efektin internetik” e as modernizmin, por ja që nëse të pandehnim se ua kalojnë dhe gjysheve për fliat, hm kësaj pandehme fare lehtë mund t’i takojë pikëpyetja në bisht…
…”arsyetimi” – arsyeja për ekzistencën e kanalit : shkojmë madje dhe në kino për t’i parë fantazitë filmike të Hollivudit, thuase në shtëpi 1001 TV-kanalet e së sotmes s’na mjaftojnë, në fakt edhe TV-të tani janë thjesht “Internet”, kanë panumër kanale dhe për filmat, jo vetëm për lajmet (njësoj si youtube, lloj-lloj filmash : ) nesër dhe frigoriferi do jetë diç si frigo-tv pasi do jetë i lidhur Internetin, pastaj na pëlqen t’i dëgjojmë muzikat e yjeve, vemi nëpër koncerte (herë të estradës lokale e herë aso të muzikave botërore), mrekullohemi me krijimet e kompozitorëve të famshëm, të Betovenave të kësaj bote… etj. etj. dhe asgjë, të gjitha “opsesionet” me filmat e me muzikat aq normale, na duken të arsyeshme dhe fare kuptimplote, ama interesante do ishte aty-këtu të “dëgjohen” dhe muzikat tona, të “shihen” dhe videot tona, apo jo, përndryshe youtube s’do ekzistonte, s’do quhej “you…”, ose tekefundit do kishte dështuar…
…”përmbajtja” – për fat të keq ende s’ia kemi filluar me furnizimin, sapo filluar… s’i kemi logjistikat aq në rregull, tani për tani në vitrinën tonë ka vetëm 1 video (eksperiment me muzikat) mbase mjafton si fillim – në të ardhmen pritet që faqja të pasurohet, përmbajtësisht e kualitativisht, nuk përjashtohet mundësia që vizitorët eventualë të ngelin gojëhapur (dmth. kur t’i hasin video-muzikat ashtu papritmas midis një askundi të Internetit), padyshim do befasohen, do thonë ja një ishull që nuk ekzistonte në hartat e youtube, pa hë… të shohim cili Kruzo e paska zaptuar, cili Robin, cila Robina, vallë ç’do ketë mbledhur në shportën e vet, akoma s’paska “lajka” por kjo sepse ishull i padëgjuar, mungon në hartat, i pazbuluar, as sateliti ende s’e paska trasuar:).

https://mail.google.com/mail/u/0/#inbox/FMfcgzGqQSMgcRLPRDqkCDfDGxdBclrW?projector=1

Please follow and like us: