Shërbimi Ushtarak, një shteg për marrjen e nënshtetësisë amerikane nga shqiptarët
Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both (na shkruani në kieranboth@verizon.net)
Military Accessions Vital to the National Interest (MAVNI) është një program rekrutimi i Departamentit të Mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara, nëpërmjet të cilit rekrutohen për shërbim ushtarak në SHBA, jo-emigrantë të ligjshëm (persona që nuk janë nënshtetas apo rezidentë të ligjshëm të përhershëm të SHBA-së) të cilët kanë aftësi të caktuara të një rëndësie vendimtare. Programi në fjalë (MAVNI) u lejon disa personave të caktuar jo-nënshtetas që gjenden në mënyrë të ligjshme në SHBA që t’i bashkohen forcave të armatosura të Shteteve të Bashkuara në këmbim të së drejtës për të marrë nënshtetësi amerikane.
Programi është për ata të huaj me aftësi kyçe në fusha të caktuara që kanë të bëjnë me kujdesin shëndetësor si dhe për ata që janë ekspertë në disa gjuhë të caktuara. Ushtarët që kanë njërën prej gradave të ushtrisë dhe janë rekrutuar përmes këtij programi, bëhen zakonisht nënshtetas të Shteteve të Bashkuara, në fund të programit të trajnimit bazë ushtarak (BCT). Dikush që është jo-emigrant ose ka statusin e azilantit, refugjatit apo statusin që ofron mbrojtje të përkohshme TPS dhe bëhet pjesë e forcave të armatosura, falë këtij programi mund të futet direkt në shtegun që të çon drejt marrjes së nënshtetësisë.
Forcat e armatosura të SHBA-së kërkojnë që personi që bën pjesë në programin MAVNI të paraqesë formularin N-400, “Application for Naturalization.” Që personi në fjalë të përmbushë me sukses programin MAVNI, duhet të aplikojë për natyralizim përmes Shërbimit të Emigracionit dhe të Nënshtetësisë së SHBA-së (USCIS-it) si dhe të përmbushë të gjitha kërkesat për natyralizim. Standartet për nënshtetësinë amerikane ndryshojnë nga kërkesat për programin MAVNI dhe janë më të gjera.
Një jo-emigrant me status F ose M që po mendon të aplikojë në programin MAVNI duhet të ketë parasysh që as regjistrimi në programin MAVNI dhe as paraqitja e formularit N-400 nuk të japin status emigranti. Një jo-emigrant F që në kohën kur u fut në programin MAVNI mbante statusin F ose M, mund të qëndrojë në Shtetet e Bashkuara sa kohë që aplikimi për nënshtetësi është ende në pritje të një vendimi. Personi i regjistruar në programin MAVNI duhet të përdorë formularin N-400 për të aplikuar për nënshtetësi sapo të jetë futur në detyrë (dmth pasi të ketë raportuar për të marrë pjesë në trajnimin bazë). Dorëzimi i aplikimit i siguron personit të regjistruar mundësinë që të vazhdojë të qëndrojë në mënyrë të ligjshme në Shtetet e Bashkuara sa kohë që aplikimi që ka paraqitur është në pritje të një vendimi.
E drejta për natyralizim nën programin MAVNI nuk vlen për personat që i regjistruari ka në varësi. Por, në momentin që natyralizohet, i regjistruari në MAVNI mund të paraqesë formularin I-130 për bashkim familjar. Nëse personi në varësi gjendet në SHBA, ai ose ajo mund të paraqesë formularin për green card I-485, Application to Register Permanent Residence or Adjust Status.
Një student me status F-1 ose M-1 nuk mund ta mbajë statusin e studentit pasi ka filluar trajnimin bazë pranë forcave të armatosura të SHBA-së. Zyrtari në shkollën përkatëse e mbyll faqen e sistemit SEVIS, e cila përmban të dhënat e studentit që ka status F1 ose M1 në momentin që studenti nuk mund ta mbajë më statusin e studentit, pra nuk mund të ketë më statusin F1 ose M1.
Një student me status F1 ose M1 mund të mbetet aktiv në sistemin SEVIS edhe pas regjistrimit në MAVNI sa kohë që përmbush kërkesat e statusit përkatës F1 ose M1. Gjithashtu, një student F-1 ose M-1 që hyn në ushtri nuk dërgohet menjëherë për të filluar trajnimin bazë ushtarak për të paktën 180 ditë. Studentit duhet t’i lejohet të ruajë statusin F-1 ose M-1 (gjithnjë nëse i përmbush kërkesat) derisa të niset për të kryer trajnimin bazë ushtarak.
Nëse dikush që ka aplikuar për t’u futur në MAVNI nuk e kalon trajnimin bazë ose nuk merr aprovimin për nënshtetësi, ai ose ajo duhet të bëjnë njërën nga sa vijon: të marrë një status të ri; të largohet nga SHBA-ja; ose të rimarrë statusin joemigrues që kishte përpara regjistrimit në MAVNI. Dikush që kërkon që t’i rikthehet statusi i mëparshëm joemigrues F ose M, duhet të paraqesë formularin I-539, “Application To Extend/Change Nonimmigrant Status.” USCIS-i do të shqyrtojë më vete situatën e secilit aplikant. Aplikanti duhet të paraqesë prova që dëshmojnë që mossuksesi në kryerjen e programit MAVNI ishte pasojë e rrethanave që dilnin jashtë kontrollit të aplikantit në fjalë. Dikush që përjashtohet për arsye mjekësore mund të aplikojë dhe të marrë vizë vizitori B-2 në mënyrë që të ketë kohë të vërë në vijë çështjet personale.
Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është kieranboth@verizon.net