Albspirit

Media/News/Publishing

Poezia e Sandra Simonds vjen në shqip nga Senad Guraziu

TERAPIA
Sandra Simonds [ ShBA ]

Të gjitha rrëfimet kryesore të mendjes
në një varkë me rrema,
dhe varka e bukur po aq sa këneta që shkëlqen
nga gjethe zambaku të ujërave të zeza,
rrjedha nga birucat e kështjellave,
duke u shpalosur si gjë-e-gjëzat e ujit,
kokat prej plasteline të amfibëve,
lëkurat e spërkatura të entuziazmit fetar
dhe barërat e këqija të mprehta brisk.
Të gjitha rrëfimet kryesore të trupit
në një varkë me rrema
në fund të kënetës që s’ka gjymtyrë.
Të gjitha rrëfimet kryesore të shpirtit
në qiell-varkën që pasqyron kënetën foshnjore,
retë e ndyrësisë, tokën e thurur si tupelot*
dhe alfabetët e përmbysur.
Të gjitha rrëfimet kryesore të lëkurës
në një varkë me rrema
brenda një arkivoli pishe në ujërat kënetore.
Të gjitha rrëfimet kryesore të mendimit
si një grua që thotë, “Unë zgjedh lidhje
dashurish të papërshtatshme”.
Të gjitha rrëfimet kryesore të strukturës
dramatike në llucë-kënetën,
kundër flamujve të lagësht që rrahin erën.
Të gjitha rrëfimet kryesore të mitologjisë,
siç i rrëfen im bir, “dhe pastaj
u shndërrua në një ujk shumë të madh*”,
“Mendoj se ishte shumë i trishtuar”,
“Edhe ai ka ndjenja, ti e di këtë”,
“Mendoj se ishte i trishtuar sepse
qe bllokuar brenda dyerve”,
“Oh zoti im, paska Fenrir* të ndryshëm”,
“Fenriri i Lokit* u takua me një Fenrir tjetër”,
“A janë ujqërit pjesë e familjes së maceve”?
“Hej, shihni në telefonin tuaj nëse mund
t’i ndryshojnë format sepse këta
duken ndryshe nga Fenriri i vërtetë”,
“Shih atë foton e bardhë, ku ai është në majë?
Bëhet gjigant dhe përpiqet të hajë diellin“.
“Oh, ky është një Fenrir i ashpër”,
“Mendoj se i bindet gjarprit”,
“Tani është Fenrir i trishtuar”,
“Apo mbase Loki shndërrohet në gjarpër”,
“Oh, Loki, a je Zot i ligësisë”?
“Mendoj se ata mund t’i ndryshojnë format”.

– – –
© S. Simonds – Burimi: Revista “Poetry” (Qershor 2016), via Poetry Foundation, ShBA
© për përkthimin: S. Guraziu – Ars Poetica, 2019

– – –
* Loki – (mit. skandinave) perëndia i mashtrimit, nganjëherë i keq e djallëzor, ndër tjera qenie dhe krijesa që ishin pasardhës të tij, Loki ishte dhe babai i ujkut të madh, i përbindëshit të tmerrshëm Fenrir – në filmat e dekadës së fundit ardhur nga “fletoret vizatimore” të Marvel (me emrin e përbashkët “Thor”, dmth. i biri i Kryezotit Odin, zot-trimi me çekanin fluturues, perëndi i qiellit dhe bujqësisë) që të dy, edhe Loki edhe Fenrir janë kapërthyer si “protagonistë” të imagjinatës hollivudeske, bazuar dmth. nga burimet e mitologjisë skandinave, industria e Hollivudit i paraqet mjaft bukur si “truk” vizual e narrativ.
* Fenrir – (ujk monstruoz, i biri i perëndisë Loki) në mit. skandinave ishte e parathënë që Fenrir ta vriste Kryezotin Odin gjatë ngjarjeve apokaliptike të Ragnarok, por hëpërhë do t’vritej ai vetë nga njëri prej djemve të perëndisë Odin…
* tupelo – një lloj druri i Amerikës së Veriut dhe i Azisë që rritet ndër vende me lagështi të madhe
(sguraziu)

Please follow and like us: