Albspirit

Media/News/Publishing

Çerçiz Loloçi: Akt diskriminues ndaj Kosovës

Lajmi që qarkulloi ne 13 tetor 2022 për shtyrjen e liberalizimit të vizave të qytetarëve të Kosovës është një akt diskriminues, teksa Prishtina zyrtare kishte plotësuar të gjitha kriteret e mëparshme të Komisionit Europian dhe kishte marrë premtimin qysh në 2018-ën se nën presidencën e Çekisë do ta përfitonte këtë lehtësi. As më shumë dhe as më pak, më 13 tetor 2022, në takimin e grupit përkatës për vizat të Këshillit të BE-së, zyrtarët francezë kanë propozuar që liberalizimi i vizave për Kosovën të lidhet me funksionalizimin e sistemit për siguri në Europë, ETIAS. (ETIAS është një sistem europian elektronik për autorizim dhe informacione rreth udhëtimit, që mundëson verifikimin e të dhënave të qytetarëve të vendeve të treta, që nuk kanë nevojë për vizë, për të hyrë në Zonën Shengen. Procedura ligjore për të miratuar këtë sistem ka nisur më 2016 dhe parashikohet të vihet në zbatim brenda vitit 2023).

Ky propozim është mbështetur edhe nga katër vende të tjera dhe përkatësisht Suedia, Belgjika, Holanda dhe Spanja. Për liberalizimin e vizave në Kosovë janë shprehur një sërë shtetesh si Gjermania, Çekia, Finlanda, Kroacia, Estonia, Greqia, Hungaria, Portugalia, Polonia, Malta, Luksemburgu, Sllovenia dhe Austria. Lajmi ka sjellë shqetësim në Kosovë duke provokuar edhe një debat të brendshëm politik, mes pozitës dhe opozitës, ndërsa në këtë rast do të ishte e më e drejtë të dilnin me një qëndrim të përbashkët: Nuk e meritojmë këtë akt që na mban larg kontinentit, është një kusht që nuk e ka pasur asnjë vend tjetër.

Kosova, ashtu si dhe Shqipëria kanë marrë dhe kanë dhënë pë Europën, mjafton të përmendim që në kohë të vështira, dy personalitete të saj Adem Demaçi (1991) dhe Ibrahim Rugova (1998) janë nderuar nga parlamenti Europian me çmimin më prestigjioz ‘Saharov’.

Vërtet flukset emigatore janë shqetësuese për Europën, por pesha e tyre që vjen nga Kosova është thuajse e papërfillshme. Nga ana tjetër, me përjashtim të Spanjës që ende nuk e njeh pavarësinë e këtij shteti, në katër vendet e tjera përfaqësitë diplomatike të Kosovës dhe Shqipërisë duhet të kërkonin sqarime nga qeveritë përkatëse.

Presidenca çeke e BE-së, pas takimit të 13 tetorit 2022, tha se në mënyrë që të ecet para në procesin e liberalizimit të vizave, “është e domosdoshme që të qartësohen disa çështje dhe të vazhdohet me diskutimet”. Takimi i radhës i grupit përkatës për vizat është menduar të mbahet në nëntor.

 

Post Scriptum: Si funksionon ETIAS?

ETIAS është sistem evropian për autorizim dhe informacione rreth udhëtimit. Ky sistem – krejtësisht elektronik – mundëson verifikimin e të dhënave të qytetarëve të vendeve të treta, që nuk nevojë për vizë, për të hyrë në Zonën Schengen. Aty kërkohet emri, vendi i lindjes, gjinia, kombësia dhe secili që plotëson formularin duhet të ketë pasaportë, email dhe një kartelë krediti për të kryer pagesën simbolike për këtë dokument. Autorizimi për udhëtim lëshohet shpejt dhe në mënyrë automatike, përveç nëse ka dyshime për të kundërtën. Dokumenti valid ETIAS më pas rishikohet nga roja kufitare e shtetit, që merr vendimin final për hyrjen potenciale të udhëtarit në një vend të Zonës Schengen.

Akademia e Shkencave: Gjergj Kastrioti, Gonxhe Bojaxhi dhe Ismail Kadare-pasaportat e identitetit perëndimor të shqiptarëve

Çmimi Saharov për Adem Demaçin (1991) dhe Ibrahim Rugovën (1998)

 

Please follow and like us: