Enver Memishaj: Mbi librin “Mbresa nga jeta” të Petrit Derraj
Mësuesi dhe poeti dhe studjuesi Petrit Derraj zbriti nga Bashi i bukur malor, në Tiranë, por Bashin e mori me vete, mori bukuritë e atij fshati, zakonet dhe traditat e mira të vendlindjes së tij. Në qytetin e lindjes kthehuni përherë, thotë Dostojevski, kështu edhe Petriti vjen e kthehet në Bashaj me këtë libër shumë vlerësh. Bukuritë me natyrë magjepse e me njerëz të mrekullueshëm burimet e ujvarat, kaltërsia e lumit të Smokthinës, por mbi të gjitha traditat, zakonet dhe historia e atij fshati të përsëritura dhe ripërsëritura në proçesin e kujtimeve gjejnë së fundi shprehje në këtë libër. Edhe më parë në ciklet me poezi të Petritit të botuara në organet e shtypit dhe më pas në librin e tij “I flet zemra zemrës”, kemi shijuar bukuritë e vendlindjes së tij. Në vargun e tij me rimë të shkollës së Ali Asllanit dhe Lasgush Poradecit, ndjehet bukuria natyrore dhe shpirtërore.
Me këtë libër Petriti del në mexhlis për t’u kujtuar të rinjve por edhe gjithë fshatit: fëmijërinë e vështirë që ka kaluar, historinë e shkollës, zakonet dhe traditat e Labërisë, folklorin e krahinës së Smokthinës, si u shkollua brezi i tij, peripecitë e Luftës Antifashiste, nderimi dhe respekti ndaj pleqve, lavdia për kontributin e fshatit në luftë dhe “Heroinën e Popullit” Qeriba Derraj, prej fisit të tij, nderimi dhe vlerësimi fiseve, si Pipajt etj, si mund të zgjidhen hasmëritë, mbi kooperativën bujqësore, vlerësimi për personalitete që kanë lënë gjurmë në fshat dhe në krahinë, etj. Një vlerësim të veçantë autori i ka dhënë shkollës së vendlindjes dhe flet me konsiderata për fshatarët e tij kur shkruan: “Edhe para se të çeleshin shkollat në zonat malore, bashiotët nuk i linin fëmijët e tyre pa arsimuar, duke i dërguar nëpër shokë e miq në qytete brenda e jashtë vendit, si në Janinë,Turqi, Itali, Austri, Selanik e gjetkë. Bashioti shiste mallin pasurinë,madje edhe një pjesë të tokës dhe fëmijët e tij nuk i linte të paarsimuar”. (Shkolla vatra e dijes).
Ai përmend me nderim të veçantë dhe me emra mësuesit që kanë shërbyer në shkollën e Bashit dhe janë munduar të mësojnë e ndriçojnë mendjen e fëmijve të këtij fshati. “Kur ishim nȅ Gjimnazin e Vlorës, shkruan Petriti, ne djemve na qethnin kokën dhe kur shkonim nё qytet tȅ organizuar pȅr tȅ parȅ ndonjë shfaqje, bashkëmoshatarët tanë të gjimnazeve “Ali Demi” “Halim Xhelo” na tallnin, duke na thërritur shkolla e fshatarëve kokëqethur. Jeta nȅ konvikt ishte e bukur, e gjallȅ e mjaft mbresëlënëse”. Një vend të veçantë autori u ka dhënë përshkrimit të zakoneve dhe i përshkruan ato aq bukur sa të duket sikur shikon një film, po ashtu ai flet edhe për veçoritë e folklorit të krahinës. “Kënga labe ka lënë shumë gjurmë e ka mahnitur shumë pesonalitete. Noli thoshte se dëshironte që të përcillej në atë jetë me këngë labe. Kënga labe, thotë një tjetër krijues, të bën skllav e s`të vë pranga, bëhet erë e s`të rrëzon, si mjalti të ëmbëlson. Në Bashaj një vend të dukshëm zënë këngët e humorit, të cilat qysh herët i ka kënduar me mjeshtëri rapsodi dhe këngëtari i talentuar Avdul Imer Jahaj.
Mbreslënës është përshkrimi që autori bën gjatë Luftës Antifashiste, kur janë larguar nga fshati dhe po mundoheshin të shpëtonin drejt maleve: “Gjermanët nisën bombardimet nё drejtimin tonë. Nё të përpjetë të Tercave, afër Qafës së Kishës, mushkën e ngarkuar me plaçka deri në vesh e tërhiqte Xhevrazua, italiani i mbetur rob, për një çast papritmas ai habitet e befasohet, sepse nuk po tërhiqte mushkën, po kokën e saj për kapistre, pasi një predhë ia kishte këputur kokën nga trupi asaj. Kur pamë kokën e këputur të mushkës u prekёm sё tepërmi nё shpirt për atë kafshë të urtë e punëtore, e cila kishte ngritur në kurrizin e saj shumë ngarkesa e halle të familjes sonë vite të tëra. Shkuam te samari i mushkës sё viktimizuar nga predha dhe ashtu të përlotur me shpejtësi të rrufeshme e të frikur se mos na zinte edhe ne ndonjë predhë e armikut, morëm plaçkat mё të rëndësishme e vazhduam rrugën me shpejtësi shumë të pikëlluar. Pirgu i halleve u rrit dhe masa e hidhërimit u shtua, sepse mbi mua, thekson në rrëfimin e saj nëna, mbi kurrizin e ngarkuar me tërkuzë do të rëndonin jo vetëm plaçkat e marra prej samarit të mushkës, por veç atyre do të më shtoheshin shumë brenga, gazepe, halle, derte e taksirate të mëdha qё do të sillnin ngjarjet më pas. U nisëm duke shpejtuar për të arritur karvanin e gjatë të muhaëhirëve, të raskapitur e e të sikletosur”. Edhe në kapitujt e shkrimeve historike të fshatit dhe të individit Petriti është me të vërtetën, pasi nga spekullimi me historinë nuk vjen asgjë e mirë. Kështu ai përshkruan rënien e “Heroinës së Popullit” Qeriba Derraj. Në libër të tërheq vëmendjen kapitulli “Disa nga pleqtë e moçȅm tȅ fshatit Bashaj”, ku autori përshkruan me dashuri e vërtetësi pleqtë e fshatit të tij që kanë lënë gjurmë në jetën e fshatit dhe kujtohën me respekt nga bashkëfshatarët dhe nga krahina: “Njё ndër burrat e urtë e të menҫur të fshatit ka qënë edhe Razip Halil Cibaj.K ishte mbaruar Gjimnazin “Sozimeja” të Janinës dhe pasi e mbaroi atë, punoi shumë vite në Turqi. U kthye në Shqipëri, në vendlindjen e tij, në Bashaj, pas shumë vitesh, bëri shtëpi të reja dykatëshe, bleu toka e bagëti, duke e konsoliduar ekonominë e tij. Punoi shumë kohë si Kryetar Komune në Gorrisht, Brataj, si zyrtar i lartë ne Dukat e Himarё” dhe kështu vazhdon të tregojë autori për shumë pleq të tjerë të fshatit të tij që ka mbledhur me durim e dashuri historinë e jetës së tyre.
Ne kurrë nuk mund t’i kthejmë në jetë ata që kaluan në amëshim. Ne kurrë nuk mund t’ua shlyejmë borëhin që kemi ndaj prindërve dhe burrave e grave të fshatit që kanë lënë gjurmë të pa shlyera, por ne mund t’i nderojmë e t’i kujtojmë për jetë ata, këtë akt humanitar dhe detyrë bënë edhe autori këtij libri Petrit Derraj. Kooperativën bujqësore Petriti e përshkruan si një gjëmë dhe fatkeqësi për fshatin dhe gjithë popullin, po ashtu denoncon propagandën dhe mashtimet komuniste: “Disa fshatarë ngulën kёmbë e nuk pranuan të futeshin në kooperativë, pasi thuhej sa për sy e faqe qё futja nё të bëhej me dashje, pa presione. Edhe pse isha i vogël, mbaj mend fort mirȅ qё disa bashkefshatarëve ua muarr forcërisht bagëtitë nё brinje, duke i kёrcenuar e duke u përmendur burgun e kulakllekun.Nё këtë formë, nё mënyrë arbitrare ua morën bagëtitë Ali Barxhȅs, Izet Larȅs e disa tȅ tjereve ku një veprim i tillë u godit edhe me vargje ironike: ”Skёndua nё nje rreke/ Eja lart, o Fatime/ Se na muarr dhȅn e qe/ S`na lanȅ as shterp e pёlle/ Shko e ndiz vendin e mire/ Tȅ ther Nebin e Salin”. (Kooperativa bujësore). Në kohën që kaloi brezi i Petrit Derraj nuk mund të rrëfeheshim tek prifti e hoxha se për rreth përgjonte hapsana. Por shpirti njerëzor ka nevojë të rrëfehet dhe nga sa kuptojmë nga poezia e Petrit dhe nga ky libër I Petrit Derraj tek lumi e tek deti, në të mirë e në të keq!
Dhe tani në një moshë të shtyrë Petrit Derraj vendosi që rrëfimin ta bëjë para fshatarëve të tij me anën e këtij libri dhe pas botimit të tij autori do ta ndjejë vetën të gëzuar dhe të lehtësuar. Për rëndësinë e këtij libri do të thoshim shkurt: Për herë të parë shkruhet një histori për fshatin Bashaj të Smokthinës. Libri na paraqitet me frymë optimiste për vendin dhe njerëzit e tij të origjinës, por dhe më shumë. Petriti është i apasionuar për rigjetjen e vlerave të humbura të historisë së vendlindjes të shumë figurave që kanë lënë gjurmë. Petriti flet me një gjuhë të thjeshtë dhe të sinqertë, për t’u patur zili, por dhe për të marrë shembull: “Im atë, teksa po rritesha, ma ndërroi natyrën e punës. Unë do të zëvendësoja vëllain më të madh në ruajtjen e dhive të familjes, pasi ai do të punonte në kooperativë. Vajtja pas dhive, ruajtja e tyre dhe kujdesi për t`i kullotur ishte i vështirë, aq më tepër në Shullërin e Bashit, në krah të Malit të rrëpirtë të Tartarit ku gjatë stinës së verës të mundonte së tepërmi edhe mungesa e ujit të pijshëm. Gjithashtu po ky mal kishte shumë gjarpërinj helmues”, (Kujtime fëmijërie). Po me këtë libër Petriti na paraqitet si prozator dhe studjues. Ai si njeri e qytetar do të mbetet ikonë e mësuesit dhe drejtuesit të shkollës së vendlindjes, si drejtor, ikonë e zakoneve të mira të popullit shqiptar dhe me punën sjelljet dhe veprën e tij, po lë gjurmët e një njeriu me shpirt njerëzor dhe të respektuar.
Gjithkush rron aq sa kujtohet dhe Petrit Derraj që i ngriti vendlindjes një monument me anën e këtij libri do të rrojë gjatë e do të rrojë sa Bashi i tij. E urojmë autorin për jetë të gjatë e vepra të tjera.