Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, ka deklaruar se SHBA-ja mbështet Bashkimin Evropian në përpjekjet për të arritur një zgjidhje në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

“[Problemi] ka vazhduar për një kohë shumë të gjatë dhe është koha për përparim”, u tha Hill gazetarëve në Forumin Rajonal për Evropën dhe Euroazinë – EducationUSA në Beograd, transmeton Beta.

Ambasadori amerikan nuk ka dashur të komentojë planin e pretenduar për kornizën e re të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila është hartuar pas angazhimit të të dërguarve nga Gjermania dhe Franca.

“Nuk më takon mua të komentoj propozimet, përveçse të them se SHBA-ja mbështet BE-në, e cila po përpiqet shumë të gjejë një zgjidhje të pranueshme për të gjithë dhe kjo nuk është e lehtë”, tha Hill.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha më 10 shtator se diplomatët evropianë kanë propozuar “kornizë të re” për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit. Përfaqësuesi special i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, në reagimin e tij, tha se është i befasuar nga njoftimet e tilla./rel