Vlora Konushevci: Ikja e mbramë e babës
Baba ka pas qef me ikë, jo me u zhdukë sikurse zhduken magjistarët paçka se nji lloj magjie edhe ai e ka pas, por me ikë prej kujtimeve, prej zhgënijimit, prej çmendisë e drejt në kafe te tre sheshirat apo në “Bagrem”. Ndonjiherë ka ik në vargje, strehë për botën e egër, e dikur ja pat nis me iu dorëzu toponimisë dhe etimologjisë tue ikë n’fjalorë. Më janë dasht 40 vjet me i kuptu drejt këto ikje se dikur e kam gjyku fort dhe rreptë, tue kujtu që baballarëve sikurse perëndive besë s’duhet me ju zanë se bash kur të duhen nuk mundesh me i gjet.
Si nji shqiptar tipik që kalon prej ekstremit në ekstrem, si nji poet i madh me botë të pasun emocionale, si nji njeri me jetë goxha dramatike, ai ka ditë prej mirënjohjes së tipit: “Na ty kurrë hakesh s’mundemi me të dalë” me tu drejtu me fjalët: “Shtriga të paska kaplu krejt”, apo “mjerë unë çfarë bije kam”, krejt këto brenda dhjetë minutash. Shpesh herë trajektorja e humorit të tij i ngjajke rezultatit të EKG-së me ato amplitudat poshtë-naltë, naltë-poshtë. Por, e ka pas nji prirje satirike pothuajse gjeniale. Për secilin rast unë ja kujtoj nga ndonji perlë edhe sot 9 vjet mbas vdekjes së tij ende më qeshet. Jo rrallë edhe më qahet, sepse siç thotë shkrimtarja amerikane Joan Didion: “Pikëllimi nuk njeh distancë. Vjen në valë, paroksizma, frika të paprituna që t’i këpusin gjunjët, verbojnë sytë dhe fshijnë përditësinë e jetës”.
Diku në shkurt të vitit 2012, pasi e morëm rezultatin e biopsisë (adenocarcinoma) në Prishtinë me rekomandim të disa miqve nga Prishtina u nisëm për Tiranë në spitalin privat “Hygeia” ku ishte nji onkolog i zoti. Pas shqyrtimit të dosjes mjekësore dhe analizave tjera shtesë (MRI, tumor marker etj) z. Kokobobo (onkologu) më thirri në zyre. Zyra e tij ishte zyrë tipike e mjekëve në spital, ma e bardhë se bora. Ishte i drejtperdrejt: “Prognoza nuk asht e mirë, duhet me u trajtu me radioterapi dhe kimioterapi, por përkundër terapisë statistikat tregojnë që përqindja e mbijetesës asht diku 30 për qind dhe statistikisht këta pacientë vdesin brenda 2-3 viteve”.
Baba ishte veç 54 vjeç. Këto momente mbas kësaj informate veç ata që e kanë provu i kuptojnë. Me ju thanë se më ra krejt ai spital n’krye asht pak. Muret u afruen aq fort sa i ndjejsha tue mi shtyp tana gjymtyrët e trupit e frymë s’mujsha me u ngi. Njikohësisht përpiqesha me i mobilizu tana qelizat e trupit që me u përmbajt tue ditë se duhet me dalë prej asaj zyreje e me kqyr babën n’sy, e me i thanë kurrgja s’ki. Por, dështova keq. Nuk mujta as edhe nji fjalë me ja thanë se m’shpërthej vaji. Me folë kah del shpirti babën asht zor me mashtru. M’përqafoj edhe m’tha: “Për mu mos u mërzit! Unë e kam jetu jetën qysh kam deshtë. Kam pi raki sa kam dashtë, kam pi duhan sa kam dashtë, kam shkru sa kam dashtë madje pak kush ka shkru ma mirë se unë. Mandej me një shikim djaloshari tha: “Me gra s’asht edhe qe kam pasë pëvoja bash sa kam dashtë po…” edhe aty nisem me qesh të dytë.
Lehtësia me të cilën e kaloi lajmin për sëmundjen mi kujton tash vargjet e John Donne nga “Sonetet e Shenjta”:
“Vdekje, mos jij krenare, edhe pse disa të kanë thirrë
të fuqishme të tmerrshme, por ti nuk je e tillë;
Ti je veçse skllave e fatit, e rastit, e mbretënve dhe njerëzve të dëshpërum,
dhe me helm, me luftë dhe me sëmundje ki me rrnu”.
Baba nji kërkesë e ka pasë, që kur të vjen fundi, mos me çu n’spital. Ndjehem fort mirë që dashti zoti e patëm mundësi me ja respektu atë dëshirë.
Kanceri me gjithë egërsinë e tij e me prognozën shokuese e ka nji të mirë, nësë veç i marrim me i krahasu shkaqet e vdekjes përveç pleqnisë, p.sh. kanceri asht ma i mirë sesa sulmi në zemër, sepse të jep pak kohë. Kohë ma shumë me familje e miq, kohë me kriju kujtime të reja, kohë me i rrëfy disa të vërteta të zorshme, me kërku falje, me i njoftë ma gjatë nipat, me qesh e me qajt bashkë. Malit, atëherë 4 vjeç, ia pata sqaru që gjyshit nuk po i funksionojnë mushknitë mirë, e ai çdo ditë ia vizatonte nga nji palë mushkni të reja dhe ia lejke në dhomë. Kur nisi me u ba puna ngushtë i patëm marrë dy boca të mëdhaja me oksigjen të shpija për me ia lehtësu frymarrjen. Mali i cilësoj ato si mushknitë e reja të gjyshit dhe ma nuk e ndjente nevojën me ia vizatu.
Baba, mbas diagnozës fillestare, jetoi pothuajse edhe dy vjet. Këtë periudhë e kemi shtrydhë goxha mirë. Megjithëse ankthi gjatë kësaj periudhe të bahet shoku ma besnik, ne prapë se prapë kemi arritë me kriju kujtime fantstike dhe momentet ma të randa me i kalu me humor. Për shembull kam pasë kohë me ja ba me dije se na ka rritë me standarde të dyfishta. Për mu, si ma e madhja, ka qenë ma i rreptë, ma kërkues me pritje n’qiell. Edhe ai ka pasë kohë me ma ba me dije se “Fëmija i parë asht njifarë eksperimeti e mandej shkon tu pa tu ba”.
Baba edhe ato ditët e fundit me shpirt rrebeli dojke me ba vdekjen “qysh do vet”, sikur në poezinën e tij “Testamenti”.
“Kur të mbërrish në fund të udhës
Bëje vdekjen
Si të duash vetë
Nëse jetën në grusht ta mbanin
Në të samës të gjithë
Tash që u bëre mbret”.
Thojnë që kur i zoti shpisë bahet gati me vdekë, gjaja e ndjejnë të parët, ne gja nuk kemi pasë por atë natë nji mace e mahallës që rrike përfundi ballkonit mjaullinte përvajshëm. Atë natë e ka pas rendin vëllau i vogël me ndejt me babën. Dikur rreth orës katër të mëngjesit erdh ma prishi gjumin, tha motër çu se babi po me doket s’po merr frymë. Iku të Dielën e parë t’dhjetorit, ditën e Ardhjes, iku për të mbramën herë…
Please follow and like us: