Albspirit

Media/News/Publishing

Selaudin Guma: Amaneti i Isuf Kalos

 

Hajde shokë të këndojmë

Për një fjalë, një amanet

Vargjet t’i kthejmë në këngë

Që të ngelet për gjith’ jetë.

 

Për Isuf Kalon e dashur

Doktorin që bëri shkencë

Si një meteor ndriçoi

Lat në qiell çau retë.

 

Na nderoi ne të gjithëve

Në Luzat e Tepelenë

Si lisi në majë të malit

Me guxim priti rrufetë.

 

Mos më vini në vend tjetër

Dua Luzatin si mbret

Varrin ma bëni ndanë udhës

Pranë gjyshit tim me fletë.

 

Ju bashkëfshatarët e mi

Përherë më keni dhënë jetë

Unë e mora ndihmën tuaj

Në Shqipëri dhe në çdo shtet.

 

Këtu linda dhe u rrita

Këtu do prehem përjetë

Luzatin e lartësojmë

Me vepra të mira në jetë.

 

Selaudin Guma: Përcjellja e doktor Kalos për në banesën e fundit

Doktor Isuf Kalo vdiq në 20 janar 2023 në Kopenhagen të Danimarkës dhe sipas amanetit të tij u varros në fshatin e lindjes në Luzat Tepelenë, pranë gjyshit të vet, Ali Kalo Luzatit. Bashkëshortja Firdezi, djali Ilir, vajza Entela, nipi Përparimi ia plotësuan këtë amanet.

Më 27janar 2023 një ceremoni e veçantë u zhvillua në Akademinë e Shkencave ku fjalën përshëndetëse e mbajti akademiku Anesti Kondili. Në këtë përcjellje morën pjesë autoritete të larta shtetërore, kolegë, miq dhe dashamirës nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, emigrant shqiptarë nga Gjermania, Greqia dhe Italia si dhe trupi diplomatik i akredituar në Tiranë.

Me 28 janar 2023, nën kujdesin e kryebashkiakut Tërmet Peçi, homazhe u bënë edhe në Pallatin e Kulturës së Tepelenës ku morë pjesë shumë vetë nga ky rreth, por edhe nga Gjirokastra, Përmeti, Memaliaj, etj.

Me shumë dhimbje e lotë ai u varros prani gjyshit të tij ku fjalën e përcjelljes e mbajtën kryeplaku Bashkim Shatrafili dhe krytari i shoqatës atdhetare ‘Luzati’, Bashkim Qeli.

Emri i Isuf Kalo është përjetësuar në rrugën e fshatit, për rikonstruksionin e së cilës ai dha një ndihmesë të veçantë.

Ne jemi krenarë për doktorin dhe ai ishte mirënjohës për Luzatin dhe Tepelenën.

I paharruar qoftë kujtimi i tij!

 

 

Doktori erudit dhe i kudogjendur, Isuf Kalo!

Doktor Isuf Kalo ka lindur në 18 dhjetor 1942, në Luzat të Tepelenës, një fshat piktoresk dhe i bukur. Nga vendlindjja është larguar për në Tiranë në 1948 ku ka përfunduar me rezultate të shkëlqyera gjimnazin “Petro Nini Luarasi”. Studimet e larta i ka përfunduar në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Tiranës në vitin 1964.

Doktor Isufi është shquar për një dashuri të madhe për njerëzit. Pavarësisht se është larguar mjaft i vogël, ai nuk i ka shkëputur asnjëherë lidhjet e tij me Luzatin, me Tepelenën, me Gjirokastrën, Përmetin, por edhe me  mjaft zona të tjera të Shqipërisë.

Si shumë kolegë të tij Isuf Kalo ishte mjek dhe mësimdhënës dhe për këtë arsye njihej personalisht nga të gjitha trevat shqiptare. Ai ka dhënë kontribut të veçantë dhe të spikatur në Mjekësi dhe ka qenë iniciator dhe zbatues i politikave mjekësore që shkonin në përmirësimin e jetës së shqiptarëve.

Erudit, me shpirt të madh, i kudogjendur ditën dhe natën, ai kthehej menjëherë një mik i pandarë me kolegët e bashkëpunëtorët, me të gjithë njerëzit që njohu në jetë.

Me mbështetjen e tij dhe të disa bashkëfshatarëve u rikonstruktua rruga e Luzatit. Janë shumë familjarë nga disa qytete të ndryshme të vendit  që kanë marrë përherë mbështetjen e tij për t’u shkolluar, për t’u punësuar, ndërsa atë e kanë pasur të pranishëm në gëzimet dhe hidhërimet e tyre.

Prof. Kalo u specializua në disa vende perëndimore për diabetologji dhe endokrinologji. Ai është një nga pionierët e këtyre specialiteteve në Shqipëri. Për disa vite ka qenë kryetar i endokrinologjisë dhe sëmundjeve metabolike në Fakultetin e Mjekësisë dhe në Spitalin Universitar të Tiranës. Ai është Doktor i Shkencave Mjekësore, Profesor i Mjekësisë dhe i nderuar me Çmimin Punëtor Shkencëtar i Dalluar i Shqipërisë.

Midis 1991 dhe 2004 ai u punësua nga Zyra Rajonale e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Evropën në Danimarkë, duke drejtuar Programin Kontinental të Diabetit dhe më vonë Programin e Cilësisë së Sistemit Shëndetësor në Europë.

Ai është autor i një sërë botimesh në shtypin mjekësor në Shqipëri dhe jashtë saj, si dhe është anëtar nderi i disa komiteteve ndërkombëtare dhe shoqatave mjekësore në Evropë. U nda nga jeta më 19 janar 2023.

Doktor Isufi njihte mirë gjuhët rusisht, anglisht, frëngjisht, italisht, bullgarisht, serbo-kroatisht, greqisht, latnisht dhe ishte pjesëmarrës në shumë konferenca dhe simpoziume ndërkombëtare kushtuar mjekësisë dhe ambientit.

Në këmbimin e viteve ne si luzatas u mblodhëm në një lokal në Tiranë dhe u përshëndetëm një nga një me doktor Isufin që, megjithëse i sëmurë rëndë, rrezatonte mirësi dhe na uronte për lumturi në familjet tona.

Doktor Isufi ishte enciklopedi më vete, përveç mjekësisë ku ishte nga më të spikaturit, ai zotëronte dijeni edhe në shumë fusha të tjera, në kulturë, në art, me një sërë botimesh në shqip dhe në gjuhë të huaj dhe me pasionin e përhershëm për t’i trasmetuar ato në publikun e gjerë.

Ne bashkëfshatarët dhe të njohurit e tij jemi trishtuar shumë për humbjen e tij dhe u shprehim ngushëllimet bashkëshortes Firdezit dhe fëmijëve, Entela dhe Ilir.

Bashkim Shatrafili

Selaudin Guma

Velo Gaxhi

Përparim Koçi

Mehmet Çako

Please follow and like us: