Albspirit

Media/News/Publishing

Gjergji Mihallari: Fyelli

 

  Tregim

E rrëfenin si histori dhe betoheshin për kokën e fëmijëve, betim për gjënë më të shtrenjtë, fëmijët, se fyelli në duart e tij, ishte si një magji. Më e gjithëpushtetshëm se lira e hyut të Olimpit. Kur ai i binte fyellit, hipnotizonte gjithçka të gjallë që frymonte anembanë. Ishin të vetmet tinguj që ushtonin përreth, nuk dëgjohej asnjë tingull tjetër. Pylli heshtte dhe sikur përgjumej në vallëzim të zanave. Nuk ndihej puhiza e lehtë e erës, që fërshfërin midis barit, gjetheve të pemëve dhe përvidhej korieve plot dushk, ah dhe lajthi. Kafshët e egra, ngurtësoheshin në vend dhe ngrinin veshët përpjetë. Natyra përkulej në gjunjë, dëgjoheshin vetëm gurgullimta e tingujve të ëmbël të fyellit, a thua se ajri magnetizohej nga ato tinguj, sa edhe lulet të mbushnin livadhet dhe lëndinat me aromat më të ëmbla. Vajzat hutoheshin në krua dhe uji vazhdonte të rridhte mbi bucelat e drunjta, pa mbushur asnjërën prej tyre me ujë.

Kur mbështeste buzët në majën e kallamit të drunjtë, tregonin se edhe vetë zogjtë nëpër degë pemësh dhe shkuresh, ndalnin këngën e tyre. Heshtnin zogjtë, nga tingujt, nemitej edhe bagëtia në kullotë. Ato mblidheshin përreth tij, sikur t’i mikëlonte duke i përkëdhelur me gishtërinjtë e trashë të pëllëmbëve  të mëdhaja të duarve. Ashtu, në vetminë e heshtur, në mes të livadheve dhe kullotave plot bar, kishte gjetur mundësinë e vetme që të ngushëllonte plagosjen e zemrës, nga dëshira djegëse si prush zjarri, për një vajzë të bukur. E kishte ndeshur në mesditën e nxehtë, pranë burimit në korijen e lajthive.

Në livadhet e shpatit të pjerët, nga krahu tjetër i malit, përballë me lëndinën e butë të krahut ku kishin ndërtuar kasollet dhe stanet e bagëtive, rrethi familjar i tij, bujtën edhe familjet  e tjera, siç ndodhte çdo fillim pranvere. Kishin disa vite rresht që ato dy shpate të malit, ndaheshin në dy grupimet e familjeve. Dëgjoi zilet dhe këmborët e bagëtive në krahun tjetër të pllajës së gjelbëruar, disa ditë pas mbritjes së kolonisë së tyre në fillimmars. Mbështetur trupin mbi krabën e gjatë, vëzhgonte nga larg tufën, që mbushte ajrin plot zhurmë, nga blegërimat e bagëtisë e përzierë me britma dhe thirrjet gazmore të fëmijëve. Tek-tuk edhe ndonjë e lehur qeni, nga ata që u sillen rrotull dhe ndihmojnë barinjtë për të mbledhur dhe drejtur tufën e bagëtive në lëvizje. Më pas, mbritën mushkat dhe kuajt e ngarkuar dhe në fund graria dhe fëmijët motakë dhe më të vegjëlit. Ngjyra bardhoshe dhe ajo e zezë, e shajaku të veshjeve burrërore, u fashit në llojshmërinë e ngjyrave të çelta, të veshjeve të grave dhe fëmijëve. Pastaj, shamitë, lidhura në majë të kokës, apo rrëzuara nëpër qafat e tyre, sikur mbanin kurora shumëngjyrshe lulesh në kokë e supe. Midis tyre, duhej të ishte edhe Ajo…

Në darkën e vonët, mbetur vetëm pranë zjarrit, në pragun e kasolles, herë vështronte zjarret në pllajën përkarshi dhe herë kupën e qiellit, mbushur me yje. Në trup, duke iu fërkuar, i fërgëllohej hera-herës, një puhizë e lehtë. Ende majave të larta maleve përreth, shtresa e borës, nuk dëshironte të hapte udhë shtrojës dhe qilimit të luleve e barit riosh. Ndaj edhe era marroke, pa dashjen e saj, përcillte në ajër grimca të ftohti. Kështu që ai, ndërsa e ndiente ngrohtësinë e zjarrit përballë, në shpinë kishte ftohtë, ndaj strukej poshtë mbulesës së leshtë me thekë. Drutë digjeshin në zjarr, me kërcitje të thata, me shëndijza që rokaniseshin nëpër ajër. Drejtonte pëllëmbët, nga gjuhëzat e flakëve. Nga krahu tjetër, të porsambrriturit po mbyllnin punët për ngritjen e kasolleve-shtëpiza. Po shuhej edhe tingulli i fundit i zhurmimit. Edhe blegërimat e bagëtive, po tretëshin nëpër perden e errët të natës. Rrallë, dëgjohej një lehje, pastaj disa rresht, dhe në fund, edhe qenjtë nuk lehën më. Mesnata ishte përmbysur, kur heshtja ishte e gjithpushtetshme. Edhe njollat e dobta të dritës, që shpërhapnin flakët e zjarreve, u bënë njësh me erësirën. I strukur poshtë, dhe mbeshtjellë me mbulesën prej leshi, gjumi e kishte trazuar, në ca ëndrra që e kishin gëzuar si një fëmijë. Nga larg, i kishte mbritur zëri i ëmbël i një vajzë, me një këngë ninullë, qëndisur bukur në fjalë e melodi, si rruazat plot ngjyra e shkëlqim në fustanet e grave dhe vajzave të sojit të tij. Pastaj, vajza herë afrohej, dhe herë largohej si t’a përpinte mjegulla apo nata. Bënte të kapte atë imazh, por ajo largohej. Herë shfaqej para e herë pas shpinës së tij. Njëherë shfaqej mes tufës së bagëtive, dhe here tjetër, në cep të livadhit, ndanë korijes. E përpiqej i ziu djalë, të vraponte sa këndej e sa andej, të lëvizte sytë dhe vështrimin, sa para dhe pas. Gati theu qafën duke vrapuar dhe kërkuar. Biles edhe u gjakos në duar dhe këmbë. Hapi sytë duke kërcyer përpjetë. Vështroi vëndet e gjakosura në ëndërr. Nuk dalloi asnjë njollë, apo pikë gjaku.

Zjarri ishte fikur dhe kongjijtë e pakët gati jepnin shpirt. Vështroi qiellin. Nga yjet dhe hëna, kuptoi që mesnata duhej të kishte kohë që ishte larguar. Mbi trupin e tij, dalloi edhe një mbulesë tjetër të leshtë. Mendoi njëherë, të shtonte ca shkarpa mbi thëngjijtë që kishin cifla shkëlqyese të zjarrit, ndaj vështroi rrotull. Ishin vetëm disa degë të trasha, që vetëm flaka e vrullshme e zjarrit, mund t’i digjte. Përtoi të hynte brenda në kasolle për të fjetur, por edhe nëse hynte, me siguri do t’u prishte gjumin të tjerëve. Ndaj shtriqi trupin mbi bar dhe mbylli sytë. Nuk mund ta zinte gjumi. Ajo fytyrë vajze herë i bëhej e afërt dhe herë e largët, herë e qartë dhe herë e turbullt. Herë i dukej fytyrë e panjohur dhe herë sikur e kishte takuar. Herë i bëhej AJO, e herë një e panjohur…

Shkoi si në sira, fytyrat e vajzave që kishte parë në dasmat e verës së kaluar. Atëhere u ngatërrua më keq. Disa vajza e kishin përcëlluar me guximin e vështrimit të tyre të pacipë, duke bërë që të ulte kryet i turpëruar dhe të strukej pas djemve të tjerë. Pastaj ishin ndërruar rolet. Nga pas shpinave të djemve të tjerë, i strukur dhe fshehur, vështronte grumbullin e vajzave të reja mbledhur në një cep. Ato, sikur të kishin pikasur vështrimet e epshta e plot zjarr të djemve, mbanin kryet ulur, sikur nusëronin ato në atë dasëm. E ashtu, me mendime të trazuara, sillej rrotull në gjumë, duke rënkuar edhe nga dhimbja, e ndonjë guriçkë, poshtë trupit të shtrirë gjërë e gjatë në tokë.

Shokët e tij, vërsnikë në moshë, pothuajse të gjithë, ishin martuar, ose gati në orët e fundit të beqarisë. U ishin bindur zgjedhjeve të prindërve, fatit të tyre, lidhur që në djep. E kishte ngacmuar kurioziteti shumë herë, në këtë moshë pjekurie, kur mbi faqe pushi ishte bërë i ashpër, dhe duhej brisku. Por një mendje e ndalte të bënte pyetjen dhe shuante kuriozitetin. Dallohej si tip i ashpër, që në çdo rast i thoshte sherrit, lepe. Ndaj, të gjithë habiteshin se një tip si ai, të krijonte ata tinguj magjikë që të dridhëronin trup e zemër, me fyellin e tij. Por ama, dinte të mbante edhe trupin e kollandrisur, të dallonte nga djemtë e tjerë të moshës së tij. E nëse mosha kishte trokitur, kishte edhe një stepje apo si ndjenjë frike. Fati i tij, zgjedhur që djep, si i kishte qëlluar. Kishte ngritur veshët si langua, kur bisedonin të tjerët për të, tërhequr apo fshehur, që mos e diktonin praninë e tij, të mësonte ngonjë fjalë për fatin e caktuar. Vetëm kishte mbushur gjumin me ëndrra nga më të çuditshmet.

*        *

Në piskun e vapës, delet ishin tërhequr nën hijen e aheve për mërzim. Edhe kafsha e ndien nxehtësinë e saçit, e kërkon të struket nën hije. Kishte dalluar që nga lëndina përballë, të rrëshqisnin dy vajza. Njëra më e gjatë se tjetra. U kuqëlonte fustani dhe kristel drite shpërndanin në ajër nga rruazat shumëngjyrëshe në fustane. Po shkonin drejt burimit. E njohu atë më të shkurtrën. Të dobtën e të imët si një degëz thane. Duhej të ishte 11 apo 12 vjec. E ai, djalosh, 14 vjeçar. Kishte filluar të provonte hedhjet e çmendura sit ë një zogu, të kraharorit. Por edhe turpi e kishte ngacëllyer. Lahej vetë. Nuk pranonte më ledhatimet e nënës. Kishte filluar të mbulohej me qime në ca pjesë që ishte turp të t’i shikonin. U shmangej vështrimit të gjatë, e dëgjonte fjalët për të drejtuar të atit. T’u rrit djali Mitro, u bë burrë. Pse nuk e marton? Ka kohë akoma të piqet. Nuk bëhet qëngji dash pa mbushur vitet, edhe pse shton peshë e trup, u kthehej i ati. Ka kohë dhe e shkreta kohë ikën me erën e veriut…

E ditët kalonin, me zdërfylljen e trupit të tij. Kur pa vajzën hollake, me fytyrën e kuqe e vetull si hënë e gushtit, poshtë shajakut të pantallonave, i lëvriu si peshk rënë në grep, ajo gjëja e tij. Ndukte fyellin në buzë dhe lëçiste tinguj e qiellit e të livadheve, me blegërimën e bagëtisë dhe këngën e zogjve, me lojën e erës dhe të qarat e shiut. ishte e vogël, thoshte kur dallonte fytyrën e saj të rëzuar mbi ujin e burimit. Le të jetë, qetësonte vehten, do rritet ngadalë si bari i livadhit. Edhe unë do jem më burrë, burrë që di të mbajë shtëpinë me bollëk. E për çudi, këmbët e ndalnin si rrëke e vrullshme e përoit, poshtë lajthishteve pranë burimit, kur ndihte vajzat që shkonin për ujë. Pastaj me fyellin nën buzë, këngonte melodinë e zemrës, vajin që ishte ende i parritur, dhe bukurinë e vajzës së hollë.

Rritu, rritu moj lule e vogël

Të të mar në stan që sonte,

Se më djeg ky xhan si saçi

Nuk ka ujë shumë ky mali…

E dëgjoi një ditë prej ditësh, ati i vajzës, kur nënë hijen e lajthishteve pranë burimit, ndaloi të drekojë. Nga stanet në rrëzë të pllajës, zunë e zbritën familja e tij, me byrekun e pjekur në saç dhe kotruven me kos. Ai dalloi vajzën që rrëshqiti shpejt drejt burimit. Dhe zuri vend tek foleza e fshehtë. Fyelli në buzë frymoi. Burri tek burimi, u shtriq si të kërkonte t’a kishte tek veshi burimin e tingujve. Erdhi vajza e përqafoi të anë. Shshëëët! Bashkoi kryq me buzët gishtin tregues që e bija të heshtte. Erdhën e të tjerët. Dërgoi burri, djalin e vetëm në katër vajza, të gjente atë që i binte fyellit. E pa u tharë fjala në erë, bashkë me të birin, përpara i qëndronte një djalosh me faqepadirsur, me trup si lisi, dhe sy që xixëllonin si masati kur godiste mbi eshkën e thatë. I kujt je more trim? e pyeti burri, rrethuar nga gratë në shtrojën e bukës. I Mitros!ia ktheu tjetri me zë dridhëruar. Jo nga asnjë ndjenjë tjetër frike apo diçka tjetër, por vetëm nga ndjenja e turpit që gjendej para vështrimit hutues të vajzave. Bukur i bie atij fyelli, ma kënaqe shpirtin, vazhdoi burri. Po a je kaq i mirë të ruash dhe të shtosh bagëtinë? Djali nuk foli, u skuq nga një inat që gati shpërtheu si flaka në barin e thatë nga goditja e një rrufeje. Donte t’i përgjigjej siç dinte ai, por nguroi. Nëse do të gjendeshin diku tjetër, pa gratë rreth e rrotull, do t’ia përplaste në fytyrë atij burri. Eja të hash një kafshitë buke me ne, e ftoi burri. E falenderoi për ftesën, por duhej të largohej pranë tufës me bagëti, kishte frikën se ujku rrëmbente ndonjë prej tyre…

Këto fjalë shqiptoi dhe humbi midis lajthishtes. Kishte kaluar kohë, vite, nga ajo ditë e largët, dhe ai, e kujtonte si të kishte ndodhur jo më larg se dje. Akoma e ndiente djegjen e lëkurës së fytyrës nga skuqja dhe turpi. Ajo vajzë tani ishte e premtuar për të, në një mënyrë e fejuara e tij. I jati nuk i kishte përmendur asnjë fjalë për këtë fakt. Edhe atë mbrëmje, kur ishte kthyer nga kullota e kishte ndeshur të atin me burrin duke biseduar pranë kasolles me gotë rakie përpara, ishte çuditur me pranin e këtij të fundit në stanin e tyre, por nuk e kishte vrarë më tej radaken. Zakonisht shkëmbenin vajtje-ardhje nga dy krahët e staneve burrat. Me pretekstin e një bisede për hallet e familjeve, ata uleshin pranë zjarrit, pinin duhan e raki, zhyteshin në biseda dhe kujtime, duke kujtuar vite që nuk mbaheshin mend. Më pas, do t’a gixilonte prania e burrit vetëm me babanë e tij. E çfarë duhej të kishte të veçantë biseda e tyre, vetëm për vetëm me njëri-tjetrin, pa patur pranë asnjë burrë tjetër nga familjet apo fiset e tyre. E kishte zbuluar rastësisht qëllimin…

-Mirëdita moj vajzë e bukur, -dëgjoi një zë të huaj mashkullor pranë burimit. -Më janë tharë buzët nga e flamosura vapë. Më jep pak ujë me dorën tënde o bukuri e rrallë!  Vështrimi i tij kishte ndeshur me zbritjen e vajzave për në burim si çdo ditë tjetër, ndaj ishte strehuar në strofkullën e tij. Atë ditë seç ia kishte thënë truri, të mos e zinte fyellin me dorë. Do të dëgjonte në heshtje bisedën e vajzave. Ndaj kishte ngelur i habitur kur heshtjen ia theu timbri i atij zëri baritone. Zgjati kokën midis degëve të lajthishtes të kishte një vështrim më të pastër drejt burimit. Dalloi një bust mashkullor, me kuriz nga vështrimi i tij, si dhe vajzën hollake me motrën më të madhe se ajo. Nuk mund të njihte dhe identifikonte praninë mashkullore tek burimi, nga mënyrë e qëndrimit e tjetrit, por dalloi qartë ngurtësimin e motrës, dhe kryet gati t’i binin përtokë. Midis të motrës dhe mashkullit, kërceu si ketër vajza hollake. Një instikt vetmbrojtës i femrës mer formën e thonjve çjerës të maces, kur parandien një rrezik, ishte shfaqur tek e vogla. Sytë i lëshonin xixa, dhe duart e vogla të shtërnguara grusht, e kishin stepur djalin e huaj. Me fuqinë e një të madhi, iu përgjigj të huajit: -Nëse të është tharë buza dhe gurmazi, gjynjëzohu tek burimi dhe shuaje etjen o i pacipë! Edhe deshët kanë etje dhe blegërijnë, po ke vënë re ndonjë dele t’u shkojë nga pas?

I huaji ishte shtangur. Nuk e kishte pritur një reagim të tillë nga vajza imcake. Më shumë kishte patur frikën e më të madhes, por kjo ishte bërë si qengj i urtë. E vogla kishte rrëmbyer një shkop nga përtoka. Ishte gati t’a godiste tjetrin nëse bënte edhe një hap tjetër drejt tyre.

-Hë de, ulu dhe njome grykën e thatë si eshkë, -vazhdoi ajo më fort. -Dashke ujë në pëllëmbë të dorës zotërote, si të jesh vetë perëndia? T’u zu zëri, apo humbi dhe u tret  gjuha në grykë, që nuk po flet?

Pa e ç’pa i huaji, u tërhoq drejt rrugës me hapin praps, dhe pastaj kapërceu majë një kali lëndinën në perëndim.

-Uffff, -ofshau e madhja. -Po ç’na bëre moj e mirë, më turpërove…

-E pse të turpërova? -ia ktheu e vogla, duke flakur shkopin nga dora. -Ai i pacipi, deshte edhe ujë nga pëllëmba jote. As nuk na dha vaftin, të përshëndeste si njeri.

-Po ai, ai… -ngeci e motra në fjalë. -Nuk e njohe? Vërtet nuk e njohe? Po ishte ai moj e marë, ai!

-Kush ai, -e vështroi ngultasi e vogla.

-I fejuari, djali, ku më kanë premtuar babai -u skuq si kokër thane tejpjekur, e madhja.

-Edhe ti pse u bëre si mehite?

-Është turp. More vesh turp. -foli e madhja. E tërhoqi pranë vehtes për t’i folur sikur të dëshironte të mos e dëgjonte njeri fjalët e saj, por toni i zërit u dëgjua edhe tek ai. -Edhe ti je e premtuar tani! Dëgjova taten kur erdhi nga shtëpitë e rëzër përballë. Po të keqen motra mos fol me asnjeri për këtë fjalë, more vesh? Se kushedi sa do të zemërohet tatja? Do të kërkojë të marë vesh kush të tha ty, e pastaj… Vetëm ta dish. Është ai që i bie fyellit…

*          *

Kishte ditë që priste mbritjen e familjeve të grupit tjetër. Dy beharë të shkuar larg dhe asnjë lajm nuk kishte mbritur në veshët e tij për vajzën e imët. Qysh kur mësoi se ajo ishte e zgjedhura e tij, fati i tij në jetë, provoi një ndjesi të re. Gëmusha e lajthishtes, ku gjente strehë të fshehtë, për të vështruar vajzën dhe mos u pikasur nga ajo, humbi magjinë e padukshmërisë. Kishte dëgjuar për ato ecejaket e djemve të fejuar, që nuk linin rast pa shfrytëzuar, biles të hidheshin dy-tre male më tutje, vetem që të njihnin të zgjedhurat e tyre. Dhe në të gjitha rastet ishte pamundësia që triumfonte. Vetëm kur mbaronte dasma, atyre u jepej e drejta të njihnin nusen e tyre. Ai qëlloi me fat, ose fati ndihu në krahun e tij. Të ishte i përkëdhelur nga fati? Mbase po, por edhe mbase jo. Në këtë drejtim fati eci krah për krah me të.

Kur në livadhet e shtatit të malit, përballë kasolleve të tyre, u ngritën kasollet, atij gati sa si plasi kraharori, nga gulçimet dhe frymëmarja e shpejtë. Po vijnë, mendoi me gjindjen e tij të shpërndarë në qiell. Megjithëse shtërngoi sytë që të vështronin përtej mundësive, nuk mundi të dallojë vajzën e hollë. Përpara kishte natën, dhe zjarret e ndezura në pllajën përballë. Por zjarr më të madh kishte ai brenda tij. Kurioziteti si do të ishte bërë ajo vajza e hollë, me faqe të kuqe dhe vetull si hënë gushti, përkundej në lloj-lloj përfytyrimesh. E ngacmonte me një zhurmim brenda mendimeve, sikur të gjendej poshtë një peme që kishin ndërtuar folenë bletët.

E takoi në burim në mëngjes, ose më mirë, ajo e largoi duke thënë se do të vinte kujën nëse ai do të afrohej tek burimi. Dhe kishte frikë, mos ajo vinte piskamën e frikësuar nga ai…

Atë vit, qëlloi viti fundit, duke u endur sa këtej-andej, me shtëpinë majë mushkës, si u kishin thënë disa njerëz, flisnin fjalë të ndryshme nga gjuha e tyre. Dhe këtë vit, ai u burrërua më shumë, u bë burrë, dhe veshi edhe petka allafrënga. E në vjeshtën e parë, pas një viti, kur ishin shkëputur nga jeta e malit dhe shtegatimit, kurrë jetonin në fshatin e madh në rrëzë të malit, babai e martoi. Në dasëm e tij dyndën gjithë fshati. Donin të shihnin një dasëm ndryshe nga e tyrja. Ndryshe duhej të ishte, sepse edhe gjuhën, zakonet dhe jetën e tyre e kishin shumë më ndryshe nga ata. Ky mendim kishte rrahur si erë fshatin, që e priste si ngjarje të madhe. E madhe duhej të ishte, se më mbrapa, kurioziteti i tyre, do të tretej si kripa në ujë. Dhe për t’u nderuar në sytë e fshatit, mishi nuk pushonte së pjekuri në shtëpinë e ardhacakut. Nusen shkuan dhe e morën në malet në jug, ku po qëndronin familja e saj, përpara se dimri të ishte i plotë dhe ata të zhvendoseshin akoma më në jug, anës detit. Gjetën një makinë trasporti mallrash. Nuk e bënte dot atë rrugëtim të gjatë, kali stolisur si në dasmat e një kohe të mëparshme. Kështu kishin vendosur të vjetrit e fisit të tij.

U martua në ditë vjeshte. Ajo ishte bërë shumë më e bukur se herën e fundit, kur e takoi

tek burimi. E dalloi kur po mbaronte dasma, dhe të dy i mbyllën në dhomë.  Pas një viti, ajo, priste të lindte fëmijë. Ai kthehej nga puna në minierë. Ndeshte vështrimin e saj lutës. Dhe nuk kishte nevojë për fjalë të shqiptuara. Ulej në cep të shtratit, rëmbente fyellin që poshtë jastëkut, dhe luante melodinë që buronte nga shpirti. Në sytë e saj fshihte qiellin e verës plot me yje, shihte edhe livadhet me lule dhe plot bar, tufën e deleve shpërndarë në brinjën e shpatit duke kullotur, edhe kasollet ndërtuar me purteka dhe mbuluar me degët e fierit. Shihte edhe vehten, që kur filloi të ndihej i rritur…

Priste të vinte në jetë foshnja. Erdhi me shpërthimin e pranverës në degët e qershive dhe kumbullave brenda oborreve të shtëpive. Vajzë, kishin dhënë lajmin gratë, teksa hynin e dilnin parreshtur nga dhoma. Po ajo si është, u bë gati të pyeste njërën prej tyre. Vetëm se fjalët nuk iu bindën. Dhe kur xherahu doli nga dhoma, kryekëputur, ndali para tij. Nuk mundi të jetojë, -shqiptoi tjetri, pa e vështruar në sy.

Vështronte dheun që lopata nga njëra dorë tek tjetra, shtynte drejt gropës të hapur në tokën e butë. Dëgjonte vajtimin e grave që e shponte deri në thellësi të qënies si tehu  i thikës. Zgjaste dorën automatikisht drejt duarve që i zgjateshin. Ishte në një natë të errët, në një natë që nuk e kishte ndeshur asnjëherë në jetën e tij. Pati ndjesi frike, frikën nuk e njihte, as atëhere kur u gjend rrethuar nga tufa e ujqërve…

Foshnja ishte qetësuar pas të qarave pafund. E mposhti gjumi. U afrua dhe vështroi fytyrën e imët të saj. U mundua të gjente ngjashmërinë me atë vajzën imcake të shumë viteve të shkuara…

Mori fyellin dhe e shtërngoi fort. Ende shtëpia kishte nevojë për pak zjarr në ditët e pranverës që po rriste shtatin. E theu në mes gypin hollak, dhe, si dy shkarpa të holla i lëshoi mbi prush…

Mars-Prill 2000.

Please follow and like us: