Referendumi rus si një prelud i përshkallëzimit të luftës në Ukrainë?
Ruben Avxhiu, Illyria Post
Katër territore të pushtuara nga Rusia në Ukrainë kanë shpallur “referendum” për të ardhmen e tyre, në data 23-27 shtator.
Sipas të gjitha gjasave do të shpallin bashkimin me Rusinë.
Kjo nuk është diçka e re. Rusia ka organizuar referendume në dy krahina që ia ka pushtuar Gjeorgjisë, të cilat prej 14 vjetësh pretendojnë se janë shtete më vete, ndonëse nuk njihen as nga vendet më mike me Rusinë.
Edhe në Ukrainë, Rusia ka pretenduar se dy krahinat e pushtuara, Luhansk dhe Donesk janë shtete më vete.
Megjithatë, vëshguesit e zhvillimeve në Ukrainë druhen se referendumi këtë radhë do të jetë prelud i një përshkallëzimi të luftës në Ukrainë.
Duke i shpallur këto krahina si pjesë integrale të Rusisë, Putini mund të pretendojë se nuk është më ai pushtuesi por është Ukraina që në përpjekje për të çliruar vendin është duke sulmuar Rusinë.
Që nga data 27 shtator, ai mund të quajë këto territore “Rusi” dhe të pretendojë se po sulmohet.
Kjo mund të ketë dy rrjedhime.
E para, deri tani Rusia ka pasur vështirësi në dërgimin e trupave në front. Sipas ligjit, të rinjtë rusë mund të dërgohen për luftë jashtë vendit vetëm nëse shkojnë vullnetarisht. Nëse këto pjesë të Ukrainës konsiderohen si “Rusi”, atëhere Putini mund të detyrojë të rinjtë e moshës së ushtrisë që të shkojnë të gjithë në luftë.
Kjo do t’i siguronte dhjetra mijëra trupa të freskëta për t’i hedhur në frontin ukrainas.
E dyta, duke i shpallur këto territore “Rusi”, Putini mund të kërcënojë vendet perëndimore për sulm ndaj Rusisë nëse ndihmojnë Ukrainën në luftë.
Me këtë ai mund të trembë atë pjesë të elektoratit në demokracitë që druhet se ndihma ndaj Ukrainës do të sjellë luftë me Rusinë.
Zyrtarët e Kremlinit kanë thënë disa herë se Rusia do të përdorë armë bërthamore vetëm nëse sulmohet brenda territorit. Mirëpo, nëse “territori” zhvendoset që ta përfshijë Ukrainën atëhere kjo mund të përdoret si pretekst.
Sot në darkë, Presidenti Vladimir Putin do të mbajë një fjalim, ku do të flasë për këto referendume dhe të sqarojë se si mund të ndryshojnë ato vazhdimin e luftës.
Tani, dihet që këto referendume janë një teatër propagande. Këto krahina ndodhen në gjendje lufte dhe nuk kanë mundësi të organizojnë votime të rregullta dhe të lira. Ato do të organizohen nga të dërguar të Kremlinit nën kërcënimin e armëve, pa përfaqësues nga Ukraina, OKB etj.
Ato nuk do të njihen nga komuniteti ndërkombëtar. Nuk do të njihen jo vetëm nga SHBA dhe Europa, por nuk do të njihen as nga Kina, India, nga aleatët e Rusisë e nga mbarë bota.
As nuk do të sjellin ndonjë ndryshim në sjelljen e Ukrainës dhe të mbështetjes nga Perëndimi. Rusia duhet ta kuptojë se shantazhi bërthamor nuk do të japë asnjë rezultat, sepse përndryshe do të hapte lojën e shantazheve të tilla, si një precedent që do të ishte fundi i sistemit ndërkombëtar ashtu si e njohim.
Deri tani Kremlini nuk ka dashur të urdhërojë mobilizimin e përgjithshëm jo se i kursen të rinjtë rusë që gjithmonë i ka përdorur si mish për top, por sepse druhet se një mobilizim i përgjithshëm mund të sjellë rrëzimin e regjimit dictatorial të Putinit.
Të gjithë ata që do të mobilizoheshin kanë lindur pas ardhjes në pushtet të Putinit. Është normale për Rusinë që të ëndërrojë një udhëheqje të re. Një ndryshim në krye të vendit. Për fatin e regjimit, apatia sociale, mungesa e organizimit dhe bashkimit të masës së të rinjve ka lehtësuar shtypjen me dhunë të protestave dhe rebelimeve.
Duke e mbledhur të gjithë rininë në një vend. Duke e armatosur dhe nisur drejt vdekjes së kotë, regjimi është duke vënë një bast të rrezikshëm. Mund të jetë duke krijuar forcën që do ta përmbysë në fund.
Në Dumën Ruse është përgatitur me nxitim një ligj që dënon ashpërsisht ata që dorëzohen në front, e ata që i shmangen mobilizimit.
Ashtu si jashtë vendit, edhe brenda Rusisë, regjimi i Putinit nuk di shumë si të joshë e të frymëzojë. Kërcënimi është mjeti i preferuar, dëshmi e një regjimi që të venitur që i ka humbur fantazia dhe qetësia.
Ka vëzhgues që shohin te ky referendum edhe shenjat e fundit të luftës. Heqjen dorë përfundimisht nga eliminimi i Ukrainës si shtet dhe komb, nga pushtimi i pjesës jugore, nga krijimi i një korridori me pjesën proruse të Moldavisë e fantazi të tjera gjeopolitike të Kremlinit.
Sipas tyre, referendumet sinjalizojnë që Moska po thotë, kaq morëm, nëse na dëboni edhe që këtu do të sjellim Ferrin mbi ju.
Shpejtësia me të cilën Rusia humbi mijëra kilometra katrorë në zotërim dhe rreziku se një ofensivë e dytë ukrainase mund të çlirojë shumicën e Ukrainës mund të ketë krijuar panik në Kremlin dhe vendosmërinë për ta rritur koston e një humbjeje të tillë.
Në Samitin e fundit, Putini u përball me padurimin e kundërshtarëve të tjerë të Perëndimit lidhur me Ukrainën. Ai ishte qartësisht nën presion nga udhëheqësit te të cilët është mbështetur në këto muajt e fundit. Nuk është çudi që të jetë kthyer me mendimin për të hartuar një shteg për daljennga konflikti si “fitimtar”.
Por mund të jetë kthyer edhe me mendimin për t’u treguar të gjithëve se nuk është ashtu si doli, një figurë e dobësuar nga humbjet në Ukrainë. Se është ende zotëruesi i arsenalit më të madh bërthamor në botë dhe se mund të shkatërrojë jetën e qindra miliona njerëzve nëse vendos.
Të gjitha këto sigurisht janë hamendje, bazuar në informacione të kufizuara dhe gjykime nga larg mbi politika, synime, e mendësi jo fort të arsyeshme. Përpara mund të jetë një dimër mizor. Çdo zhvillim për momentin duket se vlen vetëm për të zbuluar shkallën e mizorisë.