Kryeplaku i Dhërmiut: Ne, fshati me më shumë kisha në botë…
Bardha Nergjoni
Ndërsa kalon me pak vështirësi qafën e Llogarasë, ku natyra ka modeluar gjelbërimin dhe freskinë e pishave, zbritja të ofron panoramën më të bukur të rivierës shqiptare. Thyerjet harmonike të relievit deri në bregdet janë një mrekulli që natyra ta ofron me mjaft bujari. Në rrugëtimin e bregdetit jonian, vlen të ndalesh në Dhërmi. Është një nga fshatrat më të vjetër dhe më të bukur të bregut dhe nga më të frekuentuarit për pushime. Fshati ndodhet në shpat të malit, në terren të thyer dhe ndërtime karakteristike.
Fshati përbëhet nga tre lagje: Hondraqi, apo Kallami që është lagja e parë për ata që vijnë nga Llogaraja, Gjileku dhe lagja e tretë, më e madhja, që i ka dhënë edhe emrin fshatit Dhërmiu. Në total i gjithë fshati ka rreth 1000 familje të regjistruara në gjendjen civile por gjatë dimrit gjen rreth 700 banorë ndërsa në verë ky numër shumfishohet.
Në zbritjen drejt bregdetit plazhi i Dhërmiut është simbol i qetësisë, detit të pastër dhe gjelbërimit. Eksploruesit e botës nënujore, mund të shijojnë zhytjet në ujin e pastër, ku thellësia joniane fillon që në breg. Shkëmbinjtë që mbyllin plazhet, janë labirinte të vërteta natyrore si Shpella e Piratëve në kodrën e Shën Tod’hrit, për të cilën Petro Marko shkroi një nga romanet më interesantë. Shpella rreth 30 m e gjatë ka vlera historike dhe turistike.
Kur deti është i qetë ajo mund të vizitohet me lehtësi, duke ofruar një pamje të mrekullueshme për vizitorin. Ndër plazhet e Dhërmiut përmenden, Alevrat, Gjiri i Gjipesë e Drimadhë. Plazhi i Drimadhës në Dhërmi është mjedisi më i frekuentuar në të gjithë bregdetin e Himarës.
E megjithatë banorët e Dhërmiut me mirësjelljen e tyre vazhdojnë të jenë tradicionale dhe shpeshherë i dëgjon ndërsa greqishten e kanë gjuhën e përbashkët. Në shumicë besimtarë ortodoksë që rezistuan edhe në komunizëm, dhërmiasit nuk kanë qenë aq të hapur ndaj besimeve të tjera. Gjatë komunizmit pak familje jo ortodokse u zhvendosën për punë në këtë zonë dhe vazhduan të qëndrojnë aty. Në demokraci, shumë muslimanë filluan të zbresin drejt Dhërmiut për punë sezonale dhe pak nga pak u zhvendosën edhe për të jetuar. Fillimisht të moshuarit i thërrisnin turq, sipas një konteksti fetar e hisotirk të trashëguar nga e kaluara, por tashmë ata janë krejt shqiptarë, siç dhe janë në fakt, e për vendasin janë pjesë e normales, së natyrshmes Janë rreth 80 familje të tilla aktualisht në këtë zonë që erdhën ndërsa turizmi mori hov. Në vitet 90-të ishin rreth 20 të tilla.
Edhe pse janë mbi 40 kisha e nuk ka ende asnjë xhami, duket se mendimi për myslimanët në Dhërmi ka ndryshuar. kryeplaku i fshatit, Aleks Marko thotë se kjo ka ardhur si rezultat i traditës mikëpritëse të këtij populli. Në fakt, banorëve të Dhërmiut iu leverdiste sepse turizmi do shërbime dhe punëtorë, gjë që ata vetë e kishin të pamundur ta bënin.
Dhërmiu është ndër të paktat vende përgjatë bregdetit që nuk ka pasur një transformim nëpërmjet ndërtimeve. Si është arritur të ruhet kjo harmoni ndërtimesh?
Po është e vërtetë që Dhërmiu i vjetër sidomos, e ka ruajtur në masën 90% identitetin me ruajtjen e ndërtimeve të vjetra, që do të thotë nuk janë bërë shumë ndryshime dhe kjo është arritur nën kujdesin e pushtetit vendor dhe të vetë banorëve.
Ju keni tashmë të shpallur një qendër historike. Çfarë do të thotë kjo për Dhërmiun?
Është një sukses i madh fakti që para 6 muajsh Dhërmiu është shpallur zonë e mbrojtur nga qeveria shqiptare dhe do të investohet nga UNESCO. Kjo me siguri është me rëndësi jo vetëm për Dhërmiun por edhe për Himarën dhe të gjithë Shqipërinë. Për zonën historike qeveria shqiptare në bashkpunim me Ministrinë e Kulturës në fund të muajit korrik do të prezantojë para banorëve të Dhërmiut projektin e ri të realizuar nga Ministria e Kulturës dhe pritet që nga tetori të fillojnë investimet në fshatin e vjetër duke rregulluar rrugicat, sheshet në shtëpitë e vjetra dhe fasadat e duke riparuar çatitë. Mesa kam informacion faza e parë e punimeve do të nisë së shpejti dhe vlera është 5 mln euro duke e restuaruar dhe kthyer në një pikë turistike me mjaft interes për këdo.
Si është transformuar Dhërmiu nisur nga popullsia. Ka familje muslimane? Sa të tilla janë shtuar? Si është arritur kjo harmoni fetare?
Dihet në të gjitha kohërat që Dhërmiu ka qenë një popull tërësisht ortodokse. Por vitet e fundit kanë ardhur edhe familje muslimane. Fillimisht kanë ardhur për punë sezonale dhe më pas një pjesë e tyre kanë qëndruar. Me këto familje kemi marrëdhënie shumë të mira sa tashmë janë bërë pjesë e jetës sonë të përditshme. Deri në vitet 90-të ishin 20 a 30 familje që ishin të profilizuar për punë ta caktuara. Tani mendoj se janë deri në 80 familje muslimane.
Kjo bashkëjetesë ka ardhur seps Dhërmiu njihet si një popull mikpritës, një popull me kulturë të lashtë që ka ditur gjithmonë sesi të krijojë marrëdhënie të mira me cilindo që ka ardhur në Dhërmi. Jemi në harmoni me ata që janë shpërngulur dhe që jetojnë në Dhërmi dhe tuistët që vizitojnë fshatin tonë.
Çfarë ofron Dhërmiu që vendet e tjera të bregdetit nuk e kanë?
Dhërmiu, jo se jam unë banor, por është përcaktuar një nga perlat më të bukura të jugut dhe të gjithë Shqipërisë. Iu ofron turistëve detin shumë të pastër, një klimë që është ndër më të mirat në Evropë, klimë malore dhe bregdetare. Shumë pak e kanë këtë reliev në një zonë të vetme.
Çfarë është bërë nga ju që pushimet të jenë sa më komode?
Jemi mundur të krijojmë kushte sa më të mira si për turistët ashtu edhe për banorët e fshatit. Duke sistemuar ujë të pijshëm të bollshëm në pjesë të rrugicave dhe të shesheve të fshatit, duke pasur një pastërti sa më të mirë në të gjithë fshatin, trotuare me ndriçim në rrugët kryesore dhe duke qenë shumë afër për çdo lloj problemi që kanë banorët e fshatit mendoj se kemi krijuar edhe kushte më të mira si për turistët ashtu edhe për banorët.
Si ka ndryshuar Dhërmiu në kohë? Sa familje kanë qenë dhe si ka mundësi janë ndërtuar kaq shumë kisha në një vend kaq të vogël?
Dhërmiu ka ndryshuar shumë duke filluar nga viti 1990. Këtij vendi i falur Zoti një natyrë shumë të bukur dhe të paçmueshme që shumë pak e kanë. Kemi një histori qindravjeçare dhe shumë të pasur. Fshati i vjetër ka vlera të mëdha historike e kulturore si përshembull kisha nga më të vjetrat, si kisha e Shën Stefanit, me një histori 1200-vjeçare në zonën e plazhit; kisha e Shën Mërisë mbi fshatin e vjetër, e cila është 900-vjeçare; kisha e Shën Theodhosit, 300-vjeçare; kulla 300-vjeçare e Kumijve, kulla 300-vjeçare e Kapedan Kocanit dhe shumë monumente të kulurës që secila ka një histori të veçantë. Edhe Kalldrëmet janë 300-vjeçare. Pra të gjitha këto dhe shumë të tjera e bëjnë fshatin e Dhërmiut me histori të paçmuar. Dhërmiu është fshati që ka më shumë kisha në botë në bazë të popullsisë. Në vitet 90-të kishte 36 kisha, ndërsa sot numërohen 46 kisha.
Si ka ndryshuar mendimi për të ardhurit nga veriu apo edhe vendet e tjera të Shqipërisë? Ka shumë muslimane aktualisht që banojnë në Dhërmi?
Të ardhurit në Dhërmi, një pjesë e mirë muslimanë vijnë kryesisht nga Veriu. Sigurisht që ka ndryshuar mendimi si për ata që vijnë nga veriu e po ashtu ata që vijnë nga vende të tejra të Shqipërisë, sepse siç e përmenda më lart, Dhërmiun e karakterizon kultura, mendja, mikpritja dhe pasuria historike dhe kulturore. Këto janë të gjitha anët pozitive që e kanë ndryshuar Dhërmiun në këtë drejtim.