Laura Olldashi: “Dy anët e medaljes – Dy gratë e një burri”
Mbasi kisha marr të gjithë kohën e duhur për të qetësuar shpirtin, kthehem në pistë. Jo në atë të patinazhit pasi do ti kisha thyer hundët. Bora ashtu si ëndrrat më kanë pëlqyer ti shoh nga larg për aq kohë sa ishin të bardha. Duhet ta pranoj që gjykimi im në këtë rast ishte indiferent dhe aspak koherente. Nuk kam ndjerë asnjë grimcë adrenaline kur kam parë shkathtësinë e patinatorëve. Nuk i kam adhuruar as hedhjet e tyre të çmendura. Rëniet i kam imagjinuar me kurriz të përplasur në tokë dhe aq më është dashur të kem pasur dhimbje gjithë ditën pa qenë unë i rrëzuari.
Pra në çfarë piste isha kthyer? As në atë të vallëzimit pasi kërcej edhe kur jam në gjumë. Të themi që isha kthyer në jetë, tek e përditshmja dita ime.
Pak më larg nga vetja dëgjoj përsëri zërin. Në qoftë se do masja distancën e zërit nga unë ishte ai i dy guralecëve të detit. Nga ato të bardhët, të shndritshëm që edhe të duash ti largosh nuk mundesh sepse të verbojnë. Edhe ai zë ashtu ishte, lozte si diell. Afrohej. Largohej. Rrotullohej. E dëgjoja në veshin e majtë, pastaj në të djathtin. Herë përpara syve, herë të tjera edhe para shpirtit.
E shihte që unë nuk e kuptoja, prandaj zgjidhte forma të reja të shfaqej tek unë.
Ky ritual përsëritej çdo ditë të javës sa mendova që kam zëra jashtë meje, të pakuptueshme. Dhe derisa janë të pakuptueshme kishte mundësi të isha çmendur. Meqenëse vetja nuk ma pranonte këtë ide, nuk më mbetej gjë tjetër vetëm të përqendrohesha në deshifrimin e kuptimit të zërit.
– Hej – i them – mundesh të jesh më i qartë me mua? Ke ditë që sorollatesh pa qëlluar gjë në shenjë. Më nervozon dhe më bën të dukem idiote. Të paktën duhet zgjedhur një gjuhë e përbashkët në qoftë se duam të merremi vesh me njëri -tjetrin?
Dëgjoj që zëri nuk përgjigjet.
Meqenëse jam e shquar për kokëfortësinë e ndershme rri në heshtje dhe vihem në lëvizje për ti hyrë ditës që e kisha rigjetur mbas një muaji. E bindur që do të vij një tjetër momente kur zëri do ketë dëshirë të komunikoj. Kuptohet në ato pak raste që nuk është i shpikur nga unë. Shkoj përpara pasqyrës dhe filloj të merrem me ritualin e tualetit. Vëj kremin dhe zbres deri tek dekolteja. Shikoj me këmbëngulje rrudhat rreth syrit që kanë filluar të theksohen. Bëhem më shpirtmadhe me sasinë e kremit. E vendos dhe e shpërndaj me kujdes duke rrahur zonat poshtë syve. Janë të numërueshme, të shumta. E përqendruar mbi goditjet e lehta mbi rrudhat kur dëgjohet zëri.
– E do?
Këtë herë jam e bindur që zërin e kam krijuar unë dhe nuk ja vëj veshin. Vazhdoj luftën për shpartallimin e rrudhave.
Zëri del më i qartë.
– E do?
Vetëm atëherë kuptoj që po flet në gjuhën time. Pra vijmë nga i njëjti vend. Zëri është! Unë nuk jam totalisht e çmendur! Por nuk është koha të humbas në tunelet e mendimeve. Dua të kuptoj më shumë dhe i përgjigjem menjëherë.
– Po më pyet mua? Për kë bëhet fjalë? Kë nga mijëra burra dua?
– E doni më të vërtetë atë burrë? – përgjigjet me pyetje zëri.
Ngre krahët. Çuditem që njihte dashuritë e mia. Ndoshta të gjithë dashurojmë, bëjmë finta që kemi dashuri dhe i shpikim sentimentet, apo moda e fundit ndjekim leksione si ta manipulojmë dashurinë. Kam dëshirë ta pyes në qoftë se njihemi por idea e të folurit me një zë pa ja parë thellësinë e syve nuk më bind. Nuk di si të veproj, ndoshta s’di asgjë për mua. Patjetër që s’di gjë, thjeshtë më provokon.
– Po lodheni kot – flet zëri. Te paktën kaq gjë e keni kuptuar që jam zëri i një gruaje. Edukata ma kërkon të prezantohem por të propozoj të më thërrasësh me përemrin “Ajo”. Unë quhem Ajo. Të themi “ajo” tjetra, gruaja tjetër.
Më kalon një e dridhur tek shtylla kurrizore. Kur e puth të dashurin tim shpesh herë e pyes: “a të puth kështu edhe ajo? A të do ajo kaq sa unë?
– E qartë tani? Unë jam “ajo” gruaja e burrit tim ose gruaja e të dashurit tënd – shton.
Për herë të parë më gëzon fakti që është vetëm një zë dhe nuk ka sy sepse nuk do të isha në gjendje ta përballoja shikimin. Edhe zëri e kupton rënien time brenda në turp, shkërmoqjen e guximit. E ndjej që është përpara syve të mi dhe kërkon të perceptoj, të zbërthej emocionet e mia. Kafshoj buzët. Janë të thata. I kafshoj fortë aq sa të përqendrohem tek një dhimbje e re.
– Çfarë do nga unë? Më shqetëson zëri yt përpara syve të mi. Më bezdis – i them me zë të lartë dhe vazhdoj të kafshoj më fortë buzën time të poshtme.
– Edhe ti shumë më bezdis – ma kthen ajo. Kam një javë që të rri rrotull. Të ulëras nga një vesh në tjetrin duke të nisur klithma, derisa sot mora guximin dhe gjeta fjalët. Duhet të shpjegoj disa gjëra mbi atë, burrin tim ose të dashurin tënd. Të flas dhe të them si është ai. Jo si është ai me ty por si është ai kur ka në krahë gruan që nuk e do më. Sepse një ditë edhe ti do bëhesh si unë, gruaja që nuk do të dojë.
– Ndalo! – i them. Nuk jam në gjendje të përballoj. Të paktën mos më rri përpara syve. Hajde ulemi në sallon.
Me përtese tërheq karrigen dhe e mbështes në qendër të dhomës. Pastaj marr një tjetër dhe e mbështes me kurriz me karrigen tjetër.
– Zgjidh një vend! Unë po ulem tek tjetra! Pa u parë dhe zërat tonë as nuk do të ndeshen me njëri -tjetrin dhe do flasim për aq sa të shfrysh dëshpërimin tënde.
Nuk e di ku e gjeta forcën, por zërin mbi sy nuk do ta kisha përballuar as e vdekur.
Ndërsa zëri i atij me zbriste në vesh butë. Në telefonatat tona të gjata me mbështetej si muzikë dhe rrëshqiste si mëndafshe fjala. Edhe kur takoheshim më pëshpëriste rrokje tingujsh pafund; të ëmbla, të pakuptueshme.
– E do atëherë? – pyeti përsëri zëri i ulur në karrigen, mbas kurrizit tim.
– Ti do të vërtetën apo e di të vërtetën?- përgjigjem
Nuk kisha kurajën ti thosha çfarë ndjenja. Kur ishim njohur kishte qenë një vështrim sysh në kafenenë e punës. Ndryshe nga të tjera shikimesh. Te paktën më ishte dukur ndryshe. Ose kisha nevoje për gjëra të ndryshme. Si ta shpjegoja çfarë kisha ndjerë, kur ajo nuk më njihte. Ajo nuk e dinte që unë isha dhe rrija gjatë ulur mbi çastet. Çastet ndryshonin, lëviznin. Edhe unë mbi ato ndryshoja, ecja. Të themi që në atë kohë ai vështrim më ishte dukur interesante. Pastaj nuk jam tip qe i rri mbrapa gjërave. Unë e humbas tjetrin, humbas veten, harroj. Ka pjesë të mia që më mbesin mbi një këngë, të tjera tek një poezi, ose mbi segmentet e shiut që lagin xhamat. Ka pjesë të mia që bien tek ajo gropa në mes dy syve (sa herë jam zhytur aty për ta puthur). E humbas veten edhe në garazh. Ndodhë që të dal nga aty. E mbyll derën me çelës, pastaj kujtohem që veten time e kam lënë brenda. Kthehem mbrapsht. Hap derën dhe e shoh që rri me sy të hapura, e përqendruar tek një pikë e vdekur.
– Çfarë bën? Pse nuk je me mua? – e pyes
– Po mendoj – më kthen përgjigje.
– Për çfarë? – e pyes.
– Kështu thjeshtë, në përgjithësi – më thotë vetja.
Sigurisht që kjo gruaja “ajo”, gruaja e të dashurit tim, nuk më njeh. As ajo, por as unë nuk e di pse pjesë të mia kanë rënë mbi burrin e saj. Nuk mund të mos e mohoj që për një kohë të gjatë ja kam parë këpucët, kamosh blu. E pranoj. Kjo është një tjetër dobësi e imja. Më shijon eleganca. Nuk mund të rri me një burrë me barkë të rrumbullakët. Burri im do ti ketë të mbështjellura kofshët në pantallonat terital. Rripi ti shtrëngoj mesin. Këmisha e kaltër puthitur në trup. Dy kopsat e hapura dhe xhaketa blu që fsheh në mënyrë misterioze budallallëkun e tij. Në këtë çast nuk e di nëse e dua atë burrë apo ironizoj përsosmërinë e huazuar. Kështu tallem me atë, pastaj inatosem me veten time, ose me ato pjesë të mia, të pavetëdijshme që i kam harruar si zbokth mbi trupin e tij. Njëlloj sa ky zë që në mënyre abuzive kumbon në sallonin e shtëpisë time për të më pyetur: nëse unë e dua me të vërtete?
– NËSE UNË E DUA ME TË VËRTETE?
E gjitha kontradiktë.
“Unë” jam e para. “Dashuria” e dyta. “E vërteta” kontradikta e tretë. Do të doja ta gjeja përgjigjen e kësaj pyetje por nuk do të ishte e duhura sepse “unë”, “dashuria” dhe “e vërteta” nuk kemi qenë asnjëherë reale, nuk kemi qenë.
Dje unë bëra dashuri me burrin e saj. Por sot që mendoj me kthjelltësi dhe me kontradiktat e një zëri që është mbas veshit, them jo unë nuk isha dje. As dashuria dhe as e vërteta nuk ishim…
Zeri i gruas, “AJO”, flet me zë të larte dhe i pret si me sharrë shkopinjtë e mendimeve të mia. I shoh ashtu të copëtuar shkurt dhe keq. Të hedhura kuturu dhe jo konkrete.
Si në ato çaste kur dyshoj që kam vdekur dhe pickoj veten për të kuptuar nëse jam akoma gjallë.
Më dhemb dhimbja.
E ndjej. Pra jam. Me trup jam.
Ulem dhe mbledh shkopinjtë e mendimeve të prera keq dhe të hedhura në rrëmuje. I fus brenda vetes ashtu konfuze si janë. Marr lugën e kuzhinës prej druri dhe i përziej brenda enës së trupit. Zëri i saj përsërit të njëjtën pyetje. Nuk e dëgjoj. Vetja ime largohet, ngrihet në ajër. Ka lënë trupin ulur në karrige dhe arratiset në atmosfera për të gjetur të vërtetat. Të paktën për të pasur përgjigjet kur dikush e pyet: çfarë ndjen; a e do? Por të vërtetat nuk e mbajnë peshën e mendimeve dhe e rrezojnë me forcë në karrige, me kurriz si të një patinatori që del nga pista dhe bie. Ndjej dhimbjen kur përplasem. Dy herniet e vjetra, të krisura më therin në shpirte por trurit i duhet dhimbja për tu bërë esëll.
Dëgjohet zëri i gruas me emrin “Ajo”.
– E kuptova që ke ndjenja për të. Nuk do ta pranosh. Por siç të kisha thënë dua të flas për atë. Ndoshta ti je e dashuruar. Është një gjë e re. Nuk ka kaluar as gjashtë muaj nga njohja juaj. Pastaj frekuentoheni periodikisht, për aq sa ju a lejon koha dhe fshehtësia. E di që dje keni bërë dashuri. Ja lexova në sy kur u kthye në shtëpi. Me kast nuk e ktheva kokën por i thash që jam shumë e zënë me korrigjimet e provimeve të studentëve të mi. Ato po ndërtojnë të ardhmen e tyre. Punojnë, studiojnë njëkohësisht. Dashuria për ato zë vend në funde, as nuk e mendojnë. Shpesh herë i kam dëgjuar kur përfundojnë diskutimin: pastaj sikur ke me kë të dashurohesh!
Sa herë që e dëgjoj këtë konkluzion, botën e imagjinoj pa burra, pa gra por thjeshte me robotë apo skelete. Të fola për profesionin por nuk kam dal nga tema sepse kur isha studente jam njohur me tim shoq. Ai ishte profesori im. Adhuroja leksionet e tij, kulturën, mënyrën se si artikulonte fjalën, si i rrotullonte gërmat përpara se ti shqiptonte. Të them të vërtetën nuk më ka çmendur ndonjëherë filozofia por kur ai fliste çdo gjë kthehej në adhurim. Sikur ai të shpjegonte blegtorinë, tani mëngjeset do më gjenin duke mjelur qumështin e gjinjve të lopëve. Dashuria e tij për filozofinë bëri që jo vetëm të isha studentja më e mirë por ta zgjidhja si profesion. Rrija deri vonë në bibliotekë, derisa dora e tij ëmbël, më prekte supin dhe më thoshte është vonë; është ora të shkosh në shtëpi. Gjoksi i tij bëhej strehëza ime. Gjashtë muaj zgjati dashuria. Aq isha edhe shtatzënë. Tre muajt e tjera të krijimit të bebes kishin dalë nga bonusi i dashurisë. Pra vajza jonë lindi me/pa dashuri. Ndoshta si unë, ndoshta si ai apo si të gjithë ne, kemi lindur nga një bonus dashurie që ka datë skadence. Ndoshta kemi lindur pa dashuri. Sepse vetëm kështu mund të shpjegohet ky trishtim dhe kjo urrejtje mes nesh dhe sidomos kur në dashuri kërkojmë nënshtrimin e tjetrit.
Sikur dashuria të ishte force, sundim, skllavëri!
Është spostim i flladit të lehtë, të lirë. Pa bërë asgjë. Krahët hap dhe erërat hyjnë në trup dhe ikin në qoftë se nuk jemi, ne, stacioni. Por i paharrueshëm mbetet ai fraksion i vogël i prekjes.
Është e trishtuar të rrish njëzet vjet në krahët e një burri ose ai ne krahun tim, pa dashuri. Por siç e thashë më sipër për diçka më ka shërbyer mos dashuria. Ta vëzhgoj dhe ta kuptoj njeriun e vogël që është tek ai. Pasigurinë që e karakterizon, egoizmin që është më i miri i të gjithëve. I pazëvendësueshëm nga askush. Vjedh dritën e të tjerëve; të tënden, të timen. Ah kur ai heq maskat! Vetëm unë e kam parë hijen e tij të vërtetë prej të vdekuri, pa asnjë nuance. Në takimet me të dashurat e tija, kështu si dhe me ty i flet atyre për vetveten, viktimën e pafajshme që jeton tek ai. I flet atyre për injoranten që ka në shtëpi, që ja çan kokën dhe e streson me pyetje pa kuptim. I flet për të shëndoshën gruan që nuk di ta kënaq sa duhet kur bën dashuri; që nuk kujdeset për darkën e tij dhe që ja hekuros me dy viza këmishën e kaltër. Maska të tjera përdor në diskutimet e gjata kur ligjëron në kongrese. Tezat më të preferuara për të janë rrugët efikase që ndihmojnë në zgjatjen e dashurisë tek relacionet martesore. Dhe të mendosh që tortura ime nuk zgjat vetëm kur e dëgjoj në sallë por edhe në mbrëmjet gala kur martesa jonë merret si shembull triumfi e shoqëruar me një gotë spumanti. Marrim çmime; medalje të arta për njëzet vjet martese të lumtur. Ndërsa në darkë, në hotelet luksoze ai masturbohet me studentet e tija. Kurse unë e hedhur në cepin tjetër të ëndrrave i vjell mbi kokë duke i thënë që je një derr i fëlliqur sepse Sokratin që ishte brenda teje e ke vrarë (*). Apo të flasim për maskat kur shkon në fakultet. Vazhdon akoma të artikuloj fjalën, të rrumbullakos germat, të bëj interesantin. I shoh studentet si i rrëzohen në buzë, njëlloj si rinia ime. Apo orët e gjata në palestër, estetistja, darkat në restorante kur në sytë e mi shkëmben numrat e telefonit me kamerieren.
E përbuz deri në poret e fundit sidomos kur i lëpihet eprorëve të tij për një gradë shkencore më shumë. Të betohem që përgatitja e tij nuk ka nevojë për asnjë shtirje. Sikur ta dinte çfarë kishte qenë përpara se të përdorte maskat, përpara se të zhytej në llumin e luksit, të boshit dhe të hipokrizisë së mbijetesës. Sikur ai ta takonte njeriun që kishte qenë nuk do ta kishte njohur. Ndoshta prandaj jam akoma në krah të tij vetëm për ti kujtuar ato gjashtë muaj kur ai kishte qenë versioni më i bukur i vetes. Por është vonë tani. Ka momente, ndodhë që kthehet tek ajo vetja e mëparshme. Kërkon të falur. Ndihet fajtor apo ndodh edhe kur është i sëmurë. Në fillim kur e shihja ashtu më çahej zemra por tani e di që ai në ato çaste ndihet vetëm, pa asnjë tjetër grua dhe kërkon falje sepse në bote i kam mbetur vetëm unë.
Ky pra është burri i këpucëve, kamosh blu që ti ke humbur kokën. Është i joti. Pakete komplete; me të ngrenë, me të pirë dhe me shtëpi. I gjithi, i yti. Valixhet e mija janë gati. Më presin në mesin e dhomës por dua të pyes të fundit gjë nëse është pikërisht ky burri që ke ëndërruar?
Heshtja lag sallonin. Për herë të parë shkopinjtë e prera të mendimeve të mia bashkohen dhe bëhen pemë. Rrënjët zgjaten në nëntoke dhe lidhen me mijëra pemë të tjera. Bari jeshil rritet dhe krijon livadhet. Fluturat ulen, zbret simfonia. Praktika më ka munguar. Libri im i preferuar është “Princi i vogël” (*). Inteligjent, ironik human aq shumë sa është e pamundur që të ekzistoj. Princesha në kështjellën e gurtë shpëtohet nga princi. U rrita me konfuzione përrallash. E kam pritur princin por në të njëjtin kohë mësova të jetoj edhe pa atë. Peter Panet (*) janë varur me gozhda në ajër, herë të balsamosur. Zgjohen kur “Wendyn”(*) ja vjedhin të tjerët. Dëshpërohen. Bëjnë luftë jo sepse e duan vajzën por thjeshtë pse nuk është më prona dhe as lodra e tyre. Pra të themi që të vetmin prince të vërtete që kam njohur ka qenë vetja ime. Ajo më ka shpëtuar. Kur kam dalë jashtë nga pistat e jetës, me kurriz të copëtuar në tokë, ajo ma ka dhënë dorën dhe më adhuron për këtë që jam duke më dashur edhe difektet e mia…
Ngrihem nga karrigia që ndodhet në sallonin tim. Tek një shtëpi e vjetër, në periferinë e një qyteti që është sa një mizë për planetin. Në kurrizin tim, në një tjetër karrige është ulur një zë. Ka një javë që rri me mua dhe dëshpërohet jo për burrin e saj por për zgjedhjet e mia.
Rrotullohem dhe e shoh. Përballë meje “AJO”. Gruaja më e bukur në botë. Veshur me një fustan të bardhë, lule kuqe mbushur. Më hap krahët dhe strukem gjatë në përqafimin e saj.
Janar 2023,
Please follow and like us: