Çapajev Gjokutaj: Kur rri të dëgjoj a të lexoj ndonjë lajm nga Ukraina
Kur rri të dëgjoj a të lexoj ndonjë lajm nga Ukraina, thellë-thellë e pothuajse fshehur përjetoj një ndjenjë faji. Mbaj mend se ditët e para të agresionit rus përpija çdo lajm me këtë temë, kurse tani qendroj rrallë e më rrallë. Ngjan se jam bërë, në mos indiferent, të paktën i painteresuar.
Një mendje më thotë se kjo nuk ka të bëjë me indiferencën, përkundrazi është një qasje më se e natyrshme, madje edhe njerëzore. Biologjikisht jemi ndërtuar në mënyre të tillë që të përqëndrohemi tek gjërat e reja dhe të anashkalojmë ato që zgjasin, përsëriten e bëhen pjesë e përditshmërisë.
Më shumë se operacion i vullnetshëm mendor, ky është reaksion spontan biologjik. Në se ulesh pranë një jargavani të lulëzuar çastet e para dehesh nga kundërmimi, por më pas aroma zbehet e zhduket. E njëjta gjë ndodh edhe kur hyn në një dhomë me ajër të ndenjur.
Edhe po qe biologjike, e natyrshme, krejt njerëzore, tërësisht ashtu e plotësisht kështu, rënia e vëmendjes në rastin e Ukrainës mund të më më shërbejë mua apo ty, duke na ruajtur nga monotonia e lodhja, por nuk ka kurrfarë roli pozitiv në rrafsh social.
Lufta në Ukrainë vazhdon po me të njëjtin efekt, pirgjet e gërmadhave vijnë duke u shtuar, barbaritë e vrasjet s’kanë të sosur, rreziku i zgjerimit të konfliktit në një luftë botërore nuk po zvogëlohet, përkundrazi.
Shkatërrimet, mizoritë dhe rreziqet vijnë e rriten, interesi vetiak për luftën vjen e bie, madje gati gati fqinjëron me indiferencën.
Të gjitha këto po i mendoja mbrëmë, ndërsa lajmet njoftonin se Putini kishte shpallur mobilizim të pjesëshëm dhe kishte aluduar përplasje bërthamore, kurse Antonio Guterres kishte hapur asamblenë e përgjithshme të OKB-së duke paralajmëruar një dimër trazirash dhe pakënaqësie globale.
Afrimi i dimrit, mendova, ka ngjallur pasiguri, ndruajtje e frikë, qysh në kohët parske. Dhe s’dija të thoshja: kjo prirje për të filozofuar, duke i ikur të sotmes e duke shkuar në histori e prehistori, buronte nga intelekti apo nga emocione që s’para i kanë hije burrit si frikërat e pasiguritë?
Please follow and like us: