Ismail Xhaferi: KALON NJË VAJZË NË BULEVARD
Kalon një vajzë në bulevard,
Me hap të lehtë porsi një flutur,
S’e di përse pa këtë vajzë,
Ky bulevard s’do ish i bukur!
Kalon ajo gati çdo mbrëmje,
Me gjoksin gjysmë të zbuluar,
S’e di në shkon për një takim,
S’e di në është e dashuruar!
S’e di nëse pret ndonjë djalë,
Atje në fund të bulevardit,
Ashtu siç pret një luleshqerrë,
Të çeli në fillim të marsit.
S’e di nga vjen, s’e di ku shkon,
Gjithmonë e qeshur dhe e vetme,
Veç vjeshta nuk harron çdo mbrëmje,
Mbi flokë të saj të hedh ca gjethe.
Ndërsa i shoh gjethet mbi supe,
Diçka e them me siguri,
Kjo vjeshtë e bukur dhe kjo rrugë,
Me të kanë rënë në dashuri.
Kalon një vajzë në bulevard,
Me hap të lehtë porsi një flutur,
S‘e di përse pa këtë vajzë,
Kjo vjeshtë s‘do ishte kaq e bukur!