Albspirit

Media/News/Publishing

Vita Blloshmi Kozeli: MOS HARRO TË SHIKOSH HËNËN

Tregim
-Gjumë të ëmbël, ëndrra ime e bukur,- tha Andrea, ndërsa mbylli telefonin dhe përnjëherësh e pushtoi një tis i hollë mërzie…. Iu duk sikur gjysmën e shpirtit e kishte lënë në atë kuti, ku valët eterike çonin e merrnin emocione. E gjitha kjo kishte filluar me një klik në rrjetet sociale. Një ditë, ndërsa navigonte në internet, shikon që në një moment i del parasysh fotoja e një gruaje të hijshme. Pa e menduar gjatë i kërkoi miqësinë për ta patur ndër miqtë e vet virtualë. Dhe ajo iu përgjigj shpejt kërkesës së tij…
Nuk filluan komunikim të menjëhershëm, ndonëse atij do i pëlqente të paktën ta përshëndeste dhe ta falënderonte formalisht për pranimin e miqësisë. Por preferoi të ishte i rezervuar. U fut në profilin e saj, bëri ndonjë like tek disa foto e tek ndonjë status që i pëlqyen, por gjithnjë duke ruajtur sensin e masës. As komente e asgjë tjetër. Sepse vuri re që kishte përballë një person të rezervuar, me një lloj serioziteti dhe dinjiteti në gjithçka që publikonte. Pa ato fluturimet e lehta që janë karakteristike për shumë femra që mezi presin të tërheqin vëmendjen.
Ndodhi që pas disa ditësh ajo postoi disa vargje të zgjedhura nga një poet rus që edhe atij i pëlqente. Lirikë e hollë, fine, delikate. Ai përfitoi nga rasti të shkruante një koment, ku i bënte një kompliment për zgjedhjen që kishte bërë, duke theksuar që ai poet ishte në preferencat e tij. Ajo iu përgjigj me elegancë komentit të tij, duke e falënderuar. Pas atij momenti midis tyre filloi natyrshëm një komunikim edhe nëpërmjet mesazhesh. Që në bisedat e para me të ndieu që ajo nuk ishte njësoj si të tjerat. E thjeshtë dhe e përkorë në fjalë, por e sigurtë në ato që thoshte, ai filloi të kuptojë që tek ajo femër kishte diçka që e tërhiqte. Mbase duke filluar që nga emri. Elena, kështu quhej ajo. Prej saj mësoi që ajo jetonte në një kontinent tjetër, kishte dy fëmijë të rritur dhe një jetë në aparencë normale. Ishte një grua e urtë dhe e bindur. I shoqi, jo shumë prezent në jetën familjare dhe pa përkujdesjet e duhura bashkëshortore. Këto gjëra Andrea i mori me mend gjatë bisedave, ndonëse Elena nuk shprehte asgjë konkrete në atë drejtim.
Andrea kishte një natyrë shumë të dashur dhe jeta e kishte mësuar të ishte i kujdesshëm e të maste mirë fjalët. Mbase ishte pikërisht kjo gjë që e bënte Elenën ta ndiente të nevojshme komunikimin me Andrean. Po edhe Andrean nuk e tërhiqte më pak natyra e Elenës.
Andrea punonte në një bankë dhe thuajse të gjithë ditën e kishte të zënë me numra e shifra. Kishte filluar të lodhej me tekat e të shoqes që i rrinte mendja vetëm tek fundjavat shik, tek fustanet, pedikyr e manikyr… Vajza që kishin, ishte e rritur dhe bashkëjetonte me një djalë të mirë. Fare pak komunikim në familje. Ai, pasi kthehej nga puna, bënte dushin, hante diçka dhe rehatohej në studion e tij para kompjuterit. Gjithmonë në atë orë ishte vetëm, sepse bashkëshortja kishte kohën e kafesë me shoqet.
Oraret e tij tashmë i njihte edhe Elena. Ndaj ajo, ditë pas dite, filloi t’i organizonte kohën e punët në mënyrë të tillë që në orën kur Andrea gjendej përpara kompiuterit në shtëpi, edhe ajo t’i kishte mbaruar impenjimet e ngutshme e t’i mbetej kohë e lirë në ato momente. Ajo e quante si orë takimi, ndonëse nuk linin asnjë takim, por diçka e brendshme i thërriste të dy përpara kompiuterit në dy kontinente të ndryshme.
Pasi uleshin, përshëndeteshin sikur të njiheshin prej vitesh dhe pastaj fillonin të flisnin për çdo gjë,për problemet e ditës, për gjëra normale që mbase duhet të konsumohen në familje… Por ata ndiheshin çdo ditë e më të afërt dhe shkëmbimi i këtyre agumenteve ju dukej i natyrshëm. Me kalimin e kohës oraret e bisedave zgjateshin gjithnjë e më shumë. Koha ikte pa kuptuar. Flisnin me orë të tëra dhe nuk ngopeshin kurrë… E ndienin kaq të nevojshme të flisnin, nganjëherë i zinte edhe e vona, derisa kujtoheshin që duhej të flinin disa orë për të përballuar ditën e nesërme. Kishte raste që Andrean e zinte gjumi në poltronën e sdudios e gdhihej aty…
Si pa kuptuar, Elena kishte filluar t’i kushtonte më shumë kujdes pamjes së saj, ndjente që ishte bërë më e bukur, kishte ndryshuar look. Madje edhe për lulet e shtëpisë kujdesej më shumë e dukej sikur ato kishin filluar të çelnin më shpesh. Ishte shumë e lumtur dhe këtë gjë e kishin vënë re edhe të tjerët, përveç bashkëshortit të saj.
Ditët kalonin dhe miqësia e tyre u kthye në diçka shumë të rëndësishme. Ishin shumë të matur në fjalët e tyre. Ndonëse ndiheshin mjaft të afërt, nuk shkonin kurrë tej kufijve të miqësisë, megjithëse e ndjenin që e dëshironin shumë njëri – tjetrin…
* * *
Atë mbasdite Andrea e priti gjatë por Elena nuk erdhi.. Ajo i kishte thënë kohë më parë që kishte për të bërë disa analiza, por thjesht rutinë. Andreas po i rrinte si çekan në kokë kjo histori dhe mendja i shkoi për keq. Elena i shkroi një mesazh, ku thuhej: -Më fal, nuk mundem sot, flasim nesër. Natën e mirë… Ky mesazh kaq i shkurtër e bëri të ndihej akoma më keq. Sigurisht ajo ka diçka me rëndësi, mendoi, ndërsa mbyllte kompiuterin. Shkoi e u shtri në shtrat, por më kot përpëlitej. Nuk arriti të mbyllte sy. Të nesërmen mezi priti të shkonte ora kur flisnin gjithmonë. Ishte ajo që mendonte. Elena, në një breshëri lotësh i konfirmoi që kishte një sëmundje të pashërueshme dhe se vetëm një mrekulli mund ta shpëtonte. Andreas ju ngul një thikë në gjoks… Jo, nuk mund të lejonte të ndodhte. Por ç’mund të bënte ai kaq larg, xhanëm?….
Nuk e humbi toruan dhe ndërtoi një buzëqeshje gati të natyrshme, duke i thënë: -Shpirt ne jemi të dy dhe do ta fitojmë këtë betejë… Elena u drodh, por edhe u ndie disi më lehtë.Ishin pikërisht këto fjalët që donte të dëgjonte, këto fjalë që kurrë më parë nuk kishin mundur t’ia thonin njëri – tjetrit. Dashur pa dashur Andrea kishte bërë një premtim… -Unë do të të jap ty aq shumë dashuri e përkujdesje sa sëmundja të ndihet e tepërt në trupin tënd, -tha me bindjen e plot ai. Elena mundohej të buzëqeshte, por dukej që ishte shumë e mërzitur. Herë pas here përsëriste shprehjen “pse o Zot tani?!! Dhe kjo ja këpuste më keq shpirtin Andreas.
Elena, gjatë ditëve në vijim, u mundua të mos dilte, që t’i jepte mundësi Andreas të tërhiqej nga kjo lidhje tashmë, por ai akoma më shumë ishte i vendosur. Ai filloi t’i shkruante letra dhe ia dërgonte ato me e-mail, që edhe gjatë ditës ajo të ndiente se dikush e mendonte. Kishte vendosur të mos i fliste kurrë për sëmundjen, por ta trajtonte atë si njeri normal dhe kishte menduar një variant të mirë me një cikël me letra,që e kishte titulluar “mos harro të shikosh hënën”…. Çdo natë, para se të flinin, ata dilnin në dritare dhe shikonin hënën, duke menduar secili se kishte përballë tjetrin. Ashtu flisnin me hënën sikur i flisnin njëri-tjetrit, i tregonin asaj për çdo gjë që u kishte ndodhur gjatë ditës, emocionet që kishin provuar etj. Kjo nisi si një lojë romantike, por u bë shpejt tërheqëse dhe e nevojshme për ta, sidomos për Elenën. Ajo e ndiente që sëmundja e kishte transformuar jo pak, ndaj kishte nevojë të domosdoshme për praninë e Andreas, i cili çdo ditë e më tepër bëhej më i rëndësishëm për të.
Atë mëngjes, si gjithë mëngjeset e tjerë, Elena shpejtoi të hapte e-mailin dhe mbeti e befasuar kur lexoi poezinë e krijuar nga Andrea kushtuar asaj… Ai e fillonte çdo varg me fjalën ëndërr, sepse një herë ajo i kishte kërkuar që kjo të mbetej një ëndërr e bukur dhe këtë Andrea po e realizonte çdo ditë me kujdes. Kjo i jepte një energji që edhe vetë Elena nuk e kuptonte nga i vinte. Filloi sërish t’i kushtonte kujdes paraqitjes së saj, dëgjonte muzikë të gëzueshme, dilte parqeve të bukura dhe u gëzohej të rinjve që putheshin stolave nën pemët e gjelbëruara. U afrohej luleve dhe i përkëdhelte me dorë, e ndjente veten plot jetë dhe këndonte nën zë ndonjë këngë të hareshme. Në shtëpi u kushtohej sërish leximeve, në kohën që priste momentin kur do të fliste me Andrean. Të gjitha këto bënin ta harronte sëmundjente. Edhe vetë mjekët po habiteshin me përmirësimin e ndjeshëm të Elenës dhe në bisedat me njëri-tjetrin mendonin se ishin edhe familja e të afërmit e Elenës që ndikonin me përkujdesjet e tyre.
Elena lexonte ato që i shkruante Andrea në ciklin e letrave “mos harro të shikosh hënën” dhe një mbrëmje iu përgjigj edhe ajo: “…Rri ulur e shikoj detin , ndërsa mbrëmja bie ngadale.Hëna është e plotë dhe një puhizë e lehtë më ledhaton fytyrën, si për të më rizgjuar kujtimet . Mbaj frymën ndërsa hëna fillon të largohet ngadalë prapa malit duke vizatuar mbi det një vazhdë të purpurtë si për të më ftuar në rrugen e kujtimeve. E befas ndjej nevojën e një përqafimi. Të përqafimit tënd. Por ti je larg e kjo është e pamundur. Atëherë i lutem hënës të të përqafojë e të të thotë se sa i shtrenjtë je për mua…”
* * *
Edhe atë ditë Elena kishte dalë në park e ngjyrat e pemëve, luleve i dukeshin më të bukura se kurrë. Ajo shëtiste ngadalë, shpesh e tretur në mendime, me një notë nostalgjie në fytyrë. Kishte tri ditë që Andrea nuk i shkruante, as në ciklin e letrave në email. Kjo zhdukje e befasishme e trembte pak, por nga ana tjetër mundohej edhe ta jusfitikonte, duke e ditur se vetëm arsye të forta mund ta mbanin atë larg komunikimit me Elenën. Parku ishte jo larg shtëpisë dhe ajo mbaroi shëtitjen e vendosi të kthehej. Ecte ngadalë e as vetë nuk e kuptonte se si i vinin në mendje vargjet e poezisë së Andreas për ëndrrën e tyre. Mos vallë po mbetej vërtet një ëndërr?
Me këtë pyetje ajo iu afrua daljes së parkut për në rrugën që e çonte tek shtëpia. Papritmas i zunë sytë një si parullë të shkruar mbi një copë beze të gjatë e të lidhur mbi dy pemë përballë njëra-tjetrës. Në fillim mendoi se ishin ato afishet e zakonshme publicitare, por iu duke sikur lexoi një fjalë në shqip. Ç’ne shqip në këtë vend të huaj?-tha me vete. Pastaj u përqëndrua dhe e lexoi gjithë atë çka ishte shkruar: “Mos harro të shikosh hënën”. Ndali hapat dhe gjunjët iu prenë. Po kjo? Mos ishte ndonjë shaka me gusto të keqe e të shoqit që mund të kishte lexuar tinzash ndonjë e-mail? Nuk u ndie mirë dhe u drejtua të gjente ndonjë stol që mund të ishte aty afër. Tek ai më i afërti ishte ulur dikush. Hodhi sytë të kërkonte ndonjë stol tjetër, por pikërisht ai dikushi tek stoli u ngrit dhe filloi të lëvizte drejt saj. Bëri dy-tre hapa dhe thirri emrin e saj: Elena!
Ajo u befasua. Ishte ai zë tashmë aq i njohur dhe i dashur.
-Andrea!-thirri dhe eci drejt tij. Ndjente që hapat nuk po e mbanin. Ai shpejtoi hapat dhe ajo ra në përqafim në krahët e tij. Andrea e mori në krahë dhe duke e mbajtur ashtu u ul tek stoli. I shqetësuar e pyeti: -Elenë, Elenë, çfarë ke, nuk ndihesh mirë?
Ajo ngriti sytë, ia mbështolli krahët rreth qafës dhe iu përgjigj:
-Puthmë. Nuk vjen asgjë e keqe nga lumturia.
Please follow and like us: