Dorëhiqet drejtori i Televizionit, Festim Kabashi
Festim Kabashi, ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje nga detyra e drejtorit të Televizionit në RTK. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ai ka shkruar se vendimin për dorëheqje e mori, për shkak të presionit lidhur me një të gjetur të raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit, i cili sipas tij nuk lidhet aspak me punën e tij profesionale.
Ky vendim sipas tij edhe pse ishte i vështirë për të, ishte gjithashtu i domosdoshëm për t’u hapur rrugë proceseve të ngelura pezull për funksionimin normal të RTK-së, përfshirë edhe përzgjedhjen e kryeredaktorëve të RTK 1 e RTK 3.
“Duke parë se një situatë e tillë po pamundëson shtyrjen përpara të projekteve, e si rrjedhojë po reflekton në shumë aspekte në funksionimin e RTK-së, ju njoftoj se i kam dorëzuar drejtorit të përgjithshëm, Shkumbin Ahmetxhekaj, kërkesën për lirim nga detyra, pasi me asnjë çmim nuk mund të lejoj që integriteti im profesional e njerëzor të nëpërkëmbet” ka shkruar tutje ai. Ai ka shkruar se beson në profesionalizmin e punëtorëve të RTK-së, ‘të cilët kanë ditur ta mbrojnë atë edhe në ditë më pak të mira, synim që besoj se vazhdon ta ketë edhe Shkumbin Ahmetxhekaj, drejtor aktual’.
“Duke qenë ballëhapur për çdo vendim, do të vazhdoj të angazhohem për ta finalizuar, në secilin rol, fuqizimin e besimit te Transmetuesi Publik dhe për t`i luftuar paragjykimet, prapa të cilave mund të fshihen agjenda të rrezikshme për funksionimin e mediave dhe për zhvillimin e demokracisë në vend’ ka shkruar ndër të tjera Festim Kabashi, në postimin e tij në Facebook./RTKlive