Albspirit

Media/News/Publishing

Sulejman Mato: ÇMIMI NOBEL DHE KADARE

“Artin e projekton talenti, e ndërton puna dhe e përzgjedh koha”.
Gjatë 122 vjetëve të krijimit të këtij çmimi shumë shkrimtarë që e kanë marrë janë harruar, ndërkohë që në këto tri dekada emri Kadare qëndron në krye të toplistës së pretenduesve. Që të arrish në këtë Olimp shkrimtarin nuk e ndihmon fati, është vepra ajo që i imponohet lexuesit. Ka nobelistë të cilët kanë ndritur si një yll dhe janë shuar siç shuhen yjet në gjithësi. Të qëndrosh gjatë në majë është më e bukur se të marrësh këtë çmim. Juria e Nobelit ka tentuar që ky çmim t’u jepet “disa shkrimtarëve rrebelë të vendit të vet”, thotë J. P.Sartri. Këtë gjë bëri Orhan Pamuk, i panjohur as në Turqi, para se të shkruante për genocidin turk në Armeni. Këtë gjë bëri dhe Peter Handke, duke iu kundërvënë bombardimeve të NATO-s në Ballkan ai tërhoqi vëmendjen e akademikëve suedezë. Pasternakut, poet i shquar sovjetik iu akordua çmim Nobel pasi romani “Doktorr Zhivago” u vlerësua nga akademia suedeze si një kundërvënie ndaj sistemit socialist! Sipas gjykuesve të kësaj jurie, Çmimi Nobel kërkon shkrimtarin kontravers, disident ose veprimtarin e një sensacioni në vendin e vet. Në vitin 1994 Kadareja mund ta merrte Nobelin, me motivacionin si disident, por Kadare e ka pranuar dhe vetë që nuk ka qenë disident dhe s’ka pse të ishte i tillë. Kadare e ka realizuar opusin e vet letrar. Vepra tashmë është në duart e lexuesve të dyzet e pesë vendeve të botës. Kjo do t’i mjaftonte çdo shkrimtari, për ta quajtur të realizuar misionin e shkrimtarit. “Çmimi Nobel, jepet në letërsi për vlera letrare artistike, për risi formale e strukturore dhe për vlera thellësisht humaniste dhe jo për qëndrime simpatizante të shkrimtarit”, – thotë Rexhep Qosja. “P. Handke- vijon Qosja – nuk i ka ‘stolisur’ librat me politikën dhe ideologjinë e Millosheviqit, por vetëm gazetarinë e publicistikën e tij”.
Nuk e di pse Qosja e shikon nga ky prizëm vlerësimin për shkrimtarin Handke, ndërkohë që Kadare mbajti qëndrim ndaj mikut të tij, shkrimtarit Handke. Kjo akademi gjer më sot, nuk ia ka anuluar çmimin Nobel shkrimtarit norvegjez, Knut Hamsun dhënë në vitin 1920, edhe pse Norvegjia në fillim të Luftës së Dytë Botërore e ka shpallur tradhtar të Kombit. Pyetja që shtrohet sot “Pse Peter Handke e merr një çmim të tillë dhe Kadare nuk e merr çmimin Nobel”, është një pyetje për jurinë e këtij çmimi.
Please follow and like us: