Mevi Rafuna: Shpalle Zinë Kosovë!
Të gjithë u shokuam nga një video që u bë virale ku po torturohej nëna e dëshmorit Taulant Nura, i cili ia fali Kosovës jetën e tij, që ne sot të jemi të lirë, të shkruajmë, të qeshim, të flasim e të frymojmë.
Ajo video u shfaq aksidentalisht apo me rastësi nuk ka më rëndësi…
Ajo çfarë pamë e tejkalon tragjedinë tonë morale, shoqërore dhe kombëtare.
Por unë pyes çfarë ka pas atyre gjërave të cilat nuk mund të shihen?!
A thua mund të jenë aq tragjike, a do na bëjnë të çmendemi apo të këndellemi, të marrim guximin t’i themi ‘Ndal të Keqes’, e cila po tenton të na kapërdijë.
Familjet e dëshmorëve u përdorën nga politikanët dhe përfituesit e pushtetit vetëm në Ditë Përkujtimesh, por ditëve të tjera u harruan…
Dëshmitarët e Masakrave Serbe shumica vdiqën dhe askush nga shteti nuk u kujtua për ta…
Fëmijët e luftëtarëve u detyruan ta lëshojnë shtetin sepse nuk e gëzuan Lirinë për të cilët prindërit e tyre, sakrifikuan dhe e dhanë jetën e tyre të çmuar.
Lufëtarë të braktisur që çuan jetën në Mjerim dhe luftëtarë që bënë vetëvrasje nga dëshpërimi që ua solli Liria…
Nuk u arrit të themelohet një Muze ku do të dokumentonte të gjitha krimet e kryera serbe, ndaj popullatës shqiptare, ku do ta paraqisnim para botës Gjenocidin dhe Golgotën tonë që na e bënë serbët. Kjo falë polikanëve që patën miliona për fushata politike, por asgjë për kombin e tyre.
Kur po i shoh fytyrat mediatike dhe politikanët që reaguan për rastin e Nënës së Taulant Nures më vjen Turp.
Sepse janë po të tillët që kontribuan aq shumë që ky sistem të shkatërrohet, që Antivlera ta mund Vlerën.
Janë ata që nuk ju lanë vend mendjeve përparimtare ta çojnë këtë vend përpara…
Në një vend ku u vranë Intektualët ku u anatemuan dhe u detyruan të largohen apo edhe të vetëmohohen.
Ku vendin e Intelektualëve e kanë zanë Imamët me gjuhën e tyre plotë urrejtje, nxitje vrastare e gjëra turpi që një mendje e shëndoshë nuk mund t’i përceptojë.
Edhe Perandoritë më të mëdha janë shkatërruar kur Antivlerat e kanë mbisunduar jetën…
Ne nuk na duhet dhe nuk na ndihmon as Amerika as Europa sepse ne kemi humbur veten.
Të humburin askush nuk mund ta shpëtoj…
Mbaj mend para luftës jetonte një plakë e vetme serbe me një shtëpi prej guri…
Si fëmijë vetëm ndjenja e vetmisë që e shihja tek ajo plakë më tmerronte.
E gjithë lagjia e ndihmonte, në çdo gjë që kishte nevojë.
Askush nuk e urrente edhe pse ajo nuk ishte shqiptare. Por Raden e respektonin të gjithë.
Ky respekt dhe këto vlera njerëzore pas luftës u sulmuan, u përqeshen dhe tani janë kalbur.
Materializmi, tendenca për t’u dukur dikushi po na shkatërron…
Nëna e Taulant Nures figurativisht e simbolizon Kosovën.
Kosovën e lodhur, të plakur, të vuajtur…
E cila sulmohet, përbuzet, përqeshet, shkatërrohet pikërisht nga bijat dhe bijtë e saj të këqinjë tash e dy dekada.
Kosova e mbyllur, e braktisur që s’ka zë të nxjerrë veç lotëve që ju kanë tharë… nga malli për ata që vdiqën për të dhe nga tmerri që të sotmit po ia dhurojnë…