Cikël poetik nga Rakela Zoga
Kur ti vjen!
Kur ti vjen!
Të puth me përqafime shpirti.
Ti me buzë fjalësh varg.
Qetësohet rrezja e syrit.
Kur prek tënden varkë.
Kur ti ikën!
Kur ti ikën deti bëhet gri.
Vendi bosh i yti, i imi vetmi.
Kur ti ikën, në zemër gjëmon shi.
Kur presim!
Mbytim dimrat, flasim me vete,
Ndërtojmë stinën tonë,
“Dhomën me gënjeshtra”
E bëhemi të pasur, në letra.
Shkëlqej!
Sa herë ik prej teje marr vështrimin,
Çuditërisht bëhem me dy palë sy.
Ç’do gjë e shikoj nëpërmjet teje,
Dhe bota ime ka tjetër ngjyrë.
S’ka gjë që s’je, mos u trishto.
Unë s’di të ik as të mungoj…
E di vështrimi, që mbaj pranë.
Sa herë kam ftohtë, më puth ngadalë.
Por ti mos prit të bëj stuhi.
Të kemi ftohtë dhe unë dhe ti.
Le të jem veshur me dy palë sy.
Mungesë!
Bie shi i imët, shi dashurie.
Toka ka hapur buzët, si fytyrë njeriu,
Pret pikat e qelqta, me sy foshnjërie,
Puthet, qesh me gjethet përreth.
Degët e pemëve duartrokasin,
Heshtjet nëpër rrugë…
Unë afrohem pranë tyre,
Qull prej mallit,
Krahët zgjatur drejt teje,
Në bosh.