Vasil Muka: Asllan Kalemi, doktori i urtë e fjalëpak
Piqeshim çdo ditë, ai varej mëtëposhtë Varroshit a Hazmuratit për në spital a ambulancë e unë qepesha përpjetë për në gjimnaz.
I gjatë, trup lastar, i qetë, me një buzëqeshje të lehtë e të ëmbël, me stetoskopin në qafë, veshur bluzën e dhamsur e zborë të bardhë të mirëpriste e sikur ta hiqte dhimbjen me dorë.
Mjek pathollog e raumotolog si ai. Gjithë gjirokastritëve u dhimbnin të flamosurat qiçe(kyçe)të duarve e këmbëve. Rematizëm në çdo gërmadhë(shtëpi) se vanë e muslluqet e qilaret, hauret e katoqet i bënë kuzhina e odara gjumi, le që gjithë kasabaja që mbulohej nga mjegulla e kish lagështirën ngado.
Ç’t’u bënte dr. Asllani pleqve e plakave, aneve e babazotëve të shuar që mezi ngriheshin nga stroma, së paku u thosh fjalë të ëmbla zahar(sheqer).
Martuar me të mirën Sano, shoqen e Vitos tonë, gruan e xhaxhait tim Jorgo, që punonin të dyja në konviktin e pedagogjikes.
Lindën Abedinin, Romeon e Hënën. Njeri më i mirë se tjetri.
Hëna, hënë e vërtetë, simpatike e gjatë, shtatselvi, u bë mjeke, okuliste. Vizitonte si babai e bënte nder,e u jepte zodhuqe(syza) të lira gjirokastritëve se helbete qenë kurnac e qenë hollë nga meset.
U martua Hëna me doktorin e Golemajve, të mirin Kujtim po ç’e do, shpejt e farmakosi me largimin e shpejtë nga jeta, por ama i la di(dy) bila si kokona, që si gjysh Asllani, nëna e babai u bënë doktoresha e punojnë e jetojnë me mamanë në Çikago. Helbete dardha bie nën dardhë. U rritën mbesat me dashurinë e pekulet e gjyshërve, e u bënë të rgjënda si ata.
Romi u martua me Moza Baxhanë, ish nxënësen time, vajzën e Shpresës së mirë edhe kjo shoqe me Viton e Sanon, ishte kujdestare në konvikt.
Romi u kthye nga Greqia e tregëtonte sallamin e parë e të vetëm Top had. Ne sa kishim marrë nga ish pronat e Papavangjelajve frigoriferin e vetëm në pazar, atë të kasapëve. Romi e mori me qira bashkë me Alqi Kobuzin e aty u lidhëm e më shumë me të mirin, korrektin e të rregulltin dr.Asllanin që ndihmonte Romin. Doktori ashtu i qetë vinte shlyente qiranë, shpërndante sallamin e mbante hesapet. Ndihmonte djalin. Rrallë e shija të vente te rostiçeria e Jorgo Mukës të pinte një verë me qofte. I kishin gratë shoqe, e u shkonte muhabeti.
Takova para ca ditësh në Gjirokastër Romin e më ftoi për kafe.
-Më ke bërë shumë ndere e s’ti kemi harruar- më tha. I kisha sistemuar në punë gruan. Mbaj mend Sanua e mirë e e urtë ma kërkoi këtë ndihmë. E unë e njihja mirë Mozën, ish nxënësen time, shoqe me mbesën time Aidën. E meritonte e më nderoi.
Nderim e respekt për dr. Asllanin, mjekun, qytetarin, intelektualin, e familjen e tij, me pesë mjekë.
Jetë të lumtur fëmijëve, nipërve e mbesave të tij kudo nga janë. Të ndjehen mirë e krenarë për trashëgiminë e gjyshërve të tyre.
Please follow and like us: