Albspirit

Media/News/Publishing

Skënder Sherifi: In memoriam, JEAN-LUC GODARD!

 

                                                                                    

 

Në jetën time, më kanë shoqëruar përmes veprave të tyre magjike, si t’ishin pranë meje, disa artistë madhorë të fushave të ndryshme krijuese, sepse bota e tyre me ka folur, mahnitur, provokuar, futur në pyetje, sharmuar, sensibilizuar dhe dikur është bërë pjesë koshiente dhe subkoshiente e imja… Mund t’ju përmendi me siguri mes 20 deri në 30 krijues artistikë të rangut të parë… « Champions League»!

Por me stilin tim anarshist, post Maj 68 dhe Woodstock, Pop dhe Rock and Roll, Free Jazz and Blues… aty ku ishte e ndaluar për të ndaluar diçka, ku imagjinata mbretëronte kudo në sferën publike dhe ku çdo aventurë njerëzore dhe artistike ishte e mundur, ngaqë ideja qendrore ishte për ta bërë pikërisht të pamundurën, të mundur… çka kam tentuar gjithmonë deri sot për ta arritur dhe propozuar në veprat e mia poetike. Pra, e kam pasur, si me thënë, një TRESH MAGJIK, i cili më ka shoqëruar deri sot dhe më ka shërbyer pak si shembull emblematik, si filozofi globale në jetën time, si vijë drejtuese. Ata persona kanë qenë Arthur Rimbaud,  të cilin natyrisht nuk e kam njohur, por admiruar dhe konsideruar si një vëlla shpirtëror (për mua, Poeti më i madh i Poezisë moderne në Planetin tokësor) së paku me: “Anijen e dehur” – dhe me – “Ngjyrën e Zanorëve”… që edhe sot, më fasinojnë! Pastaj, miku im, të cilin e kam njohur mirë, Poetin dhe Këngëtarin madhor francez Léo Ferré… i cili i ka tekstet e tia, minimum në të njejtin nivel me poetët më prestigjiozë francezë, të cilët mësohen si referenca nëpër shkolla.

Por, për të mos ngelur Lypsarë nën urat e Parisit, për ta siguruar ndonjë lek dhe jetën e tij, ka vendosur për t’i muzikalizuar dhe kënduar ai vet tekstet e tia. (tamam, si me na thënë Charles Baudelaire, poet gjenial: «do t’i këndoj unë vetë poezitë e mia»).

Çka e kanë bërë për arsye praktike, puro materiale, Bob Dylan dhe Leonard Cohen, Georges Brassens, Claude Nougaro, Jean Ferrat, Barbara, e ca të tjerë, të cilët e kanë pasur, pos penës së tyre fantastike, edhe një talent apo aftësi muzikore, të cilën unë fatkeqësisht nuk e kam, kështu që varem komplet nga dëshira eventuale e të tjerëve, në No Man’s Landin e shkretë dhe pa kritere shqiptare. “C’est la Vie”!

Dhe më në fund, edhe Papën e «Nouvelle Vague-s» franceze, zotin Jean-Luc Godard. Do kisha thënë gati për ta nderuar «GOD – ART» në një kolazh poetiko-surrealist. Kam patur fatin për ta njohur, me 2 takime në Paris, dhe tjetrin absolutisht magjik në Bruksel, ku e kam kaluar një mbrëmbje të paharrueshme pranë tij, ndërsa isha i shoqëruar në atë kohë, me një muzë spanjolle kastijane, mjaft vullkanike dhe intuitive, e afërt me personazhet femërorë të filmave të Pedro Almodovar, babai i Movidës spanjolle (një lloj maji 68 apo nouvelle vague hispanike) me vonesë.

Më vjen super keq, që ajo mbrëmbje magjike dhe aq e pasur nuk ka qenë e filmuar, sepse do t’ishte një kryevepër, gati si një dokumentar life për televizionin ARTE.

Do ishte tepër gjatë për t’ua detajuar këtu në këtë shkrim.

Porse folëm për artin, kultin e emrit si markë fabrike në raport me veprën objektive kinematografike, shoqërinë e spektaklin, mediatizimin fiktiv apo real dhe më pyeti pastaj mbi veprën e tij personale? E mora, siç e kam zakon në jetë dhe siç kam vepruar 15 vite nëpër Paris mes elitës të shekullit 20, të jam ai që jam, autentik, i lirë dhe pa shumë protokolle, sa më human, i drejtë dhe i sinqertë në atë çka e shpreh, por me argumentet e mia personale. Dhe ja thashë disa të vërteta, që pak kush, ose askush nuk ia kishte thënë deri në atë moment. Ka kohë miku im Godard, që e ke braktisur botën e filmit si film, kinematografinë si art komunikues me publikun dhe ke kaluar në një hulumtim laboratorik, ku je i vetmuar dhe ku tenton përmes një monologu për të gjetur diçka… brenda një puzzli të komplikuar imazhesh, citatesh, tingujsh dhe montazhësh… ku më dukesh si një Ermit apo një Matematician para tabelës së tij duke luftuar me formulat shkencore. Prandaj, pse çuditesh që të ka braktisur Publiku, pasi ti vetë, e ke zgjedhur këtë rrugë, me të cilën ke prishur çdo mundësi komunikimi me të. Ti sot, e ke vendin në një Laborator kinematografik eksperimental – IMAGES and SOUNDS – tamam si shkencëtarët.  Por nuk je më në artin kinematografik, i cili i adresohet Popullit. Se ti vet e thua në filmim mitik Pierrot le Fou – Filmi është emocion, dashuri, luftë, urrejtje, pasion, romantizëm, dhe ndenja njerëzore bazë. Unë të dua shumë, je model dhe referencë për mua dhe do i kam gjithmonë në Panteonin tim personal, së paku këto 3 filma mitik prej teje: A bout de souffle – Pierrot le Fou – et le Mépris… 3 kryevepra kinematografike».

Okay, Sherif, por çka më propozon pra? Dhe iu përgjigja: «Si çdo krijues serioz, shikoje Pikasonë, Gogenin, Dalin, Bergmanin, Truffaut, Almodovar, Cassavettes, adresoju përmes filmave të tu një Femre… siç e ke bërë mrekullisht mirë në fillimet e tua me Ana Karina, me Anne Wiazemski, me Brigitte Bardonë deri dikund… pra lidhu me botën humane dhe me preokupimet e saj dhe dialogon me të! Sepse, sot për sot, ti dialogon apo hulumton vetëm në një izolim dhe monolog steril me trurin tënd dhe na merr ne për dëshmitarë të skicave të tua, të papërfunduara. A ke ndonjë shoqe, a je i dashuruar apo i provokuar nga dikush”? Më tha: Po!

Pastaj, i thash si në një provokim surrealist, sa për ta pa reagimin e tij – okay, pra, po ta propozoj shoqën time spanjolle, e cila është fanse absolute e jotja, siç jam edhe unë, pavarësisht këto rezerva të cilat ti shpreha si mik albanez. Merre me vete në Zvicër dhe të vjen me qejf se është dakort, por me kusht, që ta bëjsh një film rreth personit të saj… pra, provoje një shkëmbim human dhe filmik me këtë vajzë super interesante dhe plot potencial autodidakt! Dhe siç mund ta imagjinoni, ngaqë nuk e priste këtë propozim, u habitë dhe ngeli pa zë… Më tha: «është super tentuese ky sugjerim, miku im Poet, por a e ke seriozisht? Mirëpo, edhe jam lodhur dhe plakur tani dhe nuk interesoj askënd! Nuk e di a mund ta përballoj”? Ju përgjigja: «për ta shpëtuar një gjeni të madh të filmit botëror, duhet për t’i bërë disa sakrifica dhe unë jam gati me të ndihmuar konkretisht me këtë spanjolle. Me të rikthyer në rrugën normale të artit të shtatë, i cili komunikon me neve, na mahnit, na emocionon, na bën për të ëndrruar, na dërgon dikund larg në mendim dhe në imagjinatë. Nuk e dua në Film, një Ajnshtajnë në labirintin e tij cerebral dhe matematikë, i cili është duke e filmuar vetën duke kërkuar ndonjë formulë! Sepse, dikur do detyrohem për t’ia hedhur një embëlsirë në fytyrë, si në filmat e zotit Charlie Chaplin, për t’u rikthyer tek ana puro njerëzore!  Ha… ha… ha… dhe u përmallua dhe më përqafoi. Më tha pastaj me insistim: « a mundesh me ma lënë një frazë definitive apo përfundimtare, diçka si formulë apo proverbë, sa për ta vallzuar natën time me një meditim në vetmi, në dhomën e Hotelit AMIGO të Brukselit? » Shoqja ime Izabela, insistoj – gjeja një frazë Godarit ose të hanë Kallukënxha… ti je poet i madh dhe ke plot vargje dhe fraza magjike në tekstet e tua… mos na len Godarin pa një frazë të fuqishme dhe bindse, ose do të braktisi në vend, për të parin idiot që kalon rrugën! Waou, çfarë deliri, porse ishte realiteti.

I thashë Godarit: «Shiko miku im i dashur dhe profesori im shpirtëror me Rembonë dhe Léo Ferré… frazat definitive nuk dekretohen ashtu duke shtypur një buton. Nuk po gjej asgjë për momentin, i nderuar. Mos harron që autorët dhe filozofët e famshëm botërorë, mund ta kenë vetëm një frazë apo formulë definitive, e cila ua simbolizon gjithë veprimtarinë e tyre… kjo nuk është një kërkesë aq e lehtë, apo një fjalë goje e formuluar në një diskotekë, gjysmë i dehur. Sartri njihet me formulën: “L’enfer, c’est les autres”, ndërsa Sokrati me frazën: “Connais-toi, toi-même”, Shekspiri me: “To be, or not to be”, Pablo Pikaso me: “Je ne cherche pas, je trouve”! Kurse unë, nuk e kam ndonjë frazë të tillë, miku im… Ah, jo Sherif, më duhet një frazë ose do bie në një dëshprim gjatë kësaj nate dhe ku me e ditur se çka mund të ndodhë, me tha Godari? Ndërsa, Izabela më bënte presion… dhe i thashë vetës … duhet me gjetur diçka, sepse nuk mund ta përballoj depresionin e një kineasti aq madhor, vetëm për një frazë… do jam përgjegjës i ndonjë incidenti të papritur. Dhe dikur me erdhi një frazë e marrë nga një varg i librit tim francez “Passion i vitit 1982” – që do dilte më vonë në versionin tim në ship, i botuar në vitin 2020 tek Ilari në Tiranë – me titullin – “Festivali i Pasioneve”.

  • Il faut réduire tout au minimum pour se retrouver au maximum!
  • Duhet të reduktojmë çdo gjë në minimum, për ta gjetur vetën në maksimum!

Ja thashë disa herë me zë si aktor amator dhe e shënoi në një copë letre në restorantin e hotelit ku ishim në Bruksel. I pëlqeu, iu duk frazë interesante dhe më tha: “Faleminderit shumë, i dashur Skënder Sherifi, sepse ma ka shpëtuar natën e sotit nga një dëshpërim i sigurt! Tani më duhet për t’u çuar sepse jemi vonuar dhe unë zakonisht flej mjaft herët. Kemi përjetuar një moment të bukur dhe të pasur së bashku. Ju uroj (ty dhe Izabelës) që të dashuroheni shpirtërisht gjer në Lot!

Ja dhamë dorën, u përqafuam me Jean-Luc Godarin dhe vazhduam rrugën tonë, të përlotur nga fuqia magjike dhe sensibiliteti i këtij momenti të rrallë, me Papën e Nouvelle Vague-s franceze. Personi, që e ka rikrijuar një gjuhë të ré kinematografike, siç e ka krijuar Pikaso me Georges Braque rrymën kubiste në pikturë. Sot thuhet për shembull për mikun tim dhe disipulin e tij Leos Carax: “Një film alla Godard”!

Pra, e ke kinematografinë para Godarit dhe pas Godarit! Shembulli tjetër, zoti Quentin Tarentino, kineast atipik amerikan, me manga, filma të vizatuar dhe rock të vitëve ’50 dhe ’60, ka huazuar diçka nga Godari dhe bile nga admirimi që ka pasur për të, e ka emëruar Shtëpinë e tij të Produksionit «Band apart» që vjen direkt nga një film i Jean-Luc Godard, i quajtur “Bande à part”! Çdo kineast i madh e ka dëtyrimisht një referencë apo një gjurmë godardiane në backgroundin e tij.

Është një kapitull në vete në çdo histori kinematografike serioze, personalitet i mësuar nëpër Universitete dhe Institucione kinematografike, mbi të cilin janë shkruar shumë libra dhe ndërtuar shumë teza studimesh. Më rikujtohet Jean Paul Belmondon me atë stil aq të dekompleksuar, të dekontraktuar, në improvizim poetik komplet, duke i cituar libra, piktura, reklama, ose duke provokuar me plot sharm aktorën amerikane Jean Seberg, ose Anna Karina… ose Brigitte Bardonë, në skenën e fillimit të kryeveprës «Le Mépris» me Michel Piccoli, dhe muzikën magnetike të Georges Delerue… e shtrirë nudo duke e pyetur të dashurin e saj, sesa i do të gjitha pjesët e anatomisë time? ADIOS MON AMI GODARD … në fundin e asaj frymëmarrje tënden që ishte edhe titulli i filmit tënd mitik të vitit 1960, gati gramatika emblematike e valës së ré kinematografike, e cila korrespondonte edhe me rock and rollin, me muzikën Pop amerikane, me botën e Andy Wahrolit, me majin 1968 dhe me Woodstokun… një lloj psikologjie dhe filozofie globale, gati e imponuar intuitivisht nga nevoja njerëzore e momentit, e çlirimëve të shumta, mendore dhe trupore, një frymë Lirie të lirë, diçka që na i heq të gjitha barierat dhe kufijtë, që na mundëson për të menduar lirisht siç të dojmë dhe për të përjetuar pa asnjë tabu çka të dojmë. Revolucioni estetik, erotik, filozofik, psikologjik, utopik, kulturor, njerëzor… i cili nuk ka burgosur dhe pushkatuar me miliona njerëz, porse ua ka propozuar një ëndërr, një ideal, një dëshirë për t’i prekur Yjet me dorë… për t’i thyer gjithë kufinjtë e censurimit dhe auto-burgimit të përditshëm brenda vetvetes!

E sot, në Paris, Londër, Bruksel, Amsterdam, Vienë, New-York dhe Los Angeles: ku jemi në krahasim me ato propozime super interesante të viteve 1960 dhe 1970?

Në një regres të përgjithshëm dhe tragjik në të gjitha sferat e jetës, një rikthim në konservatizëm, në konformizëm, në eskstremizëm, në urrejtje, në fondamentalizëm, në të gjitha energjitë më negative, nihiliste, absurde, dhe auto-shkatërruese të Njerëzimit. Pra, welcome në Mesjetën moderne, ku askush nuk beson në asgjë,  ku kanë përfunduar idealet, ëndrrat, imagjinata dhe poezia ekzistenciale, ku çdokush është i vërbuar, i droguar, i diktuar nga një Oligarki e paemër teknologjike, shkencore dhe informatike, duke ia dhënë iluzionin që është akoma Qenie e lirë, ndërsa është në realitet i shndërruar jashtë vetëdijës apo dëshirës së tij, në një Kloun apo Klon patetik pa brendësi, pa filozofi, pa mendim, pa pyetje, pa kërkesa madhore, pa poezi, pa humanitet, pa kujtesë, një Qenie groteske, që konsumon dhe argëtohet në lojërat e Cirkut modern dhe që trullohet në maksimum në zhurmën dhe delirin e Shoqërisë permanente të Spektaklit… ngaqë shfaqja-SHOW e ka asgjësuar çdo subjekt themelorë me rëndësi ! Si dinauzori i fundit i Jurasik Parkut dhe i Las-Vegasit shqiptar, po ju përshëndes dhe po e rikujtoj me mall dhe nostagji, mikun tim margjinal franko-zvicëran Jean-Luc GODARD, që i mbante ngjitur dhe gjallë Faqet e Librit, të kulturës kinematografike planetare dhe të revolucioneve ideore dhe artistike.

Skënder SHERIFI – me 15 shtator 2022 – në Bruksel – afër Mërgatës së Qyqeve.

Please follow and like us: