Xhezide Selimi: Rrezja e parë
Rrezja e parë e kësaj fillimdite
erdhi të dritësoj mendjet e atyre
që i gjeti t’zgjuar.
Unë rëndom dhe sot linda bashkë
me diellin.
Mblodha një nga një kockat e
shpërndara gjithndej.
Lajta fytyrën e brumosur të mëngjesit
Sytë e enjtur i ngjyrosa me të zezë
Kështu djallëzova ngjyrën magjike
Vesha petkun e zonjës dardane
E cila trazon mendjet e burrave fisnikë
Takat jeshile m’prisnin me padurim
për rrugëtimin e ri.
Buzëkuqin e vendosa pranë pasqyrës
ku reflektonte aq magjishëm,
ajo rreze drite.
Ika në pallatin e ligjeve pozitive
për t’i ndrequr punët angari të
dështakëve të motit.
Dielli me ngrohte supet dhe kockat
Njëjtë siç më ngroh ti
zemrën dhe shpirtin…
Please follow and like us: