E fala State Departamentin, nuk ia bëra “e-Non grata”
E fala State Departamentin, nuk ia bëra “e-Non grata”
(sguraziu – 10 sht. 22)
…i dashur “email”, ju keni fituar “Green Card” të ShBA – sipas emailit nga State Departamenti, adresa e emailit tim paska “fituar” duke u zgjedhur nga kompjuteri i tyre për “Green Card”, meqë adresa e emailit vërtet më takon mua, mbase është supozuar të gëzohem sepse ky fat i “zgjedhjes” (pikërisht të emailit tim) ma mundësuaka punën dhe qëndrimin permanent në ShBA…
…madje dhe formulari për “intervistën” i gatshëm për shkarkim, po ashtu dhe instruksionet si e çfarë tutje – bukur, natyrisht i besoj unë State Departamentit (se mos vetëm unë… dhe vetë Shqipëria e Kosova si shtete komplet i besojnë State Departamentit), faleminderit dhe “fatit” që e paska zgjedhur adresën time, problemi është që unë s’kam aplikuar KURRË, adresën time s’ia kam bashkëngjitur ndonjë aplikaconi për “Green Card”… as hiçgjëje lidhur me “Cards” !…
…sa për vete lehtë ta izoloj në dosjen “spam” (anise do ishte keq kjo… State Departamenti s’do kishte tutje si t’më kontaktojë, emailat e tyre pastaj do ishin diç si “e-Non grata”, e lehtë ta etiketoj postën e tyre si “spam” por çfarë nëse helbete t’u duhet ndonjë këshillë nga unë, ndërprerja e komunikimit do ishte mëkat, thuase me 1 spam Departamenti na paska gabuar ndaj meje po aq sa Irani me marrëzinë kibernetike ndaj Shqipërisë – shkurt, kësaj radhe e fala State Departamentin) – gjithsesi, nga ana tjetër e shakasë, duke ditur që “Green Card” është program real, dhe duke ditur se ka njerëz që vërtet kanë aplikuar (para ca kohe një dikush nga Shkodra, në bisedë e sipër më pati rrëfyer se në Shqipëri ka mjaft njerëz që aplikojnë), ndoshta u ndihmon sadopak aplikuesve për “Green Card” të kuptojnë ndonjë diç që duhet kuptuar…