Albspirit

Media/News/Publishing

Ambra Hysa: Bisedat cilësore, ku sytë janë pasqyrë e shpirtit

Thonë se shkrimtarët dinë të lexojnë zemra e të përkthejnë shpirtra, nuk jam dakord. Ata janë thjesht sentimentalë, mund të zhyten në ndjesi të thella, si e vetmja mundësi për të shijuar notin, për notarin që është rritur buzë detit.
Më pëlqen të ndjej frekuencën në të cilën njerëzit “vibrojnë”, e të marr pak nga energjia e tyre ngjitëse, të hy nën lëkurën e tyre dhe vetëm për një çast, t’i kuptoj.
U bë kohë që nuk paragjykoj. Kam vetëm njerëz që më frymëzojnë afër, të gabueshëm ama inspirues në gabimet e tyre. A nuk jemi të gjithë kështu?
Sa më shumë që rritem, aq më shumë i ndjej dhe lexoj njerëzit në sy. Sytë shprehës e të lëngëzuar janë një dhuratë e madhe. Çiltërsia është e parefuzueshme. Dhe më pëlqen të bisedoj duke njohur edhe skutat më të errëta të shpirtit. Sa më e gjatë biseda, aq më e thellë errësira, dritat janë thjesht fasadale.
Njerëzit, sa ndryshojnë nga njëri-tjetri… e si mund të jenë kaq njësoj? Të gjithë flasin gjuhën e dashurisë, i vetmi ilaç që i zbut zemrat e egërsuara nga jeta.
Unë besoj që një ditë produktive është ajo që nis dhe mbaron me shkëmbimin e dashurisë. Të duam veten është veçse fillimi i romancës.
E vërteta është se ritmi i jetës po na ndryshon, standartet, formatet, tendenca për ta vënë veten në qendër po e ledhaton kaq shumë unin tonë duke na larguar prej dashurisë për të tjerët.
Sa bukur është kur i duam njerëzit.
Së fundmi po bën shumë zhurmë fjala “unë” edhe brenda meje.
Dashuria për të tjerët na shpëton nga dashuria e tepërt për veten.
T’i duam njerëzit e t’i kuptojmë, t’i gëzojmë, t’i falim… Askush nuk ka ndërtuar diçka të madhe i vetëm.
Dashuria ka nevojë për dy, një nuk mjafton… por gjithçka nis tek “një”.
Provo të ulesh me miqtë e tu dhe të mos flasësh për motin, për këtë vend ku asnjë punë nuk ecën, për punët e të tjerëve, ankesat, thashethemet…
Provo të përqëndrosh të gjithë energjinë tënde në një moment të vetëm e të jetosh brenda frekuencës së atij momenti. Do të japësh më shumë, do të marrësh më shumë.
Provo të flasësh me zemër, njerëzit që e kanë akoma një zemër do të të kuptojnë.
Please follow and like us: