Albspirit

Media/News/Publishing

Dy artistë shqiptarë fitojnë çmimin prestigjoz “Ponte Vecchio” në Firenze

 

Artur Spanjolli

Do të jenë edhe dy artistë shqiptarë në listën e fituesve të edicionit të 13 me rastin e dhënies së çmimit “Ponte Vecchio” në Firence. Njëzet do të jenë fituesit, mes artistësh, piktorësh, skulptorësh, shkrimtarësh, kritikëve të artit dhe profesorash akademikë. Dy artistët shqiptarë, Helidon Xhixha dhe Milot, arrijnë ta fitojnë këtë çmim, në sajë të një pune të madhe vetmohuese në fushën e arteve vizive. Xhixha me skulpturat e tij gjigande në çelik reflektues, vepra të vendosura nëpër sheshe, kopshte, rrugë apo hapësira private në të gjithë botën. Skulptor tashmë i njohur në nivelet më të larta të tregut botëror, ai shquhet për karrierën e tij të mrekullueshme si artist. Ndërsa Milot, falë punës së tij të palodhur si skulptor  ka provuar të gjitha zhanret dhe format e artit. Nga vizatimi, tek piktura mbi telajo, deri tek skulpturat e tij gjigande në hekur. Megaprojekte të vendosura nëpër shumë sheshe në jug të Italisë. Mjafton të kujtojmë skulpturën prej 40 metrash me titull: “Çelësi i Montevergine” që po instalohet në rajonin e Kampanjas. Çmime të merituara plotësisht, falë lodhjes, kërkimit dhe sukseseve të dy artistëve shqiptarë. Artistë të njohur me njëri-tjetrin që adoleshentë në Liceun Artistik “Jan Kukuzeli” në Durrës, plot tridhjetë e pesë vjet më parë.

Ceremonia e dhënies së çmimeve do të zhvillohet sot me datë 14 shtator në orën 17, tek Kopshtet e Villa Bardini në Firence. Ajo do të prezantohet nga gazetari fjorentin Fabrizio Borghini dhe filmimet do të bëhen nga kanali 7.

 

 

Please follow and like us: