Albspirit

Media/News/Publishing

Brikena Bogdo: Hipnoza e turmës!

Hipnoza është një gjendje e veçantë, gjumi, në të cilën vëmendja, shkalla e përqëndrimit dhe e sugjestionimit është shumë e lartë. Pergjatë historisë dhe aktualisht, kemi njohur disa  hipnoza turmash; fetare, ideologjike, politike, psikologjike, mediatike, etj.

Kur hipnoza bie në duar sharlatanësh, që me çdo kusht e mjet kërkojnë pushtete dhe dominime, hipnoza e turmës bëhet e rrezikshme.

Hipnoza politike. Individi dhe masa? Individi, apo masa? Individi brenda masës? Këto janë debate të politikës. Por, një gjë është e sigurtë, që janë këto dy kategori, të cilatn ndajnë të majtën dhe të djathtën, në sistemin politik. Të dy, edhe individët, edhe masa janë të hipnotizueshëm dhe të sugjestionueshëm, por me një ndryshim thelbësor; fuqia e turmës është e shumëfishuar, si në efektet pozitive, ashtu edhe në frikërat, inatet, zemërimet, përmbysjet, pasiguritë, paqartësitë kolektive.

Ky koncept ka filluar me patricë e plebej, skllavopronarë e skllevër. Në shekullin e 17-të, me mbretin (e djathta), apo kundër mbretit (e majta). Në shekullin e 19-të  skllevërit u rritën në numër, u bënë të ndërgjegjshëm që arritën disa fuqi, të drejta dhe u afirmuan si shtresë. Kështu u shndërruan në proletariat. Mund të quhet skllav i ri, një tip supernjeriu, pa mëshirë e ndjenja faji, Këtu filluan edhe reagimet e  filozofëve, që nuk e pranonin këtë dominim skllavist.

Filozofët e shekullit të 19-të, i quajtën “turmë”, me konotacion negativ. Sipas  tyre, individi i përfshirë, në turmë, bie disa rradhë poshtë në shkallët e civilizimit. “ I izoluar, ai është një individ i kultivuar. Në turmë, ai është një barbar, një krijesë që vepron me instinkt. Ai zaptohet nga spontaneiteti, nga violenca, egërsia dhe nga entuziazëm-heroizmi primitiv, duke e lejuar veten, të impresionohet nga fjalët dhe imazhet” – thoshte Gustav Le Bon, pasardhës i revolucionit Francez (1841-1931).

Ishin pikërisht, rritja e fuqisë së proletariatit-turmë dhe rritja e aftësisë e qëllimit të hipnotizuesit, për ta hipnotizuar turmën, që solli, si rrjedhojë, shpërthimin e luftrave botërore të shekullit të 20-të. Shpesh herë, personaliteti sugjestiv sajohet për të përdorur turmën. Hitleri kishte si qëllim imponimin e imperializmit nacionalist, përmes metodash të huazuara nga marksizmi dhe teknika e tij e organizimit të masave.

Më pas, komunizmi rezultoi hipnoza ideologjike e masave, më shkatrrimtare e kohrave.

Aktualisht është globalizmi, molla e sherrit midis të majtës dhe të djthtës. Ajo çka ishte “roli i masave”, në propagandën komuniste, sot është “globalizmi i masave”.  Por “globalizmi” nuk ka mbetur sot vetëm në terma dhe propagandë, për fuqizimin e masave, por janë ndërmarrë hapa konkrete dhe aktive shpërngulje turmash, në emër të fuqizimit të masave. Sigurisht, kjo ka shkaktuar reagime të ashpra të së djathtës, në Europë, që janë për ruajtjen e identiteteve kombëtare, të cilët i konsiderojnë këto politika emigratore globaliste, veçse shpërngulje turmash, për të zhbërë individualitetet dhe identitetet kombëtare. Duke i shpërngulur këto turma, i ke shkulur nga rrënjët e tyre të thella. Këto turma, pa identitet dhe pa rrënjë, janë lehtësisht të sugjestionueshme dhe të dominueshme.   Në fakt, ajo që ka ndodhur deri më tash, janë masa të trullosura. për t’i përdorur për interesa të një grupi të ngushtë njerëzish, për dominim botëror. Fakti është. që lëvizjet emigratore globaliste, nuk kanë sjellë zhvillim. apo progres, paçka se shiten si të tillë. Lëvizja e lirë vjen natyrshëm me progresin dhe zhvillimin e njerzimit, ndërsa  shpërnguljet masive janë të nxitura dhe të kontrolluara (projekt i Soros-it). Soros e konsideron veten Mesia, shpëtimtar i botës. “Shpëtimtarë” janë shfaqur, në fillim, edhe Cezari, Napoleoni, Musolini, Hitleri, Stalini, Enveri, që target-grup kanë patur, masën.

Por, më pas, këta “shpëtimtarë”, kanë shkelur mbi shpirtra dhe dinjitete njerëzore. Turmat nuk,e kuptojnë që shkojnë me këmbët e tyre drejt skllavërise. Askush, përveç tyre nuk mban përgjegjësi për skllavërinë e tyre. Sepse, në turma faji, edhe përgjegjësia, janë kolektive.

Ardhja në pushtet e Giorgia Melonit, në Itali, së bashku me 5 parti të djathta dhe konkurrenca e fortë e Le Penn,  e ekstremit të djathtë, në Francë, tregon që, ende Europa është me një të djathtë të fortë dhe e kërkon gati me fanatizëm ruajtjen e identitetit kombëtar e fuqinë e individit. Vendet e qytetëruara ruajnë një raport relativisht të drejtë të alternimit të pushteteve nga e majta, në të djathtë, dhe anasjelltas.

Hipnoza e psikës. Frojdi e vendos raportin individ-turmë tek kompleksi i Edipit, në themel të konfliktit baba-bir.  Turma e urren babain, mund edhe ta vrasë atë. Babait duhet t’i bindesh, ose ta vrasësh, deri kur shndërrohesh në adult dhe humbet emërtesën “bir”. Ai aludon që janë shumë, të paktë ata që janë mendërisht autonomë, d.m.th individë, (themeli i individit dhe individualitetit është pavarësia e mendimit, që nuk mund ta kesh, kurrsesi, në turmë) Prandaj, një pjesë e konsiderueshme mbeten përjetësisht, fëmijë të bindur sistematikisht, autoritetit të prindit, ose shndërrohen në masa (fëmijë), që i besojnë qorrazi kryetarit karizmatik (babait). Duke mos u shkëputur nga “babai”, mbetesh i dominuar, më pas, nga shefi, drejtori, kryetari i partisë etj, duke iu nënshtruar autoritetit të njëshit dhe duke e adhuruar atë. Kështu lejohet të lindin Hitler, Duçe, Stalin, Enver, dhe sot autokratët në vende të ndryshme të Europës. Jemi shoqëri  piramidale, me marrëdhënie varësie, jo dashurie

Hipnoza mediatike. Fjala dhe imazhi janë dy elementet themelorë, që përdor si hipnotizuesi, ashtu edhe radio, televizioni, gazeta, media sociale.

Për këtë arsye, si hipnotizuesi, ashtu edhe media,  aktualisht, janë gjigandët e impresionimit të turmës dhe të manipulimit të saj, sepse luajnë me fjalën dhe imazhin. Media është mjeti i duhur dhe forma më e sofistikuar, ku hipnotizuesi, hipnotizon turmën.

Në vitin 1997 u dogj Shqipëria, vetëm me tituj gazetash, duke përsëritur të njëjtat fjalë e fraza, dhe imazhe televizive.

Jo për rastësi, apo aksidentalisht, media është e dominuar nga të majtët. (Një pjesë e konsiderueshme e medias në Shqipëri, Europë, por edhe më Amerikë, është e majtë). Është një politikë e mirëmenduar, prej shumë kohësh, duke arritur në këtë pikë të dominimit majtist, në media. E majta, turmën e ka në themel të ideologjisë së saj. E majta e kërkon turmën, e do atë, i duhet ajo, sepse e di, sa e verbër është, për ta hipnotizuar, për ta sugjestionuar dhe më pas, manipuluar.

Hipnoza e së drejtës. Turma shfajësohet nga çdo krim, pasi është në kontekstin e kolektives, duke deformuar konceptin e së drejtës. Një individ i shkathët dhe sugjestiv, që përcakton shënjestrën, armikun, apo qëllimin, mund të kryeja çdo lloj veprimi, në mes të të tjerëve (turmës). Turma duket si një titan, si një herkul, që rritet çuditshëm, dhe nëse vjen një kryetar që di ta komandojë, i shndërron në ekzekutorë të shkëlqyer, sepse secili, duke u ndjerë i mbështetur nga të tjerët, kryen vepra të paimagjinueshme. Viti ‘97 ‘ekzekutoi’ politikisht kryetarin e PD-së, Berishën dhe demokratikisht  Shqipërinë, duke e lënë në vorbullën e autokracisë dhe autokratëve. Nano e më pas Rama akuzuan Berishën për rrëmbim të të gjitha pushteteve, ndërsa sot ka rrëmbyer të gjitha vetë. Një hipnotizues, u zëvendësua me një tjetër.

Turma shkatërron në emër të “indinjimit të drejtë”. Por e drejta mbetet jetime, pa emër, faj kolektiv, duke cënuar rëndë drejtësinë, një nga shtyllat kryesore të shtetit. Shtete të fuqishme, që progresojnë, janë ata që kanë zgjidhur problemin e drejtësisë.

Hipnoza sociologjike. Turmat kurrë si ka marrë etja për të vërtetën. Ajo kthen kokën në anën tjetër të provës, që nuk është në shijen e vet, duke preferuar të hyjnizojë gabimin. Kjo ka sjellë regrese, luftëra të palogjikshme.

Në turmë, individi kryen akte në të kundërt të interesave të veta dhe zakoneve të tij, më të mira, në favor të interesave të hipnotizuesit.

Lëvizjet e turmës janë sporadike, të çastit që nuk sjellin zvillim, kurrë. Turmat janë duna rëre që i merr era për të krijuar një dunë tjetër, po aq të paqëndrushme dhe të spostueshme, pa krijuar asgjë të re.

Ajo çka prodhon zhvillim është mendimi, pastaj vjen qëllimi dhe më pas është veprimi. Turma, në të kundërt, ndez motorët për një arrivizëm të çastit, por pa mendim, pa zhvillim. Kjo mbrapshti e nënshtron ndaj hipnotizuesit, mashtruesit, që arrin thjeshtësisht qëllimet e tij.

Hipnoza psikologjike. Kushdo që ushqen iluzione e ka te lehtë, të jetë padroni i turmës. Kushdo që shkatërron iluzionet e tyre, është gjithmonë viktimë e tyre.

Kthehemi përsëri pas, në vitin e mbrapshtë ‘97. Individë, të shkatërruar nga humbja e parave, u zhytën për një periudhëe kohe, në turmën e irrituar, e cila pati  një influencë manjetike, duke iu dhënë një gjendje që i perngjan magjepsjes, ku individi i hipnotizuar e gjen veten në duart e hipnotizuesit. Çfarë ndodhi, më pas, me turmën e irrituar tashmë, të gjithë e dimë. U dogj Shqipëria, por paratë nuk u morrën kurrë.

Turma e përpin individin dhe e shndëron sërisht, në turmë dhe vetë turma e çmend, më pas, individin.

Hipnoza fetare. Sot po rezulton nga më të rrezikshmet, ashtu si hipnoza ideologjike rezultoi shkatërruese,  kombesh. Aktualisht janë 50 vende islamike, me urrejtje fetare kundër kristianizmit, ku në krye është Afganistani, me terrorin, përdhunimet e vrasjet ndaj shtetasve afganë.

Hipnozat fetare ende shndërrojnë njerëz dhe shtete, në fuqi shkatrrimtare. Kush rezultoi armiku më i madh i komunizmit hoxhist, feja dhe fetarët, të cilët i quajti opiumi për masat, sepse feja i rrëmbente target-grupin, masën, të cilën kërkonte ta dominonte vetë.

Turma tubohet për një lëvizje kundër një ngjarjeje, apo personazhi. Kjo e shndërron në forcë luftuese, dhe shkatërruese. Sipas Nënë Terezës duhet të jetë krejt e kundërta. Ajo shprehet: ”Do të merrja pjesë në një tubim pro paqes, kurrë në një tubim kundër luftës. Patjetër, që paqja, dashuria, dija, puna, janë pjesë e shoqërive të zhvilluara e të çliruara, me koncepte, mendësi e struktura të reja në marrëdheniet shoqërore.

Shoqëria aktuale ende është e dominuar nga struktura autoritare, antiliberale dhe të ankthshme për individët, që i mundëson propagandës të shtrihet, gjithnjë e më shumë, tek masat.

Civilizimi ka qenë krijuar dhe drejtuar nga një grup i vogël intelektual, aristokratësh, kurrë nga turmat. Dhe kjo është historia. “Roli i masave”, “diktatura e proletariatit”, konceptet bazë ku u mbështet komunizmi, degraduan, pas sugjestionimit të turmës, dhunës së  turmës. Civilizimi, në të kundërt, përfshin rregulla fikse, disiplinë, kalim, nga instinctive, në një shtet racional, ide të qarta për të ardhmen, nivel të lartë kulture, që turma ka rezultuar e paaftë ta realizojë. Kjo ishte arsyeja, pse komunistët-majtist, me ardhjen në pushtet, sulmuan pikërisht elitën, për ta shkatërruar atë ekonomikisht dhe intelektualisht. Ata e dinin shumë mirë, fuqinë e elitës si pengesë kryesore për arritjen e  dominimit diktatorial.

Hipnozë e lirisë, do të thotë; -”Unë nuk jam dakort me atë që thua ti, por do të luftoja, deri në pikën e fundit, që ti të arrish, ta thuash atë”. Maja e progresit është mendimi dhe kulmi i paqes është liria e mendimit. Ky është themeli i tejkalimit të personales, themeli i paqes dhe progresit.

Mendimi dhe koha janë aleatët më të fuqishëm të zhvillimit. Prandaj, sot, Europa e zhvilluar nuk ecën me lëvizje populiste, as me protesta./gazeta standard

Hipnoza e turmës!

Please follow and like us: