Disa brenga pas 41 viteve punë në shëndetësi, për të cilat shpresoj të mirëkuptohem dhe të dëgjohem
Tritan Kalo
Disa brenga pas 41 viteve të ofrimit të përkujdesit në ruajtjen e mbrothësimin e shëndetit të bashkatdhetarëve të mi, nga “një pension-shtyrë” jashtë çdo konflikti të çfarëdoqoftë interesi:
1 – VIZIONI dhe MISIONI
2 – Jo vetëm për të tashmen por edhe për të ardhmen
3 – Që BRAIN-DRAIN të mos shndrohet si FATALITET për ofrimin e SHËRBIMIT SHËNDETSOR
4 – Që DIJEDHËNIA e DIJEMARRJA të mos bjerret por përkundrazi të cilësohet dita-ditës.
Le t’i shtjellojmë shkurtazi ato:
1- MISIONI i çdo mjeku bëhet e mundur të realizohet në harmonizim me VIZIONIN e tij, për ofrimin e një Shërbimi Shëndetsor humanist e cilësor dhe në labirinthin e mundësive objektive të plotësimit të këtij misioni.
Ruajtja e moralitetit të Betimit të Hipokratit, kësaj Bible / Kurani / Tore të shenjtë për profesionin tonë, e bën të domosdoshme përpjekjen tonë të përminutëshme, në ruajtjen e panjollësisë së MANTELBARDHËSISË së gjithkujt, që krenarisht kërkon të gjurmëzohet në kujtesën e popullit
2- PUNA, PËRKUSHTIMI, PROFESIONALIZMI dhe PËRKUJDESI ynë nuk i shërben vetëm së tashmes, por edhe të ardhmes së Shërbimit Shëndetsor në Shqipëri. Cënimi i raporteve mjek-i sëmurë, mosvlerësimi real financiar nga Ekzekutivi, i punës dhe i përpjekjeve të mjekut, mos përpjekjet e këtij të fundit për të marë atë çka i përket nga financuesit e Shërbimit Shëndetsor, por të shohë me bisht të syrit “xhepin e të sëmurit” si një mekanizëm kompensator, do të sjellë progresivisht uljen e SHKALLËS së MIRËKUPTIMIT dhe të MIRËBESIMIT i sëmurë-mjek, pra thyerjen e mirëfunksionimit të mekanizmit të realizimit të një SHËRBIMI SHËNDETSOR CILËSOR.
3– KRIJIMI I KUSHTEVE më optimale të infrastrukturës së shërbimeve spitalore e ambulatore si dhe i pagesës, për personelin shëndetësor në ofrimin e përkujdesit ndaj të sëmurëve prej tyre, do të zbus shpejtësinë e frikshme të “BRAIN-DRAIN”, pra të largimit të mjekëve, infermierëve, teknikëve imazheristë, stomatologëve, farmacistëve drejt mundësive më mbrothësuese profesionale e financjare të tyre.
BALANCA midis IDEALIZMËS së një profesioni human dhe PRAGMATIZMIT, për të jetuar optimalisht jetën në të gjitha aspektet e saj, sa vjen e anon nga kjo e dyta. NUK jemi vonë për të ndërhyrë, që ky trend negativ për ARDHMËRINË e ofrimit të SHËRBIMIT SHËNDETËSOR të zbutet, sepse është e pamundur të ndalohet. Pagat dinjitoze dhe hartimi i legjislacionit perspektivë-hapëse të ecurisë në karrierën profesionale vetëm mbi bazën e meritës, dhe jo të përkatësisë politike apo nepotike, të mos “fosilizimit” të titullarëve në postet e tyre, të jetë një faktor ndihmues në zbutjen e “Brain-Drain”.
Pseudo-rritjet e pagave nën nivelin edhe të “indeksimit” vjetor të tyre në raport me inflacionin, i shërbejnë retorikës politike, por jo zgjidhjes reale të një vlersimi monetar dinjitoz të një profesionisti.
4- DIJEDHËNIA e DIJEMARRJA, në letra është cilësuar shumë pas 22.03.1992, POR NË REALITET një gjë e tillë nuk qëndron. NUK ofrohen praktikat mjekësore nëpër korridoret, ballkonet, lulishtet apo në kafenetë e QSUNT-së (Qëndrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Tiranë), apo të Spitaleve të tjera Universitare.
STATUSI i Shërbimeve Universitare e bën të domosdoshme rekrutimin vetëm të mjekëve të nivelit universitar për t’u punësuar në to. NË KLINIKAT UNIVERSITARE duhet që të mos ekzistojë emërtesa “Akademik/ Mësimdhënës” dhe “Prakticien spitalor”.
ËSHTË JASHTË LOGJIKËS SË PUNËS KLINIKE të mos respektohet ky parim. Studentët dhe specializantët në çdo Shërbim kohën më të madhe e kalojnë pikërisht me këta “prakticienë spitalorë”, se sa me “trupën akademike”. Trajtimi moral/statutor dhe financiar i njejtë për të dyja kategoritë e mjekëve të Shërbimeve Spitalore Universitare, do të sjellë një karakter përftimi të dyfishtë si të Dijedhënies po ashtu edhe të DIJEMARRJES.
DIÇKA jo normale për mua mbetet mos pagesa e të gjithë SPECIALIZANTËVE, përgjatë viteve të shkollimit e të punës së tyre. Është një praktikë pune që nuk njeh shëmbull të dytë në botë. 6 vjet studimi universitar dhe 4 vite të studimeve pas-universitare janë një barrë e madhe financiare për familjarët e këtyre specializantëve.
Shpresoj që të dëgjohem dhe të mirëkuptohem për gjthshka shkruaj me lart. Together forever!!!
——
Dr. Tritan Kalo, Mjek Specialist në lëmitë e Sëmundjeve Infektive, Tropikale dhe të Reanimacionit Mjeksor, Doktor i Shkencave Mjeksore, Profesor i Asociuar, Mjeshtër i Madh.