Ismail Xhaferi: NDOSHTA
Ndoshta një ditë mund të takohemi diku,
Pas një rrugëtimi të gjatë udhëve të jetës
Unë do jem si kodër e vogël me borë,
Ti do jesh si një pemë në prag të vjeshtës.
Ndoshta takohemi në qytetin e bukur te jugut,
Qytetin – skulpturë në shpatin e malit,
Duhet të takohemi patjetër ndonjë një ditë,
Për të ndaluar rrjedhjen e përrenjëve të mallit…
Ah, përrenjtë e mallit,
Rrjedhin vazhdimisht, rrjedhin ngadalë,
E bëjnë zemrën të rrahi më fort,
Dhe vizatojnë rrudha në ballë!
Ndoshta takohemi në spital duke matur tensionin,
Sepse unë patjetër tensionin duhet ta mat,
Tensionin nuk e rrit vetëm kolisteroli,
Por edhe ndarja e gjatë.
Ndoshta takohemi në një rrugë fshati,
Ku vjeshta vjen dhe ikën me përtesë,
Ku vjeshta nuk ndihet mirë pa hapin tënd,
Dhe pranvera i çel lulet me vonesë.
Ndoshta një ditë mund të takohemi diku,
Pas një rrugëtimi të gjatë udhëve të jetës,
Unë si një kodër e vogël me borë,
Ti si një pemë në portat e vjeshtës.
Please follow and like us: