Cikël poetik nga Avdush Canaj
MAGjIKE
Me violinën time
magjike
buzëqeshin
faqet e luleve
e bëhen këngë
në korin e harabelave.
ERA NË TREN
Kur lodhet era
hipën në trenin e shpejtë.
Te dera e pyllit ndalet,
aty e ka shtëpinë.
Bija e vet, puhiza,
e pret në dritare të lisit,
duartroket si unë:
Erdhi mamajaaaaaaa!
LIRA E SHIUT
Ftoi është vjeshta
Edhe rrushi ëmbëlushi
Edhe dardhushja
Edhe buzëkuqi i shegës
Vjeshta
Zog nën çadër
me lirën e shiut.
NË DURRËS
Një sirenë më vathë guace
më gostiti me buzëqeshje
Gugurimën e zemrës ia fala
Jo në ëndërr
në Durrës te palma
Valët në breg
luanin me diellin.
ÇATIA E QIELLIT
Nga çatia e qiellit
Zbriti pulëbardha
Në dorën time
Nën çadër të palmës
Ma fali
Përallën prej valësh.
ÇELËSI I ËNDRRAVE
Kur dielli zgjohet nga gjumi
çelësin e ëndrrave e fsheh
pas bregut,
te pragu i luleve!
Kështu më ka thënë
një harabel më kitarë.
Do të shkoj sot tek ai breg
ta marr veç një ëndërr,
t`ia fal zogut të qershisë
për ditëlindjen e parë.
NË ÇIKALLESH
Në Çikallesh
shiu buzëqesh
buzëqesh shiu
Gocat belhollë
faqet me mollë
me mollë faqet
Këtu çdo ditë
të përqafojnë kumritë
të bukurat
S’dinë ta kthejnë shpinën
ta falin gugurimën
gushëbardhat
Pa dry shtëpitë
lulëzojnë dashuritë
hapin gonxhet me rend
N’Çikallesh të Elbasanit
buzëqesh syri i shiut
te dritarja e tulipanit
ai sy blerush.
Çikallesh, 18 shtator 2022.
FUSTAN MELODIE
Ajo që buzëqesh
në dritare,
nuk është
manushaqe,
as hënëz vere,
është
Aria e gjyshit-
poezi e kaçureltë
me fustan
melodie.
KËMISHËN E KAM SI FLAMURI
Ani pse u linda larg
Kështu e deshi fati
Atdheu im është Dardania
Në pallatin mbi re
Gjumin e bëj shqip
Me ëndrra ilirishte
Këmishën e kam si flamuri
Plisin borë Sharri
Pak zemër ia fala verës
Një pulëbardheje nga Vlora
Saherë më thërret në telefon
Deti këndon te bregu.
LULËKUQET
Lulëkuqet
Këmisha të gjakut
Të lirisë
Në mes të grurishtës
Kur zbret nata
Yjet ndezin
Për të rënët.
TI S`E DI SE JE I MADH
Ti s`e di ku e lë çelësin dielli?
Fluturat
ku i çepin fustanet me ëndrra?
Shtëpitë e zogjve
ku janë e ku s`janë?
Në ç`planet gjendet
shkolla e buburrecit?
Tabelën e shumëzimit
a e dinë fluturat?
Ku e bën çiçin peshku i vogël?
Unë e di s`e jam i vogël,
Ti s`e di s’e je i madh!
Ti s`e di!
S`e di!
RRITESH PËR NJË PUTHJE
Je yll i mamit e i babit
në planetin e përqafimeve
Rritesh për një puthje
për një miklim me dorë puhije
Melodi e zemrës je
kënduar nga babi dhe mami
në takimin e parë.
TË KESH DITËLINDJEN
Është mirë të kesh ditëlindjen
Është mirë
Shtëpia blerohet me urime
Dhurata e përqafime
Dëgjohet edhe një kitarë
Unë kapidan i klasit të parë
Vjen edhe Bela
Monaliza e klasës
Ma afron faqen
E ëmbëla
Në vesh më çuçurit
Yll me kaçurrela
Unë asaj
Ëndrra ime je
Ajo mua
Nesër te liqeni më ke
I kam hapur krahët me pranverë
Po e pres këtë ditë
Të më trokas në derë.
FYELL
S`kam asgjë,
fyell jam.
Të kam ty kënga ime
ty
dhe jam i pasur.
Zëri yt
dëgjohet larg.