Dea Toçi: Kur ikën njeriu i zemrës
Kur ikën njeriu i zemrës
qielli merr të tjera ngjyra,
në hijet e të zezës të përpin gjithë ndjenjën
njëjtë si asaj po i ndryshon fytyra.
Po ikën dhe unë nuk të kthej dot,
i lodhur trupi mbahet në zbrazëti,
vërtitem në dhomë herë derdh nga një lot
kthehem-këputem mbi trupin e ngrirë.
Kur njeriu i zemrës nga jeta të ikën
mendja i dorëzohet kujtesës skaj më skaj,
të bukur kujtimet para syve e shpërfaqin,
në të gazta kujtime zemra derdh vaj.
U veshe-zbukurove, flokët në një anë,
sa të shkojnë këpucët që t’i zgjodha unë,
pak me takë të vogël, nuk të vriten këmbët,
Parajsa është kopësht thonë me lule shumë.
Vdekja nuk ka kthim, lotin e ka të vakët
njëjtë si shiu i verës s’bën asnjë ndryshim,
porsi sytë e ballit, si uji i pakët,
je në zemrën time më i bukuri kujtim.
Please follow and like us: