Albspirit

Media/News/Publishing

Sazan Goliku: ËNDËRR

Rrëfenjë
Ata kacavireshin shkëmbit të thiktë, ndërsa dielli rrëshqiste nga pikat e djersës në kurrizët e tyre të zeshkët. Deti atje poshtë përkëdhelte me valëzat e ngrohta rrëzën e shkëmbit, sikur kërkonin ta merrnin me të mirë e t’i kërkonin falje për egërsinë e tyre të një dite më parë. Dy djem trembëdhjetëvjeçarë po ngjiteshin…
Po pse po ngjiteshin? Çfarë dreqin po i nxit? Kë po imitonin?
Shkëmbi ngrihej lart rreth tridhjetë metra. Gishtrinjtë e tyre të njomë futeshin në të çarat e ashpra. Dhe, kur siguroheshin se mund të mbaheshin, ngrenin këmbët dhe i ngjishnin fort mbi faqet e zhveshura e të nxehta nga dielli i mesditës. Pastaj i jepnin trupit lart dhe as që e ndjenin që lëkura e gjoksit e barkut po u skërfitej. Për asnjë çast nuk kishin menduar t’ia kalonin shokut për bri edhe pse njëri ishte më i fortë e tjetri më i gjatë. E bën me fjalë që, kur të arrinin në majë, do t’u thërrisnin shokëve që loznin e notonin në det dhe te zallishtja: “He-hej! Jeni ngjitur ju këtu?” Njëri nga djemtë atje poshtë i pa dhe tha si me dyshim: – Mbase kanë gjetur vezë pulëbardhash. – Disa i përshëndetën me dorë duke klithur. Dy shokët nuk kthyen as kokat nga frika se mos rrëshqisnin dhe po hapnin sytë se djersa po u rridhte nëpër fytyrë.
Sa arritën buzën e majës, duart s’u mbajtën më; e shkelmuan shkëmbin dhe u hodhën kollotumba mbi det. Ujë buçiti nga rënia e trupave që nuk e prekën fundin. Sa dolën në sipërfaqe, ashtu të ngazëllyer u përqafën me njëri-tjetrin dhe notuan drejt bregut ku ishin shokët. U ulën mbi zajet e vegjël. Herë-herë hidhnin sytë te maja e shkëmbit si të zhgënjyer disi të me veten.
Dy djemtë guximtarë as në ëndrrat e tyre me det e pulëbardha nuk e kishin parë ndonjëherë fantazmën e Sizifit.
Please follow and like us: