Albspirit

Media/News/Publishing

Shaban Murati: Sfidat e rrezikshme të rusofilisë serbe

Do të duhej sfida e re e hapur antiperëndimore e Serbisë për forcimin e aleancës me Rusinë duke nënshkruar tani në Nju Jork marrëveshjen dypalëshe të bashkëpunimit ruso-serb në politikën e jashtme, që diplomacia perëndimore të zgjohej nga letargjia diplomatike dhe të kuptonte që kupa e durimit për rusofilinë e Serbisë jo vetëm është mbushur, por po derdhet me zhurmë.

Ministri i jashtm rus Sergej Lavrov dhe ministri i jashtëm serb Nikolla Selakoviç nënshkruan në 23 shtator në selinë e OKB marrëveshjen dypalëshe për konsultimet dhe bashkëpunimin në fushën e politikës së jashtme për vitet 2023-2024. Këtë marrëveshje dypalëshe Rusia dhe Serbia mund ta kishin nënshkruar si rregull në Moskë ose në Beograd, por qëllimisht zgjodhën ta nënshkruajnë në Nju Jork për t’ia bërë karshillëkun më të madh Perëndimit dhe për t’i provuar se aleanca strategjike me Rusinë është prioriteti numur 1 i Serbisë dhe jo BE.

Sfida e Serbisë ishte direkte dhe fyese ndaj BE, sepse e bënte një shtet kandidat i BE, i cili ka detyrimin që të harmonizojë politikën e jashtme me atë të BE, kurse Serbia po e harmonizon me Rusinë, e cila po zhvillon një agresion ushtarak kundër Ukrainës dhe kundër Europës. BE reagoi fort nëpërmjet zëdhënësit të saj Peter Stano, i cili deklaroi në 26 shtator se marrrëveshja e re midis Serbisë dhe Rusisë shkakton shqetësime serioze.

“Marrëdhëniet me Rusinë nuk mund të zhvillohen sikur nuk ka ndodhur gjë, në kohën kur Rusia po zhvillon një agresion kundër një shteti kandidat të BE si Ukraina”, theksoi Stano.

Raportuesi i Parlamentit Europian për Serbinë, Vladimr Bilçik, deklaroi në 26 shtator se konsultimet e planifikuara midis Serbisë dhe Rusisë janë një goditje e madhe për procesin e anëtarësimit në BE, në kohën që Rusia është mobilizuar të sulmojë një shtet kandidat të BE, Ukrainën, dhe kur Rusia po sulmon zgjerimin e BE.

Raportuesja e Parlamentit Europian për Kosovën, Viola fon Cramon, në 26 shtator e cilësoi një skandal serioz faktin që Serbia nënshkruan planin e bashkëpunimit të mëtejshëm me Rusinë në mesin e një lufte të shpërthyer nga Rusia. Raportuesja e parlamentit europian Cramon  bëri thirrje që BE të ngrijë bisedimet e pranimit me Serbinë, sepse “hyrja në BE nuk kalon nga Moska”.

Sfida e re e Serbisë për bashkëpunimin me Rusinë në fushën e politikës së jashtme ka krijuar shqetësime serioze edhe në Uashington. Ambasadori i SHBA në Beograd, Kris Hill, deklaroi në 26 shtator se SHBA po presin shpjegime nga Serbia lidhur me marrëveshjen e re ruso-serbe. ”Në momentin e tanishëm askush nuk duhet të firmosë asgjë me Rusinë”- theksoi ambasadori amerikan, duke shprehur papajtueshmërinë e SHBA me aktin e ri prorus të Beogradit. Lidhur me qendrimin  amerikan portali rus “ruserbia.com” raportonte në 26 shtator se “ambasadori i SHBA në Beograd i kërkon llogari udhëheqjes së Serbisë”.

Pavarësisht se i vonuar, reagimi kolektiv i diplomacisë perëndimore ndaj kësaj sfide arrogante ruso-serbe ka domethënien e vet pozitive. Është pozitive, sepse diplomacia perëndimore më në fund po e kupton se heshtja e saj ndaj provokimeve filoruse të Serbisë që nga nisja e agresionit ushtarak rus në Ukrainë, ka inkurajuar Beogradin në forcimin e përditëshm të aleancës strategjike me Rusinë në dëm dhe kundër të integrimit europian të Serbisë.

Presidenti i Serbisë Vuçiç jo vetëm nuk e ka dënuar personalisht asnjëherë agresionin ushtarak rus në Ukrainë, por ka shtatë muaj që çdo ditë vetëm shan dhe sulmon vendet e NATO-s dhe të BE për ndërhyrjen humanitare perëndimore në vitin 1999. Dhe askush nuk i përgjigjet. Në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithëshme të OKB në 22 shtator, (sesioni i parë i Asamblesë pas nisjes së agresionit rus), presidenti Vuçiç jo vetëm nuk e dënoi agresionin ushtarak rus në Ukrainë, por as emrin “Rusi” nuk guxoi ta zerë me gojë, në një kohë që shumica e presidentëve dhe e kryeministrave, që folën në Asamblenë e Përgjithëshme të OKB, dënuan me forcë agresionin dhe krimet e Rusisë në Ukrainë.

Reagimi i tanishëm i diplomacisë perëndimore ndaj marrëveshjes së re ruso-serbe në fushën e politikës së jashtme ka rëndësi, sepse shënon një moment të ri të së vërtetës që Perëndimi po e kupton se kursi i tolerancës, i joshjes dhe i indulgjencave të pamerituara, që BE ka ndjekur ndaj Serbisë në vite e dekada, nuk ka pasur asnjë efekt në europianizimin e udhëheqjes serbe dhe të shoqërisë serbe, të cilët e treguan filorusizmin e tyre me rreshtimin flagrant me Rusinë agresore.

Presidenti serb Vuçiç ka refuzuar me arrogancë të bashkohet me sanksionet e BE kundër Rusisë, megjithëse i kanë bërë thirrje të vazhdueshme udhëheqësit më të lartë të vendeve më të fuqishme të BE si dhe të gjitha institucionet europiane. Udhëheqja serbe lejoi që brenda shtatë muajve nga agresioni rus, Moska të hapë me shpejtësi në Serbi rreth njëmijë kompani të reja ruse me emra serbë me qëllim që Rusia të thyejë sanksionet europiane.

Serbia ka refuzuar gjatë shtatë muajve të agresionit rus që të bashkohet me 25 deklarata të BE, të cilat dënonin agresionin rus në Ukrainë. Këtë qendrim skandaloz antieuropian e mban një shtet kandidat i BE dhe burokracia diplomatike e BE nuk ka reaguar. Shteti kandidat i BE, Serbia, guxon të nënshkruajë marrëveshjen e re të bashkëpunimit me Rusinë në politikën e jashtme në kulmin e agresionit ushtarak rus në Ukrainë dhe  në kulmin e konfliktit gjeopolitik midis Rusisë dhe Europës. Nënshkruan këtë marrëveshje me shtetin agresor, në një kohë që Moska po kërcënon çdo ditë Europën dhe Perëndimin me armët dhe me luftë bërthamore.

Në kohën që gjithë diplomacia e lartë europiane dhe perëndimore e izoloi dhe refuzoi të takonte në Nju Jork ministrin e jashtëm rus pikërisht për shkak të agresionit rus në Ukrainë, presidenti Vuçiç zhvilloi atje bisedime me Lavrovin, ku sipas njoftimit të ministrisë së jashtme ruse në 23 shtator, “të dy u pëqendruan në zhvillimin e mëtejshëm të dinamikës së marrëdhënieve ruso-serbe dhe thellimin e partneritetit strategjik midis Rusisë dhe Serbisë”.

Dhe si dëshmi të re të këtij thellimi të partneritetit strategjik, po atë ditë Rusia dhe Serbia nënshkruan marrëveshjen dypalëshe të  bashkëpunimit në fushën e politikës së jashtëme.

Sfida antiperëndimore e Serbisë për forcimin e mëtejshëm të aleancës strategjike me Rusinë ka në domethënien e saj dëshminë e pamohueshme që  Serbia e ka bërë çvendosjen e saj nga integrimi në BE te integrimi me Rusinë. Në 25 shtator portali i njohur “intellinews.com“ shkruante se nënshkrimi i planit të konsultimeve me ministrinë e jashtëme ruse “është planifikuar të japë sinjalin që Serbia nuk po lëviz drejt Perëndimit”.

Shumë vonë për të pranuar një realitet, për të cilin diplomatë dhe analitika serioze rajonale dhe ndërkombëtare kanë tërhequr vëmendjen prej kohësh.

Çështja më kryesore, që rezulton nga harmonizimi i politikave të jashtme të Rusisë dhe të Serbisë me marrëveshjen e re, është konfirmimi i Serbisë si ushtar strategjik i Rusisë për zbatimin e planit të ri të rrezikshëm rus të destabilizimit dhe të konflikteve në Ballkan. Në këtë klimë ruso-serbe duhet parë zhvillimi negativ, që Serbia po provokon me shpejtësi tensionet e reja në dy vatrat kryesore të menexhuara nga Beogradi: në Bosnjë-Hercegovinë dhe në Veriun e Kosovës. Serbia po i shërben haptazi Rusisë në strategjinë luftënxitëse në Ballkan, duke kërcënuar me luftë Kosovën dhe duke nxitur konfliktin e ri etnik në Sarajevë. Në përputhje me harmonizimin e politikës së jashtëme midis Rusisë dhe Serbisë, Beogradi po luan rolin e instrumentit kryesor rus në Ballkan  për të krijuar tensione dhe probleme për NATO-n dhe BE-në në rajon, duke destabilizuar kufijtë dhe vendet anëtare të NATO-s dhe të BE.

Dëshmi e satelitizmit prorus të Serbisë dhe e arrogancës të ushqyer nga Kremlini, është fakti që mikroshteti me emrin Serbi iu kundërpërgjigj me megallomani denoncimit të Perëndimit për marrëveshjen e re ruso-serbe të bashkëpunimit në fushën e politikës së jashtme. Media proqeveritar serbe “B92” njoftonte në 27 shtator se presidenti Vuçiç po përgatit një fjalim të ashpër kundër BE lidhur me shqetësimet, që BE shprehu për marrëveshjen e re ruso-serbe. Ministri i jashtëm i Serbisë Selakoviç deklaroi në 25 shtator se Perëndimi e ka marrëveshje ruso-serbe si pretekst për të sulmuar dhe për të disiplinuar Serbinë.

Marrëveshja e re për bashkëpunim midis Rusisë dhe Serbisë në fushën e politikës së jashtme paralajmëron një seri të re acarimesh dhe tensionesh në Ballkanin  Perëndimor. Agresiviteti i Serbisë po vjen në rritje dhe ne po e shohim çdo ditë këtë në provokimet diplomatike, diversioniste dhe ushtarake të shtetit dhe të presidentit Vuçiç kundër pavarësisë së Kosovës.

Provokimi më i ri ballkanik i Serbisë është ai i datës 26 shtator kur ministri i jashtëm serb Selakoviç në mënyrën më të pacipë i drejtoi Kroacisë  kërkesën që të tërheqë njohjen e shtetit të Kosovës. Rusia është zjarri që po ngroh agresivitetin serb ndaj të gjitha shteteve të rajonit, Kosovës, Bosnje-Hercegovinës, Malit të Zi, Kroacisë, etj.

Në këto situata të alarmit të drejtë diplomatik të Perëndimit kolektiv dhe të shteteve perëndimore ndaj rusofilisë agresive të Serbisë, stonon në mënyrën më uluritëse zëri i vetmuar proserb i qeverisë së Shqipërisë, e cila nuk dihet për çfarë motivesh ka zgjedhur të jetë i vetmi shtet europian anëtar i NATO-s, që po mbron me ethe në arenën ndërkombëtare Serbinë dhe presidentin serb.

Në datën 23 shtator, ditën kur Serbia dhe Rusia nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit në politikën e jashtme dhe kur në zyrat shtetërore dhe diplomatike perëndimore u ndez alarmi për këtë zhvillim negativ antiperëndimor, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama në një intervistë me një emision radiofonik britanik doli kundër presionit perëndimor ndaj Serbisë për lidhjet ruso-serbe. Argumenti i tij shvejkian ishte që, nëse perëndimi ushtron presion dhe e shtyn Serbinë përtej një kufiri të caktuar që të vendosë sanksione ndaj Rusisë, do të ndodhte që Putini të përdorte ndikimin e tij për të trazuar rajonin.

Absurditeti diplomatik, shtetëror dhe kombëtar i kryeministrit të Shqipërisë arrin kulminacione me deklaratën apologjetike për lidhjet ruso-serbe: “Të kërkosh së tepërmi dhe shumë shpejt nga Serbia mund të kishte rezultate katastrofike për Ballkanin Perëndimor”. Ky alogjizëm rrjedhimisht shpie te sugjerimin unik qeveritar shqiptar që lidhja dhe aleanca strategjike e Serbisë me Rusinë shpëtoka rajonin nga “rezultatet katastrofike”.

Në këtë derexhe prej rajai nuk kanë arritur dhe nuk po e mbrojnë Serbinë në arenën ndërkombëare as kryeminisri filoserb i Maqedonisë së Veriut Kovaçevski, as kryeministri filoserb i Malit të Zi Abazoviç, madje këtë nuk po e bën as udhëheqësi radikal i serbëve të Bosnjës, Dodik. Vetëm Shqipëria çan rrugët e pashkelura të servilizmit shtetëror ballkanik ndaj Serbisë.

Kemi në Tiranë një fenomen të dëmshëm antihistorik, i cili ka dy aspekte. Së pari, nënshtrimin dhe satelitizimin e udhëheqjes së Shqipërisë nga udhëheqja e Serbisë. Së dyti, kemi mbrojtjen nga Shqipëria të aleancës serbo-ruse dhe të rolit të Serbisë si ushtar strategjik të Rusisë dhe të veprimtarisë e politikës ruse në Ballkan.

Reagimi dhe dënimi i tanishëm i fuqishëm i diplomacisë dhe i shteteve perëndimore ndaj marrëveshjes së re të forcimit të aleancës strategjike të Serbisë me Rusinë është një zhvillim pozitiv. Serbia dhe presidenti i saj Vuçiç janë instrumenta në veprim të politikës agresive ruse në Europë dhe në Ballkan.

Nëse Europa dhe Perëndimi do të duan efektivitet në strategjinë e tyre të frenimit dhe të neutralizimit të influencës ruse në Ballkan, duhet që të rrisin ritmet e presioneve ndaj Serbisë për ta detyruar atë të shkëputet nga shërbimi strategjik ndaj Rusisë. Serbia dhe poltika serbe nuk kanë më asnjë alibi për të fshehur dhe për të justifikuar filorusizmin e tyre.

Sfidat e përbashkëta antiperëndimore të Rusisë dhe të Serbisë kërkojnë përgjigje dhe veprime të vendosura të diplomacisë dhe të shteteve perëndimore ndaj Rusisë dhe ndaj Serbisë. Vetëm kështu mund të mbrohen interesat strategjike të BE, të NATO-s dhe të Perëndimit në Ballkan./gazeta dita

Please follow and like us: