Albspirit

Media/News/Publishing

Irani po kërcënon shtetet europiane dhe po përhap gënjeshtra, ndërkohë që është në prag të përmbysjes nga populli iranian

Kryengritja e popullit iranian kundër diktaturës së mullahëve që sundojnë Iranin ka arritur në ditën e saj të 30-të pa u ndalur. Të gjitha shenjat tregojnë se kjo kryengritje nuk do të ndalet. Pakënaqësia dhe zemërimi i përgjithshëm i iranianëve vijnë nga represioni që elitat në pushtet kanë ushtruar mbi popullin iranian për më shumë se 40 vjet. Regjimi iranian e ka privuar popullin e tij nga të gjitha të drejtat e njeriut dhe liritë e njohura ndërkombëtarisht. Populli i Iranit është ngritur për të arritur ëndrrën e tij të vjetër për liri duke e ndryshuar këtë regjim.
Çmimi i lartë i benzinës në vitin 2018 nxiti një kryengritje mbarëkombëtare, duke e çuar regjimin iranian në prag të përmbysjes. Por, sipas mediave botërore, Khamenei e parandaloi përmbysjen e regjimit të Mullahëve vetëm me anë të një masakre masive. Të paktën 1500 njerëz u vranë, 4000 u plagosën dhe më shumë se 12000 u arrestuan dhe u torturuan.
Më 16 shtator, Mahsa Amini, një vajzë 22-vjeçare, e cila, sipas regjimit iranian, kishte veshur hixhab, u vra nga forcat e patrullës Irshad në Teheran. Vrasja e Mahsa Aminit këtë herë ishte një tjetër shkas që nxiti shoqërinë e pakënaqur iraniane e cila donte ta ndryshonte këtë regjim.
Iranianët kanë luftuar për liri dhe demokraci kundër diktatorëve që sundojnë vendin e tyre për 120 vjet. Për katër dekada, populli i shtypur i Iranit ka luftuar kundër regjimit fetar të Ajatollahëve për demokraci. Ata duhet ta ndryshojnë këtë regjim.
Vrasja e Mahsas bëri që populli të dilte në rrugë dhe të kërkonte përmbysjen e të gjithë Republikës Islamike të Iranit me parullat “Vdekje Khameneit” dhe “Vdekje diktatorit”. Gratë luajnë një rol kyç në frontin e kësaj kryengritjeje dhe janë forca shtytëse e protestave. Kryengritja aktuale duket se është më e organizuar se kryengritjet e mëparshme në Iran.
Kryengritja aktuale në Iran ka tronditur shtyllat e diktaturës fetare të Iranit dhe sipas dëshmitarëve në vendngjarje, forcave represive të regjimit u është ulur morali.
Edhe pse Irani ndodhet në oqeanin e naftës dhe burimeve të bollshme natyrore, më shumë se 80 për qind e popullit janë nën kufirin e varfërisë dhe një pjesë e madhe është në varfëri të plotë. Varfëria dhe gjendja e rëndë ekonomike kanë rritur numrin e vetëvrasjeve në Iran, numër që është ndër më të lartit në mbarë botën. Regjimi iranian po përpiqet të marrë të gjitha masat e mundshme për ta shtypur këtë kryengritje. Sipas raporteve të organizatave të të drejtave të njeriut dhe agjencive ndërkombëtare të lajmeve, si dhe lajmeve që opozita Muxhahedine (MEK) publikon nga brenda Iranit, arrestimet e shumta, torturat brutale të protestuesve dhe vrasja e demonstruesve janë intensifikuar. Regjimi synon të heshtë zërin e popullit iranian.

 Sipas opozitës Muxhahedinët e Popullit të Iranit, të vendosur në Paris, më shumë se 22,000 njerëz janë arrestuar dhe qindra të tjerë janë vrarë. Opozita ka publikuar emrat e 206 personave të vrarë në kryengritje.

Nga ana tjetër, iranianët që jetojnë jashtë vendit, nga Amerika në Europë, e deri në Australi dhe Japoni, kanë shprehur urrejtjen e tyre ndaj mullahëve që sundojnë Iranin në demonstrata masive kundër regjimit.
Përballë protestave të përhapura brenda dhe jashtë vendit, regjimi iranian ka organizuar fushata mashtruese dhe demonizuese kundër protestuesve dhe ka kërcënuar vendet europiane në mënyrë që të përgatisë terrenin për represion të mëtejshëm brenda Iranit.
Më 10 tetor, gazeta iraniane “Arman Melli”, e cila është e lidhur me Ministrinë e Inteligjencës të regjimit iranian, shkruante në një raport të rremë se: në vende si Danimarka, Anglia dhe Franca, disa separatistë dhe muxhahedinë u përpoqën të përdorin protestat e brendshme të Iranit për të sulmuar me armë kundër ambasadave të Republikës Islamike të Iranit në vendet europiane. Kjo media shton se Danimarka është bërë një tokë pjellore për muxhahedinët dhe mbështetësit e monarkisë në arrati. Prandaj, Irani do të rishqyrtojë marrëdhëniet e tij diplomatike me disa vende europiane, si Danimarka.
Kjo pavarësisht se asnjë agjenci lajmesh nuk ka raportuar se protestuesit para ambasadave të regjimit në vendet europiane kishin armë dhe iranianët e mohojnë me forcë këtë.
Tani regjimi iranian është zhytur në një seri krizash të brendshme dhe ndërkombëtare. Muxhahedinët dhe kundërshtarët e Iranit në më shumë se 150 qytete europiane, në Amerikë, Kanada, Australi dhe vende të tjera, kanë rritur intensitetin e frikës që regjimi ka nga përmbysja duke mbajtur demonstrata masive të përditshme.
Përhapja e gënjeshtrave dhe lajmeve të rreme për të krijuar terren për terrorizëm ka qenë mjeti i vetëm i regjimit iranian kundër Muxhahedinëve dhe kundërshtarëve të tij. Regjimi iranian synon ta fshehë represionin dhe vrasjet masive brenda Iranit dhe t’i heshtë muxhahedinët jashtë vendit duke ushtruar presion mbi vendet europiane dhe duke i kërcënuar e frikësuar këto vende me anë të terrorizmit.
Sekreti i mbijetesës së këtij regjimi është shuarja e kryengritjes dhe e revolucionit të nisur disa dekada më parë. Por, sipas shumë analistëve ndërkombëtarë, kryengritja që shpërtheu pas vrasjes së Mahsa Aminit ka treguar se do të vazhdojë deri në rrëzimin e regjimit./gsh

Please follow and like us: