Albspirit

Media/News/Publishing

Edmond Kaceli: Shqiptarët e Londrës ndryshe…

 

Janë anatemuar aq shumë shqiptarët që jetojnë në Angli kohët e fundit sa është krijuar përshtypja që pjesa më e madhe e tyre nuk merren me asgjë tjetër veçse me mbjellje, kultivim, shpërndarje droge, vjedhje shtëpish, banda të armatosura, veprimtari klandestine dhe asgjë tjetër!

Në këtë etiketim ka ndihmuar jo vetëm mediat dhe politika e ditës britanike por edhe mediat shqiptare që cilat kërkojnë të bëjnë lajm edhe kur nuk ka lajm! Në kurriz të emigrantëve shqiptarë në Angli!

Në fakt e vërteta është krejt ndryshe! Kush ka të afërm që punojnë e jetojnë në Londër, ku është përqëndrimi më i madh i shqiptarëve emigrantë, e di shumë mirë edhe të vërtetën ndryshe. Një e vërtetë që flet në heshtje, për shqiptarët e ndershëm që punojnë, jetojnë me punë të ndershme, shkollojnë fëmijët në shkollat më të mira britanike, dhe kërkojnë të jenë dikush me emër të mirë në shoqërinë angleze krahas komuniteteve të tjera që përbëjnë tërësinë e një Londre multietnike dhe multikulturale!

Nëse mund të flitet për një raport mes shqiptarëve që janë problem me sistemin e drejtësisë në Angli dhe me shqiptarët që kërkojnë të punojnë , jetojnë e zhvillohen normalisht, që integrohen dhe janë të integruar në jetën londineze, balanca e peshores anon të paktën mbi 90% në kahun e këtyre të fundit!

Për këtë duhet patjetër të vizitosh Londrën me rrethinat e sajë. Jo ta vizitosh për të parë bukuritë e jashtëzakonshme të Londrës turistike, por për të prekur e folur, për e me realitetin e shqiptarëve ndryshe!

Shqiptarëve që i sheh menaxherë të sukseshëm restorantesh nga më luksozet, pronarë kafenesh, menaxherë ndërtimtarie, informaticienë, ofrues shërbimesh dinjitoze… Sepse Anglia iua ka dhënë këtë mundësi dhe ata e kanë shfrytëzuar!


Në vendin e mundësive të jashtëzakonshme ne kemi arritur të shfaqim talentin në atë çka bëjmë më mirë! -Kështu thotë Niko Doda, menaxher ndërtimi, prej vitesh në Londër. Ndërsa pijmë një kafe italiane në Bar Restorant Kursal me pronarë shqiptarë! Dy hapa më tej është “Bardhoshi -Bar Restaurant” me kuzhinën tipike shqiptare, dhe menunë e shkruar në shqip dhe anglisht!

Niko më shoqëron edhe në disa nga punimet në fushën e ndërtimtarisë që ndërmarrja multietnike prej 70 punëtorësh, që menaxhon, ka rindërtuar apo ndërtuar nga themelet.

Niko thotë se shqiparët janë jashtëzakonisht kërkues në drejtim të nivelit të jetesës, dhe dallohen nga komunitetet e tjera se janë të përkushtuar në masën më të lartë ndaj punës dhe familjes.

Në fakt kudo në Londër sheh “gjurmë” shqiptarësh! Në supermaketin afër hotelit ku qëndrova surpriza më e madhe ishin pijet e prodhimit shqiptar, dhe sidomos uji “Lajthiza”, konkuruese në tregun e produkteve ushqimore që mbërrijnë në supermarketet londineze nga e gjithë bota!

Më e bukura të takosh lezhjanin Gëzim Pjetri, në profesionin e kamionistit, që edhe natën e Krishtlindjeve del nga shtëpia për të furnizuar supermarketet londineze. Gëzimi, që ka punuar kamionist në Itali për shumë vite, është nga ata që i quajnë emigrantë të dyfishtë! (Ka lënë Italinë dhe bashkë me familjen jeton e punon në Londër). Gëzimi thotë se ritmi i jetesës është shumë herë më intensiv se sa në Italinë e bukur, por nuk kemi pasë probleme integrimi! Mjafton të kesh vullnet për punë!

Mundësitë për ata që duan të punojnë janë të shumta! Pavarësisht nga lodhja e përditshme, rezultati në fund të ditës të tregon se nuk ke gabuar zgjidhje- thotë Klodina Cara, që ka krijuar klientelën e vet londineze në fushën e parukerisë në një nga zonat më të vlerësuar të Londrës!

Më mungon pak Venecia, thotë Idi Makaj, nga Shkodra, menaxher në një zinxhir restorantesh italiane në qendër të Londrës. Ëndërra ime është të kem një restorant krejt timin në Londër, e pse jo? – të rikthehem me një restorant timin në Venecia!

Në fakt ambicia për një jetë gjithnjë e më të mirë është tipari krakteristik i shqiptarëve jo vetëm të Londrës!

Kjo ambicie dhe talenti i pazakontë në fushën e informatikës, e ka bërë Adrian Gjytetzen një nga ekspertët e sigurisë informatike më të kërkuar që punën dhe jetesën e tij e ka ndërmjet Anglisë edhe SHBA-së! Adriani është një tjetër shembull i shqiptarëve ndryshe që suksesin e ka gjetur larg Atdheut, në Anglinë që i hapi dyert dhe i krijoji mundësinë e shfaqjes së aftësive të tij!

Ai thotë se Anglia është vendi i mundësive të jashtëzakonshme por duhet të jesh i aftë dhe të kesh dëshirën që ti shfrytëzosh mundësitë e krijuara! Përvçe talentit duhet të kësh dëshirë dhe vullnet për të qenë ndryshe!

I shkruaj të gjitha këto ndërsa lexoj shkrimin e një tjetër personaliteti shqiptar, poetit Laureat Rudolf Marku, që prej vitesh ka zgjedhur Londren si shtëpinë e dytë!

Rudolf Marku shkruan mbi paaftësinë e diplomacisë shqiptare e rrjedhimisht të qeverisë shqiptare, për të afruar përkujdesin minimal që një shtet normal duhet të ketë për nënshtetasit e tij në vendet ku emigrojnë! Duke folur për paaftësinë e diplomacisë shqiptare ne Londër mes tjerash thotë:

” …kompleksit të dukshëm të inferioritetit të ambasadorit shqiptar, një zyrtar Gogolian a Çehovian, i papërgatitur, qesharak dhe mjeran njëherësh. Refreni i tij gjatë gjithë debatit është fjalia më e papërshtatshme për një përfaqësues diplomatik të një shteti të huaj: I do not understand!

Nuk është për t’u çuditur ky reagim i Ambasadorit Qirjako Qirko, një ish-prokuror i regjimit komunist shqiptar, i cili është mësuar të marrë në pyetje të pafajshmit, e jo të merret në pyetje. Në radhë të parë, edhe me vetë ligjet shqiptare, ky ish prokuror i komunizmit nuk duhej të kishte pasur vend në administratën shtetërore post komuniste, e jo pastaj të qe zgjedhur Ambasador në një vend kaq të rëndësishëm diplomatik siç është Mbretëria e Bashkuar.”

Megjithatë, shtoj unë, pavarësisht kësaj shqiparët e Anglisë si Niko, Klodina, Besa, Ardiani, Gëzimi, Idi, e qindra të tjerë janë dëshmitarët më të kjartë se shqiptarët kanë shënuar dhe vijojnë të shënojnë një një emër ndryshe në historinë e emigracionit shqiptar në Londër Mbretërore!

 
Me Nikon, shembull i suksesit shqiptar ne Londer
Please follow and like us: