Albspirit

Media/News/Publishing

Ndue Ukaj: Përvjetori i Jeronim de Radës

Dje ishte 120 vjetori i kalimit në amshim të Jeronim de Radës, njërit prej viganëve të vërtetë të historisë kulturore shqiptare.
Le të kujtojmë se Faik Konica më 1910 thoshte se “Fiamuri i Arbërit” është e para e veglave kombëtare që i lajmëroi Evropës që ka një komb shqipëtar që êdhe është i gjallë”.
Po, dashuria e arbëreshëve për kombin shqiptar është njëra prej faqeve më të bukura e më mahintëse të historisë sonë kulturore, kurse kontributi i tyre në këtë histori është vital.
Jeronim de Rada përvec se ishte ndër të parët që e shtroi para botës s’atëhereshme problemin shqiptar, ai po ashtu ishte krijues me ndjesi të thella estetike. Vepra “Këngët Milosaos”, botuar më 1836, merret si vit i fillimit të Rilindjes Kombëtare; lëvizje kjo që shqiptarëve u solli pavarësinë, pas natës së errët, në të cilën Arbnia dergjej nën thundrën e një robërie të rëndë: pa shkolla, pa kulturë dhe pa asnjë gjë të shëndoshë kombëtare.
Pra, De Rada e ndihmoi ngjizjen e kësaj lëvizje të madhe dhe u bë apostull i saj dhe pagëzoi besimtarët e rinj që nxiteshin në temat kombëtare. Sepse, ekziston një e vërtetë, një pjesë e shqiptarëve atëbotë e kishin bjerrrë rrugën kombëtare dhe u shërbenin pushtuesve që donin t’i zhbënin ata si komb.
Vepra e tij atëbotë pati jehonë të madhe te shqiptarët e shpërndarë nëpër emigracion dhe u bë fanar drite e shprese për përlindjen e Shqipërisë.
De Rada, veprën letrare, “Milosao” e boti si 22 vjeçar, ndërkohë që ajo më vonë do të bëhet kryevepër e letërsisë shqipe. Që atëherë, ai nuk rreshti së punuar me përkushtim e dashuri përvëluese në fushën e kulturës dhe të shtypit, duke lënë pas vete vepra të pasura letrare.
Vepra e tij “Rapsodie Albanesi”, që u botua më 1886, si dhe “Fiamuri i Arbnit”, hapën rrugën e një lëvizje të madhe patriotike dhe kulturore që i ujitë rrënjët e vyshkura të kombit tonë me dashuri dhe atdhetari.
De Rada, pas vete ka lënë një vepër të pasur dhe të shkruar me një kulturë të lartë, por mbi të gjitha me dashuri përvëluese për atdheun e të bukurën, e Arshi Pipa thotë se rreth idealit Atdhè e art shtiellohet gjithë jeta e De Radës: jetë luftari e jetë poeti.
Shkrimtarët si De Rada janë ushqim i përhershëm për shpirtin dhe ndërgjegjen kombëtare, sidomos në kohë të liga, si kjo e jona, kur kanosemi prej gjithfarë idesh e kur shohim si rrezikohen të vyshken përsëri rrënjët e identitetit tonë kombëtar. Vepra e tij edhe sot mund të shërbej për t’i ujitë ato rrënjë.
Po ashtu, De Rada na kujton rolin e pazëvendësueshëm dhe të përhershëm të arbëresheve, që e mëkuan me dashuri gjuhën dhe letërsinë shqipe, për shekuj të tërë, duke u bërë kështu hallkë tejet e rëndësishme e identitetin shqiptar.
Emri dhe vepra e këtij kolosi meritojnë respekt, nderim, shtatore, por para së gjithash, ajo duhet të lexohet e të studiohet. Sepse, kështu edukojmë dhe ujitim një brezni të aftë dhe të ushqyer me dashuri të mirëfilltë për gjuhën, kulturën dhe atdheun.
Please follow and like us: