Albspirit

Media/News/Publishing

Ambra Hysa: “Të shkruash romane rozë”…

 

Nuk ka ndjesi më të paqtë sesa kur mbyllesh në studion tënde të punës dhe shkruan, kjo është ajo që unë kam ëndërruar gjithmonë, shpirti im gjen qetësi kur shkruan…

Bie në dashuri me personazhet e mia, përhumbem në histori teksa i dizenjoj copëzat e shpirtit.

Personazhet e librit tim, bëhen kaq realë dhe të prekshëm në sytë e mi, sa unë mezi pres të ulem në makinën e shkrimit dhe të rrëfej historitë e tyre. Është si një film i shkurtër, i cili në mënyrë konstante qëndron në mendjen time dhe dëshiron të marrë trajtë, të njoh bardhësinë e letrës e të ngjitet me të.

Në përfundim të historisë, zakonisht më merr malli për karakteret që kam krijuar, sepse ato bëhen miqtë e mi për një kohë të gjatë, më dhurojnë paqe, komfort, shpresë dhe emocion të pastër…

Më bëjnë të besoj që mund të jetoj dhjetëra jetë dhe mund të eci në këpucët e tyre.

Të njëjtën gjë ndjen lexuesi kur më lexon. Unë shkruaj për lexuesin tim, që ai të relaksohet mbrëmjeve dhe të gjejë paqen në esencën e një dashurie, ndoshta të munguar, të harruar, por që ende ekziston… Dhe ai duhet të vazhdojë ta besojë, ta ëndërrojë, se është energjia e bukur që aq shumë kërkojmë, ajo për të cilën jetojmë.

Kur romani përfundon, më merr malli për përsonazhet, ato që unë kam krijuar…edhe pse, në të shumtën e rasteve unë i njoh ata në person dhe bujaria e fatit na ka takuar bashkë.

Vetëm në makinën e shkrimit mund t’i ndjej më afër se asnjëherë tjetër, sepse kështu zbuloj personalitet e tyre të mëndafshta; ndoshta ato pjesëza të shpirtit, të cilat ata duan ti mbajnë vetëm për vete!

Please follow and like us: