Albspirit

Media/News/Publishing

Referendum: A duhet t’u besojmë verbërisht të huajve?

Artan Hoxha

Kjo do të ishte pyetja e saktë lidhur me çështjen e vetme që po diskutohet edhe sot, e ku ka ngecur miratimi konsensual i paketës kushtetuese për Reformën në Drejtësi që nga data 10 korrik kur u prezantua nga znj. Nuland i ashtuquajturi “propozim hibrid” i dyshes së ambasadoreve Lu-Vllahutin.

Para kësaj date as që shtrohej kjo pyetje pasi, as nuk ishte kërkuar besim i verbër prej te huajve, as ishte kërkuar, dhënë a premtuar besim i verbër nga asnjë palë shqiptare ndërsa ishte dhënë një besim me pash, i madh e i gjerë, por jo i verbër.

Nëse i qëndrojmë shpjegimit të znj. Nuland se propozimi hibrid bashkonte një gjysmë propozimi demokrat për mënyrën e votimit në Kuvend të kandidaturave për 21 poste të strukturave qe do kryejnë vetting (verifikimi i gjyqtareve/prokuroreve aktuale për pasurinë, lidhjet me krimin, profesionalizimin) dhe një gjysme propozimi Rilindës për mënyrën e filtrimit të kandidaturave për strukturat e vetting nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM), del se besimi i verbër tek te huajt është propozuar/premtuar fare pak para 10 korrikut nga Edi Rama.

Por, nëse i referohemi deklarimeve te Edi Ramës se ai është gati të firmose çdo gjë që kërkojnë demokratët me kushtin që të marrin dakordësinë e ndërkombëtarëve (praktikisht të Lu-Vllahutin) dhe faktin se çdo propozim i demokrateve deri këto minuta nuk po merr konsensusin e dy ambasadoreve, për pasoje edhe të Edi Ramës, del se besimin e verbër e paskan propozuar/kërkuar dyshja e ambasadoreve Lu-Vllahutin dhe jo Edi Rama.

Le të pranojmë se kemi të bëjmë me një propozim tresh e te pandashëm Rama-Lu-Vllahutin. Deklaratat ditëpasdite të treshesh, përfshirë ato të paradites së sotme, akuzojnë Lulzim Bashën se ai paska ndryshuar mendim nga maji në korrik: në maj i besonte të huajve, në korrik nuk iu beson më. Ky është një shtrembërim ashiqare i pyetjes së vërtetë lidhur me besimin e verbër dhe jo me besimin si koncept. Lulzim Basha, në maj dha e korrik jep vetëm dhe vetëm besim jo te verbër.

Në fakt, është vetë treshja në fjalë që deri me 10 korrik kërkonte vetëm dhe vetëm besim jo të verbër për çdo çështje ku përfshiheshin të huajt, përfshirë çështjen në fjalë, por nga data 10 korrik ka ndryshuar qëndrim dhe po kërkon vetëm dhe vetëm besim të verbër për këtë çështje specifike të reformës.

Nuk ka shtet sovran, kushtetutë, ligj, me gjasa edhe në vendet diktatoriale lë më në ato demokratike jo që jo, që të japë besim të verbër, as vendasve lë më të huajve, ashtu siç zor të ketë shtet në botë që të mos ketë dhënë besim jo të verbër ndaj një shteti tjetër a organizate ndërkombëtare.

Ndaj, përgjigja e pyetjes “a duhet t’i jepet besim jo i verbër një shteti a organizate te huaj” është një dhe e vetme ABSOLUTISHT PO ndërsa diskutohet çështja konkrete, masa e besimit dhe mënyra e kontrollit te ushtrimit te tij. Ndërkaq, përgjigja e pyetjes “A duhet t’i jepet besim i verbër një shteti a organizate te huaj” përgjigja është një dhe e vetme, ABSOLITISHT JO.

Përjashtuar çmendurinë apo papërgjegjshmërinë, cilido që do të përgjigjej ndryshe në pyetjen e parë do të ishte izolacionist dashakeqës dhe cilido qe do t’i përgjigjej ndryshe pyetjes se dyte do te ishte ekzekutuesi/përfituesi dashakeqes i besimit te verbër.

Ndërsa përgjigjet janë te qarta ajo qe kërkohet është qe te shpjegohet pse kërkesa e treshes Rama-Lu-Vlahutin që nga 10 korriku është “besim i verbër”.

Siç e kam shtjelluar në shkrime te mëparshme, nga kjo treshe është kërkuar që kandidatet shqiptare për 21 vendet në strukturat e vetting që kanë kaluar filtrin e Avokatit te Popullit, të filtrohen nga ONM lidhur me ligjshmërinë e pasurisë që kanë, lidhjet e mundshme me krimin e organizuar dhe aftësitë profesionale por, me një vendimmarrje të mbyllur, pa transparencë, pa mundësi verifikimi të fakteve e provave nga kandidatët, pa mundësi ankimimi individual, pa mundësi verifikimi nga publiku. Me këtë procedure, një pjesë e kandidatëve mund të hiqen nga lista prej ONM edhe me pa të drejtë, me apo pa dashje, dhe Kuvendit praktikisht t’i diktohet lista me kandidatët e mbetur për të cilët jo domosdoshmërisht ekziston bindja ligjore se janë të duhurit.

Pra, vetting i kandidatëve, nga të cilët do të përzgjidhen 21 shqiptarët që më pas do të kryejnë vetting të gjyqtareve dhe prokurorëve, kërkohet të kryhet sipas një procesi komplet të kundër për nga cilësitë krahasuar me procesin e dakordësuar nga të gjithë, përfshi treshen në fjalë, për kryerjen e vetting për vetë gjyqtarët dhe prokurorët, ky i dyti transparent, kontradiktor, me mundësi verifikimi të fakteve e provave, me mundësi apelimi, korrigjimi të gabimeve dhe ndëshkimi të personave që gabojnë me dashje.

Vetting i gjyqtarëve dhe prokurorëve është shembull i qartë se strukturave të vetting dhe ONM ju është dhënë besim jo i verbër: i qartë, i verifikueshëm, i ankimueshëm, i korrigjueshëm, e nga ku mund të gjendet përgjegjësia institucionale dhe/ose individuale e keqfunksionimit të mundshëm të strukturave që kryejnë vetting dhe ONM.

Kjo rrëzon pretendimin e treshesh për Lulzim Bashën se nuk don t’u japë fare besim të huajve,  krahas plot provave të tjera, përfshirë draftin demokrat të ndryshimeve kushtetuese të majit që iu jepte ndërkombëtarëve besim, por jo të verbër, për më tepër ekskluziv, për kryerjen e vetting të anëtarëve të Gjykatës së Lartë, Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Ç’ka po kërkon Lulzim Basha edhe mirëkuptohet nga Ilir Meta, është që treshja të heqë dorë nga varianti i besimit të verbër ndërsa Basha-Meta ofrojnë besim me pash, por jo të verbër, pra vetting të kandidatëve për 21 vendet e strukturave të vetting të bëhet nga ONM, por sipas të njëjtave kritere dhe sipas të njëjtave cilësive procedurale si ato te dakordësuara për vetting të gjyqtarëve dhe prokurorëve aktualë, përfshirë mundësinë e ankimit për mohim të padrejtë të të drejtës së kandidimit. Nëse të huajt nuk e pranojnë këtë mbetet që vetting i këtyre kandidatëve të bëhet me këto cilësi të domosdoshme nga struktura shqiptare dhe ONM të asistojë, monitorojë dhe rekomandojë. Rrugë të mesme nuk ka.

Së fundmi, meqë shumë po flasin për referendum, le të imagjinojmë për një moment sikur bëjmë një referendum me pyetjen: “A duhet t’u besojmë verbërisht të huajve?”. Cila do të ishte përgjigja e popullit? Në fakt, përgjigjen kësaj pyetje populli ia ka dhënë me fjalën e urtë “beso dhe kontrollo”, pra JO. Nëse shqiptaret do jepnin një përgjigje tjetër ata ose janë çmendur ose janë manipuluar. E në fakt, nuk jemi i vetmi popull që kthejmë këtë përgjigje. E kanë plot të tjerë. E kanë edhe librat e shenjtë.

Kjo përgjigje, “Beso dhe kontrollo” pra, “nuk jepet besim i verbër”, vlen edhe kur besimi (kompetenca) i jepet atyre që i janë betuar flamurit kuq-e-zi edhe kur i jepet atyre që besën ia kanë dhënë një flamuri tjetër, qoftë ai amerikan apo gjerman, le më ndonjë tjetër flamuri, të ndonjë fqinji këndej vërdallë, anëtar të BE, që fare mirë mund të ketë pjesëtarë në ONM. Referendumi pra, do të ishte jo vetëm i panevojshëm, por edhe i pakuptimtë.

Please follow and like us: