Albspirit

Media/News/Publishing

Portalet e grricin, po Ministria e Brendshme nuk do ketë më Elena Picin

Elena Pici, ka reaguar në lidhje me largimin nga posti i Sekretares së Përgjithshme të Ministrisë së Brendshme, duke thënë se gjithmonë është mbështetur nga stafi i institucionit ku punonte. Me anë të një deklarate, Pici shkruan se ka kryer me përgjegjshmëri dhe integritet detyrën e saj. Gjithashtu, ajo shton se ky vendim i saj ka ardhur për arsye të zhvillimit të karrierës në sektorë të tjerë, se është krejtësisht personal dhe nuk përkon me asnjë ngjarje apo çështje tjetër.

Reagimi i Sekretares së Përgjithshme të Ministrisë së Brendshme

Pavarësisht se vlerësoj që emërimet apo lirimet e Sekretarëve të Përgjithshëm nuk duhet të përbëjnë lajm, për aq kohë sa ne jemi thjesht shërbyes publik në administratë, në kushtet e një raportimi të pavërtetë që po qarkullon në media, ndiej detyrën të sqaroj për pjesë të opinionin publik të interesuar se:

Unë kam pasur privilegjin të kem besimin e vazhdueshëm përgjatë dy viteve të Kryeministrit dhe Ministrit në kryerjen e një detyre të rëndësishme publike, atë të Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Brendshme, detyrë të cilën (përkundrejt gjithë spekulimeve mediatike, në disa raste dashakeqe në momentin e emërim tim), ndiej se e kam kryer me përgjegjshmëri të plotë, me profesionalizëm dhe integritet dhe kurdoherë e mbeshtetur nga ekipi i Ministrisë së Brendshme.

Për këdo që do të besojë faktet dhe jo thashethemet, vendimmarrja për zhvillimin tim të karrierës në sektorë të tjerë është krejtësisht një vendim personal dhe nuk përkon me asnjë ngjarje apo çështje tjetër sikundër është raportuar në disa media. Çdo spekulim dhe insinuatë që ngrihet, mund t’i shërbejë interesave të të tjerëve, por kurrsesi jo të vërtetës!

Please follow and like us: